TIRANE - Prokuroria e Tiranës pushon hetimet ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Genc Ruli. Për të disatën herë Ruli ka arritur t’ia hedhë hetimit të prokurorisë së Tiranës, ku këtë herë ish-ministrit i është pushuar akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.

Nga verifikimet e kryera përgjatë kësaj kohe, Prokuroria ka arritur në pwrfundimin se shmangia e Parlamentit për dhënien e koncesionit të kromit në Bulqizë nuk i ka sjellë asnjë dëm financiar buxhetit të shtetit.

Nisur nga kjo situatë, Prokuroria thotë se në këtë rast nuk ka asnjë pasojë ekonomike dhe se fakti i ndodhur nuk parashikohet nga ligji material në fuqi si vepër penale.

Lidhur me këtë çështje janë pyetur dhjetëra persona mes tyre, ish-ministri i Ekonomisë Dritan Prifti që denoncoi këtë skandal, ish-ministri Genc Ruli, si dhe përfaqësuesit e kompanive ACR Holding, “Darfo”S.P.A dhe “Darfo SRL” të cilat në thelb janë të njëjta kompani.

(eq/shqiptarja.com)