TIRANE- Tragjedia e Gërdecit ka përplasur sërish në sallën e gjyqit familjarët e viktimave me togat e zeza. Zamira Durda që humbi djalin e saj në këtë tragjedi u ka kërkuar gjyqtarëve të Apelit të bëjnë kujdes me vendimet që do të japin.

“Kujdes vendimet që do të jepni ose do ta paguani për këtë që po bëni” - u është drejtuar Zamira Durda trupit gjykues në Gjykatën e Apelit.

Si prokuroria ashtu dhe 28 të pandehurit kanë apeluar vendimet e Gjykatës së Tiranës në Gjykatën e Apelit. Prokuroria kërkon dënimin më të ashpër se ai që është dhënë nga gjykata e një shkalle më të ulët, ndërsa të pandehurit kërkojnë uljen e dënimit.

Seanca e sotme ishte e dyta në Gjykatën e Apelit. Avokatët i kërkuan Gjykatës të hedhë poshtë ankimimin e prokurorisë, ndërkohë që prokuroria kërkoi dokumentacion shtesë për ankimimin e të pandehurve pasi të pandehurit kanë bërë një ankimim të përgjithshëm dhe jo individual.  Gjykata rrëzoi kërkesën e avokatëve dhe kërkoi shtyrjen e seancës. Në këtë moment ka ndërhyrë tepër e irrituar Zamira Durda, e cila ndodhej në sallë për të ndjekur seancën.
“Kam 4 vjet që i dëgjoj këta plehra, (e ka fjalën për avokatët ) Kërkoj të vihet në vend drejtësia.” Paraljamërimeve nga gjyqtari se do nxirrnin jashtë nga seanca ajo i është shprehur se nuk donte t’ia dinte. “Kujdes vendimet që do të jepni ose do ta paguani për këtë që po bëni” - u është drejtuar Zamira Durda trupit gjykues në Gjykatën e Apelit.

Dosja Gërdeci u rikthye në Gjykatën e Apelit pas kërkesës së 28 të pandehurve për ndryshimin e masës së dënimit dhënë nga Gjykata e Tiranës. Për Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin togat e zeza dhanë dënimin me 18 vjet heqje lirie, ndërsa për administratorin e shoqërisë "AlbaDemil", Mihal Delijorgji u caktua masa e dënimit me 10 vjet burg. Katër të pandehurit kyç të kësaj dosje po gjykohen nën masën e sigurisë arrest shtëpie.

Tragjedia e rëndë më 15 mars 2008 ndodhi në një fabrikë të demontimit të municioneve, 15 km larg nga Tirana. Shpërthimi i fuqishëm i mori jetën 26 personave, 300 të tjerë u plagosën dhe qindra godina të banorëve dhe bizneseve u dëmtuan.

(sg/shqiptarja.com)