TIRANE- Projekti i parë për filmin artistik “Dita zë fill” i Gentian Koçit shfaqet në Festivalin e Sarajevës mes shumë konkurrentëve nga Evropa Juglindore. Skenari i tij i parë për film të gjatë, është ndër 14 projektet e zgjedhur midis 200 pretendentëve.

Filmi konkurron në tregun e bashkëprodhimit të filmit Cinelink, më i madhi i Evropës Juglindore që mbahet në ditët e festivalit të Sarajevës 20-23 gusht. Ndër 14 projektet vërejmë edhe emra si ai i rumunit Kristian Munxhu, fitues i palmës së artë në Kanë. Skenari i Koçit pasqyron një dramë sociale që vjen prej ndarjes së thellë klasore që ka pësuar shoqëria shqiptare.

Filmi flet për përpjekjen e një nëne të re për të mbajtur me thonj një vend pune në një mjedis të pasurish të rinj. Kjo dramë sociale luhet nga aktorja Luli Bitri. Në këtë treg projekti i ri i Koçit po ndjek rrugën e kërkimit të producentëve të huaj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)