Gërmenji,hetimi e gjyqi rrufe,si u 
ekzekutua një javë pas arrestimit

Gërmenji,hetimi e gjyqi rrufe,si u <br />ekzekutua një javë pas arrestimit
Pjesa e tretë

Po afronte vjeshta e vitit 1917. Lufta dukej sikur po kalonte një periudhe qetësie. Por, ndërkohë, aeroplanët austriakë bombardonin Korçën dhe, jo vetëm ngjallnin tmerr mbi popullsinë e pambrojtur, shkatërronin shtëpi, por edhe shkaktonin të vrarë e të plagosur.

Francëzët përgatiteshin për marrjen e Pogradecit, që ndodhej nën pushtimin e forcave austro-hungareze. Megjithëse i mbikqyrur nga Syrteja, Themistokliu, si prefekt, u ngarkua me detyra informimi dhe zbulimim, aq më tepër që i njihte rrethinat e Pogradecit, ku parashikoheshimn të zhvilloheshin luftimet, gjë që ndihmoi së tepërmi forcat franceze.

Jo vetëm kaq, por njësitet e xhandarmarisë shqiptare bashkëvepruan me forcat franceze në luftimët e ashpra me forcat armike, të cilat nuk rezistuan gjatë dhe u thyen.
 Menjëherë pas luftimeve Themistokliu qe ndër të parët që u fut në Pogradec dhe ngriti atje flamuri shqiptar, ndërsa populli këtij qyteti e priti plot brohoritje”. (“Posta e Korcës”,12 gusht, 1929). Pas luftimeve ai kërkoi qe me pëlqimin e qytetarëve pogradecarë edhe ky qytet të kishte vetqeverisje si Korça. Mirëpo komanda franceze nuk e miratoi këtë kërkesë. (Po aty).

Ndërkohë, Syrteja vazhdonte misionin e saj të mbrapshtë kundër Themistokliut. Ajo për këtë qëllim shfrytëzoi njerëz shpirtkëqinj, egoistë, që e kishin halë në sy Themistokliun dhe që ishin gati “të bënin çdo krim e poshtërsi, pavarësisht se u shërbenin të huajve duke dëmtuar atdheun”. (Posta e Korcës”,”Vrasja e dëshmorit”,12.2.1930).

Këta njerëz të paskrupullt hartuan një dokument “…ku shprehej pakënaqësia e popullsisë së Korçës ndaj Themistokliut dhe qeverisjes dhe ia dorëzuan Syrtesë franceze. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 298).
Themistokliu u vu në dijeni të këtyre makinacioneve e, megjithatë, vazhdoi i qetë punën, duke iu përmbajtur Protokollit të 10 dhjetorit të vitit 1916 me palën franceze. Ai kuptoi, ndërkohë, se Shqipërisë i kanosej një rrezik tjetër….
 
Themistokli Germenji dhe Esat pashë Toptani 

Pasi ishte dëbuar nga Shqiqëria Esat Pasha, siç u përmend më sipër, ishte vendosur me një tabor ushtarësh të hurit dhe litarit pranë komandës së Armatës Franceze në Frontin e Lindjes, me qendër ne Selanik, pra, pranë gjeneral Sarrajit. Për më tepër, kishte marrë pjesë në luftimet e Pogradecit.

Esati prej kohësh i kishte kërkuar Sarrajit që të vendosej me gjithë “qeverinë e tij” në Korçë dhe për këtë kishte marrë edhe pëlqimin e ambasadorit të Francës pranë tij, të quajtur Fontenej. Kjo dëshmohet edhe nga një artikull i botuar te “Gazeta e Korcës”, datë 10 gusht 1930, në të cilin midis të tjerash shkruhet:

“Në ditë e para pas ngritjes së Krahinës Autonome të Korcës, Esat Pasha dërgoi këtu tre nga “ministrant” e tij, të cilët gjetën strehë në ndonjë nga shtëpitë më të mira. Themistokliu i zemëruar i kërkoi kolonel Dakoenit largimin brenda njëzet e katër orëve të këtyre “ministrave”. Ata ikën pa u zënë këmbët dhe”.

