TIRANE - Gjykata e Lartë pushoi gjykimin  ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili akuzohej për “plagosje të rëndë nga pakujdesia” lidhur me tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona e u plagosën rreth 300 të tjerë.

Pushimi i çështjes është bërë me argumentin se çështja për të cilën gjykohet Mediu përfshihet në veprat penale të amnistuara me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Trupa gjyqësore e mori vendimin në unanimitet.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp familjarët e viktimave janë shprehur të zhgënjyer duke deklaruar se do t’i drejtohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Madje ata i kërkojnë kryeprokurorit të ri zbardhjen e tragjedisë duke i kujtuar se suksesi i tij varet së pari nga këto cështje kaq të rëndësishme siç është zbardhja e ngjarjes së Gërdecit.

U PADIT NGA DY TE DEMTUAR
Padia në Gjykatën e Lartë ndaj ministrit Mediu është bërë nga shtetasit R.Durdaj (10-vjeçari i cili përfaqësohej nga i ati Rigon Durdaj) dhe Alketa Hazizaj, të cilët mbetën të dëmtuar në Gërdec. Ata kërkuan rigjykimin e Mediut, tani që është i pambrojtur nga imuniteti. Sipas të dëmtuarve nga tragjedia, ministri Fatmir Mediu nuk ka përmbushur detyrën e tij në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes (në atë kohë) dhe se ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin që kanë shkaktuar ngjarje e ndodhur në Gërdec.

Dy të dëmtuarit iu drejtuan fillimisht Gjykatës së Tiranës, për padinë ndaj Mediut. Por gjykata u shpall moskopetente për ta marrë në shqyrtim dhe çështja u regjistrua në Gjykatën e Lartë, e cila pushoi sot çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

TRAGJEDIA
Më 15 mars të vitit 2008, si pasojë e shpërthimit të një fabrike demontimi të municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rëndë rreth 300 të tjerë. Tragjedia e Gërdecit vijoi të merrte jetë edhe në vitet e mëvonshme. Disa ditë më parë Tushe Osmani, nëna e Resmije Osmanit( kjo e fundit e mbetur e vrarë në Gërdec) i dha fund jetës duke pirë helm, ndërsa vetëm dy vjet më parë të njëjtin veprim e kishte kryer dhe bashkëshorti i saj.

Redaksia Online
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)