Gërdeci, Apeli kërkon kohë për
vendimin: Dosja voluminoze

TIRANE - Gjykata e Apelit shtyn më 13 shkurt dhënien e vendimit për 29 të akuzuarit si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, dhjetra u plagosën si dhe u dëmtuan qindra subjekte. Apeli mbylli dy javë më parë shqyrtimin gjyqësor dhe kishte caktuar ditën e sotme, kur do të shpallte vendimi por në seancë treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Alaudin Malaj  është shprehur se nuk ishte gati pasi dosje ishte voluminoze dhe kërkoi më shumë kohë.

Për familjarët e viktimave shtyrja e dhënies së vendimit është pazar i radhës nga drejtësia shqiptare.
“Është pazar, edhe këtu gjasat të atilla si në gjykatën e Shkallës së Parë janë, presim që të vlerësojë siç duhet sepse është përdorur për shkelje të rregullave në punë dhe është rrëzuar ajo e vrasjes. Ne kërkojmë që gjykata të pranojë kërkesën e prokuriorisë për vendosjen e akuzës së vrasjes.”-
tha Zamira Durda, gruaja që në shpërthimin e Gërdecit humbi djalin e saj 8 vjeç Edison Durda.

Afro 5 vite nga 15 mars 2008, ku shpërthimi në fabrikën e demontimit të municioneve ende kjo dosje mbetet e hapur për drejtësinë shqiptare.
Gjykata e Shkallës së Parë gjatë dhënies së vendimit i klasifikoi pasojat e ngjarjes si vdekje për shkak të shklejes së rregullave të sigurisë në në punë dhe jo si vrasje, siç e kërkoi prokuroria dhe këtë e kërkojnë dhe familjarët

FAMILJARET LETER GJYQTAREVE: VENDOS AKUZEN E VRASJES

Ndërkohë që dje familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nëpërmjet një letre të hapur i bënë apel trupit gjykues të respektojë ligjin dhe të jetë i drejtë me ta, viktimat e vërteta të kësaj tragjedie. Ata deklaruan se gjykata ka mundësi të riparojë traumën që shkaktoi vendimi i zhgënjyes i shkallës së parë i cili rrëzoi akuzën e vrasjes në rrethana të cilësuara.

LETRA E PLOTE

Pas gati 5 vitesh, familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit i drejtohen përsëri me një apel drejtësisë shqiptare. Në datën 4 shkurt 2013 gjykata e Apelit ka mundësi të riparojë traumën që shkaktoi vendimi i zhgënjyes i shkallës së parë. Sa për histori ju kujtojmë se me vendimin në fjalë ra akuza e vrasjes në rrethana të cilësuara. Kështu, sipas gjykatës së shkallës së parë nuk pati vrasje siç pretendonte prokuroria. Sigurisht që kjo nuk mohon faktin që në Gërdec humbën jetën 26 persona. Thjesht këto humbje jete u riklasifikuan si pasoja anësore të shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë.

Diferenca kryesore mes klasifikimit të bërë nga gjykata në krahasim me atë që pretendoi prokuroria ndikoi tek masa e dënimit. Gjykata gjeti një nen më të butë duke hedhur idenë se burgimi i përjetshëm bëhet i papërshtatshëm. Pavarësisht kësaj, neni 289 i Kodit Penal në paragrafin e dytë parashikon një dënim jo më pak se pesë vjet. Kjo do të thotë që gjykata teorikisht në aplikim të këtij neni mundet edhe të mbërrinte të jepte një dënim me burgim të përjetshëm. Këtë mund ta mbështeste edhe në nenin 31 të Kodit Penal, i cili lejon dhënien e burgimit të përjetshëm në rastet e një krimi të rëndë. Gjykatës në rastin konkret krimi i Gërdecit iu duk i nivelit mesatar, as i lehtë e as i rëndë. Kjo është dhe pjesa që gjykatësit zakonisht tentojnë të justifikojnë më pak në dhënien e vendimit, por, me apo pa justifikimin e gjyqtarëve, mund të themi me plot gojë se vendimi ishte një përkëdhelje për të akuzuarit. Miklimi i zemëratës së familjarëve të viktimave me 18 vitet impresionuese të dënimit për dy të pandehur ishte një tentativë e dështuar. Shifrat 18 apo 10 ishin dhe janë aspak proporcionale me dhimbjen e humbjes të të dashurve tanë.

Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi.

Ju kujtojmë se jo vetëm kronika e vdekjeve në Gërdec ka qënë e paralajmëruar, por dhe lehtësia e dënimeve të fajtorëve duket se është e paralajmëruar. Jetët tona ishin të pavlera nëse shihen kushtet e sigurimit të shëndetit e të jetës që nuk respektoheshin, por dhe drejtësia për humbjen e tyre nuk duket se ka patur fat më të mirë.

Nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur në SHBA, ku dhe u dënua Efraim Diveroli thjesht për mos respektim të rregullave të detyrueshme të një shteti tjetër, dënimi do të ishte maksimal. Sistemi atje njeh mundësinë e vlerësimit të dhimbjes nga një trup gjykues popullor. Këtu ky sistem nuk ekziston, por është e qartë nga ana tjetër se opinioni publik është në anën tonë në këtë luftë me të drejtën. Për një gjykatë popullore dënimi do të ishte maksimal. Gjykata e Apelit duhet ta marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi, që përbën dhe një nga funksionet e drejtësivënies e të respektimit të ligjit.

Familjarët e viktimave të shpërthimit të Gërdecit i kërkojnë gjykatës së Apelit në Tiranë të respektojë ligjin dhe të jetë e drejtë me ne, viktimat e vërteta të kësaj tragjedie

DENIMI I GJYKATES SE TIRANES
Më 12 mars 2012 Gjykata e Shkallës së Parë dha vendimin për 29 të akuzuarit e çështjes së "Gërdecit", duke dënuar me 18 vjet burg ish-kreun e kompanisë MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish- administratorin shqiptar të "Albademil" sh.p.k, Mihal Delijorgjin. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha i kërkon Apelit pushimin e çështjes me pretendimin se nuk provohet që ai të ka kryer ndonjë vepër penale dhe se vendimi për shpalljen fajtor të Hoxhës ishte i jashtëligjshëm.

(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’/ Sulo: SPAK shtyp frenat ndaj Ramës dhe gazin ndaj opozitës! Dash Sula: Më mirë votat e emigrantëve t’i numërojë KQZ, se në rrethe i vjedhin bandat e kryeministrit

‘Studio Live’/ Sulo: SPAK shtyp frenat ndaj Ramës dhe gazin ndaj opozitës! Dash Sula: Më mirë votat e emigrantëve t’i numërojë KQZ, se në rrethe i vjedhin bandat e kryeministrit