Esati në Selanik takohej me njerëz të sferave të larta të politikanëve francezë dhe të aleatëve të tyre dhe villte vrer kundër Themistokliut, i cili e kishte demaskuar gjithnjë edhe në revistën e tij “Biblioteka, zëri i Shqiqërisë” që botonte më 1915 në Bullgari, si tradhtar të atdheut.

Eshtë interesante me këtë rast të citojmë një artikull shkruar nga gazetari i njohur francez i gazetës “Lë Pëti Parizien”, Gaston Rishar, më 15 qershor të vitit 1920, dy ditë pasi atdhetari i shquar, Avni Rustemi, vrau Esat pashën pas një atentati në Paris.

Duke përshkruar jetën ë tij të shthurur në Selanik, ku luante kumar e u zhvaste edhe qindarkën e fundit oficerëvë të gjeneralit Sarraj, dhe “kur nuk u bënte vizita të bukurave të tij, Esat pasha kridhej në mendime të zymta të ndërlikuara dhe misterioze për të shtënë në dorë ndonjë pasues besnik të Sali Butkës, armikut të tij personal… ose për asgjësimin e Themistokli Gërmenjit”.
 
Dhe ishte e çuditshme se si shumë politikanë të huaj u besonin këtyre shpifjeve të Esat Pashës, i cili priste që pas Luftës të kthehej në Shqipëri falë Francës dhe të formonte një qeveri që të përmbushte interesat e saj ndaj në vendit tonë.
 
Plane të mëtejshme për të zhdukjen e Krahinës Autonome të Korcës dhe arrestimi i Themistokliut 
Siç e pamë, para sulmit për pushtimin e Pogradecit, Themistokliu ndihmoi forcat franceze duke u dhënë shumë informata të rëndësishme me karakter luftarak. Punë të frutshme në këtë drejtim bëri bashkëpunëtori tij i ngushtë, Fehmi Zboqi. Këto informacione Syrteja herë i shihte me dyshim, e herë tjetër i çmonte.

Ishte pikërisht Fehmi Zboqi që u vu në shënjestër nga Syrteja, si e si që të cilësohej agjent austro-hungarez. Benuai, shefi i Syrtesë, urdhëroi për këtë qëllim inspektorin e tij Drio, të merrej me Fehmi Zboqin, i cili duhej të dilte se bashkëpunonte me austro-hungarezët me dijeninë dhe për qëllimet e Themistokliu. Kështu Drioja hartoi një relacion ku shpjegonte se këto lidhje midis tyre bëhej me anë të një shqiptari tjetër të quajtur Pasho Kolaneci.

Tashmë kthetrat po ndereshin edhe më shumë drejt Themistokliut. Kjo ndodhi pas pushtimit të Pogradecit, kur Fonteneji, ministri i Francës pranë Esat pashës, i shkruante Sarrajit “…që Korça, dhe Pogradeci të quheshin si krahina të pushtuara, pra, që Republika e Korçës të likuidohej. (P.Tako,”Themistokli…”,faqe 303).
Në këto kushte, kryeministri Fosh i kërkoi Sarrajit t’i dërgonte nj relacion ku të shpjegonte se në ç’rrethana Korça, kaza e pushtuar prej francezëve, ishte shndërruar në krahinë autonome.

