Genc Tukiçi: Unë me Inva
Mulën koncert për 100 vjeto

Genc Tukiçi: Unë me Inva <br />Mulën koncert për 100 vjeto
Genc Tukiçi, është një nga virtuozët shqiptarë që u japin skenave të huaja, të gjithë talentin e tyre, por nuk harrojnë të kthehen herë pas herë në vendlindje. Jeta e përdithshme, puna dhe malli rrjedhin në shtratin e muzikës, ku vendet, gjuhët dhe kufijtë treten në "lëndën" e tingujve dhe kompensojnë mungesat mes kohëve. Këto dy muajt e fundit muzika e sjell natyrshëm në atdhe, fillimisht në realizim të një dëshire të sopranos më të njohur shqiptare Inva Mula. Është albumi i pavarësisë, një koncert që premton të ndezë së pari Kosovën dhe më pas Tiranën, me këngët më të bukura patriotike shqiptare. Dhe kush mendon se ka të bëjë vetëm me një koncert të radhës kushtuar përvjetorit, ndoshta do të ndërrojë mendje pas datës 28 nëntor, pasi pianisti Genc Tukiçi ka punuar me këngët; ai për të sjellë kompozime të ripunuara, dhe Inva Mula për të sjellë interpretime të përsosura. Të dy synojnë që këngët patriotike të mos jenë vetëm këngë jubilesh, por edhe këngë zemre të mbushura me intimitet dhe lirizëm.

Nëntori ju sjell sërish në Tiranë dhe nuk jeni vetëm. Së bashku me soprano Inva Mula. Duhet thënë një kthim i shumëpritur?
Unë kam shumë vjet që jam kthyer për të interpretuar në Shqipëri, ose më mirë të them asnjëherë nuk jam larguar, por me një artiste të mrekullueshme siç është Inva , po , do të thoja është kthim i shumëpritur.
Si lindi idea e një albumi për pavarësinë dhe si erdhët deri në këtë "duet"?
Ishte dëshira e Invës, për t'i bërë një dhuratë vendlindjes, me rastin e 100- vjetorit, dëshirë që e përqafova edhe unë duke zgjedhur këngët më të bukura.që janë krijuar për atdheun tonë. Kam marrë këto tema dhe në realitet kam krijuar, kam kompozuar muzikë të re mbi këto tema shumë të njohura. Dëshira ime dhe e Invës ishte që të sjellim këto tema me një këndvështrim të ri, sa patriotik aq edhe intim, lirik dhe modern. "Duos" sonë i është shtuar dhe bashkëpunimi fantastik i dirigjentit të mirënjohur Bujar Llapaj si dhe i orkestrës së radios sllovene. Himni i flamurit është pjesë e këtij albumi. Besoj do të këndohet i plotë Natyrisht që himni do të këndohet i plotë dhe i rikrijuar nga unë në një mënyrë personale.

Cilat janë këngët e tjera dhe në cfarë këndvështrimi të ri vijnë ato për publikun?
Nuk po ju flas për të gjithë titujt për të ruajtur surprizën për ju dhe për publikun shqiptar. Ajo çka mund të them është që cd-ja ka shumë emocion në krijimtari, shumë dashuri për vendlindjen dhe interpretim perfekt të Invës.

Koncerti juaj në Kosovë do të paraprijë Tiranën. Përse kjo zgjedhje?
Menduam në Kosovë sepse Tirana ka koncertin e saj jubilar me datën 28 nëntor, ku Inva do të jetë protagoniste dhe drejtuese artistike; për më tepër, në Kosovë ka një flakë patriotike që pakkund e gjen. E konsideroj privilegj dhe fat të ndodhem atje; babai im, këngëtari Ibrahim Tukiçi, e donte në veçanti Kosovën dhe publikun kosovar dhe ma ka trashëguar këtë dashuri, pa kushte. Për mua është hera e parë që shkoj në Kosovë...

Si rrinë këngët patriotike shqiptare në ditët e sotme ?
Pikërisht… Jemi munduar me Invën, të sjellim këngët patriotike me gjuhën e kohës dhe shumë personale, që ato të mos këndohen vetëm në evenimente jubilare, por edhe në çdo gëzim familjar ku çdokush mund t'i dëgjojë në intimitet...

Koncerti i kushtohet Pavaresisë po keni një këngë që do t'ia kushtonit më personalisht dikujt?
Po,unë shumë nga krijimet e albumit do t'ja kushtoja dikujt...

Cdo album e ka një hit. Cili mund të ishte hiti i albumit tuaj?
Ka shumë, por do të veçoja "Për Mëmëdhenë"

Koncepti i patriotizmit ka ndryshuar në kohë. Cfarë është atdheu sipas jush?

Atdheu është dheu i të parëve, gjuha, flamuri, natyra, njerëzit, ajri, kultura, dashuria, vuajtjet, gëzimi...modestia, krenaria e të qenit shqiptar....

Cila është pika më e fortë e një dueti mes një pianisti dhe sopranoje (apo këngëtareje) dhe cfarë e karakterizon bashkëpunimin tuaj me Inva Mulën?

Në rastin konkret me Invën, pika më e fortë është emocioni i fortë që rrjedh përgjatë interpretimit si dhe profesionalizmi. Ka një shkuarje -ardhje emocionale që është vështirë të gjesh me partnerë të tjerë, natyrisht kjo ndahet me publikun...

Nuk është i pari bashkëpunim mes jush. Në festivalin në Bejrut ju keni qenë sërish bashkë. Mund të na jepni disa impresione nga ai event?

Në Bejrut, Inva ishte e mrekullueshme. Kemi interpretuar faqet më të bukura të muzikës botërore si dhe perla të muzikës sonë shqiptare që publiku i priti me ovacione.... Pati dhe një surprizë, kur papritur, teksa interpretonim muzikë shqiptare, muzikës sonë i shtohet një tingull i magjishëm violine që vinte nga salla dhe pak nga pak po ngjitej në skenë ....Ishte violinisti shqiptar Qamil Muça, i martuar në Liban. Kështu u ritakuam me të në skenë mbas 25 vjetësh...Bën pjesë në surprizat që nuk harrohen.

Si shqiptar dhe artist në mërgim, besoj se e ndieni më shumë mungesën e atdheut në përvjetore festash. Për cfarë keni më shumë mall?

Kam mall për çdo gjë në Shqipëri; për familjen, për miqtë, vendet, rrugët, sallat e koncerteve, por sidomos për shtëpinë ku jam rritur me prindërit e mi..

E keni menduar kthimin apo tashmë jeta juaj profesionale dhe personale është lidhur përfundimisht me Parisin?

Që në fillim të intervistes unë ju thashë që me mendje dhe zemër, asnjëherë nuk jam larguar nga Shqipëria, por mendoj se vendi për një muzikant nuk është as Parisi, as Tirana. Vendi i muzikantit është aty ku është muzika...

(Intervista u publikua sot ne suplementin FUNDJAVA, te Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi