TIRANE- Konstitucionalisti Gent Ibrahimi, gjatë një interviste për gazetën "Shqiptarja.com" ka komentuar mandatin e kryprokurores Ina Rama.

Në cilësinë e një konstitucionalisti, kur fillon dhe mbaron mandati i Prokurorit të Përgjithshëm?
Fillimi dhe përfundimi i mandateve të zyrtarëve të shtetit është një çështje me rëndësi për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike. Ka gjithnjë një fakt juridik që përcakton fillimin e mandatit. Ky fakt juridik është ose akti i emërimit/zgjedhjes ose kryerja e betimit në varesi të formulës që përdoret. Fakt juridik për fillimin e një mandati mund të jetë edhe miratimi i një ligji që shënon fillimin e veprimtarisë së një institucioni ose riformatimin e veprimtarisë së një institucioni që është krijuar më parë. Nga ana tjetër, në përgjithesi fundi i mandatit duhet të korrespondojë me një fakt fizik, kalimi i kohës së parashikuar me ligj. Në raste të veçanta, kur ligji nuk parasheh ndonjë afat kohor për mbarimin e mandatit, mënyra e vetme për t'a përfunduar një mandat që po ushtrohet është përsëri ndodhja e një fakti juridik.

Me ndryshimet e 2008, që të shmnagnim këtë kazus, si duhej zgjidhur?
Sipas mendimit tim, mandati i Prokurores së Përgjithshme ose do duhej të quhej i ndërprerë që në momentin e bërjes së ndryshimeve duke e llogaritur organin si të rikonstituar, ose do duhej që të konsiderohej i filluar në momentin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese (pra të faktit juridik) dhe të vijonte për 5 vjet nga ai çast.

Kush i jep zgjidhje këtij problemi? A duhet të çohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese?
Mënyra e vetme për t'i dhënë një zgjidhje afatgjatë këtij problemi është një interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Diskutimi aktual nëse është nëntori 2012 apo maji 2013 koha e përfundimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk e prek thelbin e problemit, por mesa duket diktohet nga interesa politike afatshkurtra. Në rastin konkret kjo do të thoshte që mandati i Prokurorit të Përgjithshmëm të lejohet të vazhdojë deri në afatin më të gjatë të mundshëm, maj 2013.

Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)