Kryekomandanti i Armatës së Lindjes u ndodh në një pozitë tepër të vëshirë. Ai duhej t’i jepte shpjegime kryeministrit kur sapo ishte bërë gati të dekoronte me “Kryqin e Luftës” atë që ishte vënë në krye të kësaj krahine autonome, ai që me dëshirën e popullit korçar e kishte quajtur atë Republika Shqiptare e Korcës, pra, Themistokli Gërmenjin, i cili, kishte vë në qarkullim monedha me stemën e kësaj republike e, madje, pulla poste.
Sarraj mund ta mënjanonte këtë dekorim. Por nuk veproi kështu. Më 26 tetor 1917, me një ceremoni të posacme Themistokliu, në emër të tij u dekorua nga vetë gjenerali Sal, komandanti i trupave franceze në Korçë, i cili, siç e kemi parë, jo vetëm nuk e kishte për zemër, por donte t’i bënte varrin. Ai lexoi urdhërin e kryekomandantit Sarraj, ku thuhej:

“Themistokli Geërmenji, prefekti i Policisë së Korçës, duke qenë pranë një komandanti brigade, dha në kohën e e veprimeve luftarake për marrjen e Pogradecit lajme të vlefshme për komandën. U provua guximtar duke marrë pjesë vetë në luftime në udhëheqjen e trupave të xhandarmarisë shqiptare në ditët 8,9 dhe 10 shtator 1917.
Nënshkruar, Sarraj”. (“Gazeta e Korçës”, 15 shkurt 1930).

Po sipas kësaj gazete, Themistokli Gërmenji iu përgjigj Salit se gëzohej për këtë vlerësim të Sarrajit që e dekoronte me “Kryqin e Luftës” dhe e uronte që miqësia midis dy popujve të të forcohej gjithnjë e më shumë.

Pas disa ditësh, më 29 tetor, me këtë rast, Themistokliu përshëndeti me një letër urimi ushtarakët e xhandarmarisë, e cila u botua në shtyp më 1 nëntor. (po aty).
Dhe, ja në mbrëmjen e kasaj dite Benuai, i ardhur posaçërisht nga Selaniku, e arrestoi Themistokli Gërmenjin, po në emër të… kryekomandantit Sarraj.
Sipas gazetës “Posta e Korçës”, të datës 15 shkurt,1930, Themistokliu dëgjoi me qetësi deklaratat e shefit të Sigurimit, Benua, dhe të dy agjentëve që e shoqëronin, të cilët e morën më vete në Selanik.

Habinë dhe tmerrin pasi mori vesh këtë lajme shoqja, Evdhoksia e ka përshkruar në në një libër me kujtime të grave veterane.

”Unë po e prisja të kthehej me tryezën shtruar, - kujton ajo,- kur në vend të tij më erdhi drejtori i Syrtesë dhe më tha greqisht:”Mos e prisni Themistokliun. E ka thirrur në Selanik gjenerali Sarraj dhe tani është nisur. Ne i thamë të vinte t’ju lajmëronte, por ai m’u përgjigj, se shtëpia e tij e di që ka shumë punë, prandaj dhe gruaja të mos bëhet merak. ”Mua nuk më vajti mendja për të keq, pasi gjithnjë kur e lajmëronin për ndonjë intrigë, thoshte: ”Le të më thërrasë gjenerali Sarraj, dhe atje do të shpjegohem.”
 
Pas arrestimit të Themistokliut
Syrteja, pra, Sigurimi francez, jo vetëm shpejtoi ta arrestonte Themistokliun tri ditë pas dekorimit me “Kryqin e Luftës”, por brenda një jave zhvilloi rrufeshëm procesin hetimor dhe gjyqsor, ku Këshilli i Lartë i Luftës dha me nxitim dënimin e tij me vdekje, si agjent i Fuqive Qendrore, dënim që u krye të nesërmen. Dukuri me të vërtetë shumë e rrallë në proceset gjyqsore!...

Përse ky nxitim?
Eshtë një pyetje qe ende nuk ka marrë përgjigje. Dhe kjo, sepse, siç u theksua në krye të këtij dosieri, deri tani nuk janë zbuluar e studiuar dosjet e hetuesisë, (në qoftë se është zhvilluar ndonjë proces i tillë, e, për më tepër, as procesi gjyqsor që u zhvillua me dyer të mbyllura). Se çfarë trillimesh të tjera, veç atyre që kemi përmendur më siper u bënë në këtë proces për ta akuzuar Themistokliun si agjent austro-hungarez, këto janë ende të panjohura.

