TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish seanca për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediut sa i takon çështjes së Gërdecit. Ditën e sotme pritej pretenca, pra që Prokuroria e Posaçme të lexojë konkluzionet për Mediun, të cilin e ka marrë të pandehur për dy vepra penale, por dy avokatët e Mediut nuk u paraqitën. Seanca u vendos të mbahet më 7 qershor ora 14:00.

Kjo është hera e tretë që shtyhet seanca në të cilën është parashikuar të jepet pretenca e SPAK, me po të njëjtën arsye, pasi nuk janë paraqitur avokatët mbrojtës të Mediut. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi ka mësuar se dy avokati Henrik Ligori kishte paraqitur një raport mjekësor dy ditor, përmes së cilit argumentoi edhe mungesën e tij. Nga ana tjetër, avokati tjetër Ardian Visha kishte paraqitur një fletëthirrje gjyqi që kishte në një proces tjetër në Durrës.

Dy prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja e kanë konsideruar të paligjshëm pretendimin e avokatit dhe kërkuan të caktohet edhe një avokat nga shteti. Do të jetë avokati Artan Simoni që do të përfaqësojë Mediun në seancën e radhës më 7 qershor. Prokurorët e SPAK e bënë kërkesën për avokat shtetit në mënyrë që në seanca tjetër të mos dështojë. Pra, edhe nëse avokatët e Mediut do të mungojnë sërish, nuk do të ketë mundësi për t’u zvarritur seanca, pasi Prokuroria do të lexojë pretencën në prani të avokatit të shtetit.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve. Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinari, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse. Në shkurt 2013, Gjykata e Apelit reduktoi me 1/3 dënimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për tre të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”. Vetë Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, që në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodh deputet si pjesë e listave të Partisë Demokratike, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirjen e tij në çështjen “Gërdeci”.