Me 700 hektarë gështenja në masivet pyjore, Pogradeci është ndër zonat e njohura për prodhimtarinë e lartë të frutit të vjeshtës.

Është pikërisht koha e mbledhjes së gështenjave, punë me të cilën sigurojnë jetesën 90 për qind e familjeve në fshatin Gështenjas.

“Dalim në mëngjes në mal, e mbledhim në tokë, e pastrojmë e seleksionojmë. 30-40 kile mbledh një person në ditë. Çmimi për këto të voglat me 70 lek/kg, të mirat variojnë nga 150 deri në 200 lek për kg. Prodhimi këtë vit është shumë i mirë. Treg sa të duash! E grumbullon njëri këtu nga Pogradeci se është i lidhur me Italinë është lidhur. Nuk ka patur probleme për të shitur këtë vit”, tha Festim Çoçka, fermer.

Ndryshe nga vitet e tjera, gështenja e Pogradecit nuk ka mbetur stok, madje po shitet me çmim 20 për qind më të lartë se vitin e kaluar. Me shumicë gështenja e cilësisë së parë shitet me 200 lek për kg, cilësia e dytë 150 lek për kg dhe e treta me 70 lek për kg. Kjo e fundit shkon kryesisht për industrimë e përpunimit.

Specialisti i Zonave të Mbrojtura, Gani Bego tha për Report TV se gështenja e Pogradecit eksportohet gjerësisht në Itali.

Pogradec operojnë tre kompani që grumbullojnë gështenjën nga banorët e zonës dhe e eksportojnë në shtetet e BE, kryesisht Itali. Ndërsa një sasi më e vogël shitet me pakicë në tregun vendas.