Këshilli i Lartë i Luftës mori vendimin me vdekje për Themistokliun sipas të dhënave të Syrtesë, të cilat më së fundi, i miratoi shtamadhoria dhe kryekomandanti i Armatës së Lindjes, gjenerali Sarraj. Ai, siç e kemi parë, për muaj me radhë kishte kundërshtuar trillimet e Syrtesë, që e akuzonte Themistokliu si agjent të armikut, por tani ishte dorëzuar.

Sigurisht që Sarraji shikoi në fund të fundit interesin e tij. Krahina Autonome e Korçës ishte krijuar me dëshirën e flaktë të korçarëve, por edhe me miratimnin e tij. Dhe jo më kot. Duke plotësuar dëshirën e shqiptarëve të kësaj krahine, ai ishte i qetë se trupat franceze nuk do të sulmoheshin më nga çetat e Themistokliut e të Sali Butkës. Me fjalë të tjera, ato do të luftonin vetëm kundër forvcave të Fuqive Qendrore, madje, duke pasur përkrah edhe forcat shqiptare, siç ndodhi në luftimet e Pogradecit. Pra, këtë vendim e kishte marrë i shtyrë nga motive ushtrarake pragmatiste, për më tepër, pa pyetur qeverinë franceze.

Mirëpo ajo i kërkonte tani llogari për këtë veprim. C’duhet të bënte ai që e kishte dekoruar Themistokliun një javë më parë? Të pranonte që ai të dënohej?

Nuk kishte rrugë tjetër. ”Pra, dhe ushtarakët detyroheshin të tërhiqeshin përpara interesave politike dhe diplomatike franceze”. ( P.Tako,”Themistokli..”faqe 306).
“Dy duar për një kokë,”- thotë populli. Dhe Sarraji në përgjigjen dhënë kryeministrit Fosh, vinte në dukje se shndërrimi i Korçës në krahinë autonome, ndodhi në mars të vitit 1917, falë vullnetit të pupullit të kësaj krahine dhe aftësive të Thëmistokli Gërmenjit. Dhe hamendësonte se ai më pas kishte pasur si ambicje të bëhej president i shqiptarëve. Kësisoj, për të realizuar ambicjet e tij, ishte lidhur me fuqitë armike. (Por në fakt në asnjë dokument, qoftë edhe të Syrtesë, nuk zbulohet që Themistokliu të ketë qenë agjent).

Megjithatë, Sarraji ngulte këmbë që krahina e Korçës të mbetej ashtu siç kishte qenë e të mos fusnin hundët as venizelistët grekë, as italianët dhe as esatistët. Qeveria franceze duhej të ishte e kënaqur me kurbanin e bërë me këtë rast, pra, pushkatimin e Themistokliut, “të atij që guxoi t’ia ndryshonte emrin Krahinës Autonome të Korçës në Republikë Shqiptare’. (P.Tako,”Themistokli…”faqe 307).

Thamë më sipër se mungojmë dokumente arkivore të këtij procesi gjyqsor. Sidoqoftë, siç e kemi parë, në gazetën “Posta e Korçës”, të datës 13.2 1930, është botuar një artikull i një anonimi “Ë”, me titull’ “Vrasja e dëshmorit kombëtar”.

Nga sa del nga ky shkrim, autori është mbështetur në kujtimet e të dënuarve që u liruan nga burgu pasi kryen dënimin, ose që edhe u falën. Në bazë të tyre, mund të rindërtohet procesi gjyqsor, ndonëse sipas studiuesit Tako, autor i veprës “Themistokli Gërmenji”, që e kemi cituar shpesh herë në këtë dosier, ka edhe pasaktësi, por gjithsesi, që e bëjnë këtë proces të besueshëm.

germenji

germenji

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit