Gëzuar Lindjen e Krishtit, sot
festa për besimtarët e krishterë

TIRANE-  Besimtarët katolike e ortodoksë kremtuan lindjen e Krishtit në mesnatën që shënon fillimin e ditës së 25 dhjetorit, dita më e shënuar në besimin e krishterë, lindja e birit të perëndisë, Jezu Krishtit.

Mijëra besimtarë katolikë u mblodhën në mesnatë në katedralen e Shën Palit në kryeqytet, për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian mes lutjesh, ndezjes së qiririt dhe faljes, sic është dhe rituali i kësaj dite.

Mesha e Krishtlindjes u mbajt nga arkipeshkvi katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe, dashuri dhe mirësi. Mesha e Krishtlindjes vijoi më tej me këndimin e liturgjive të marra nga Bibla.

Ndërsa për besimtarët ortodoksë mesha u mbajt sot paradite në Katedralen Ortodokse  “Ngjallja e Krishtit”.

Në meshën e mbajtur nga kryepeshkopi Anastas, besimtarët ortodoksë janë lutur në emër të Krishtit.

“Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore”, tha kryepeshkopi Anastas.

Të krishterët janë lutur duke falënderuar Zotin për lindjen e Birit të Tij, duke uruar njëri-tjetrin me mesazhet e tolerancës dhe të paqes.

Pas ceremonisë, besimtarët u shpërndanë duke ndarë mesazhe për shumë paqe e dashuri mes njëri tjetrit.

Mesha, shënon kulmin e festës, ndërsa sot besimtarët shtrojnë drekën tradicionale në familjet e tyre dhe më pas , të veshur bukur këmbejnë vizitat e urimit tek njëri tjetri. Në Shqipëri, falë bashkëjetesës së kulturave, shumë prej besimtarëve myslimanët i festojnë Krishtlindjet dhe bëhen pjesë e festës së besimtarëve të besimeve të tjera fetare. Festimet vijojnë më pas me drekën e Krishtlindjes dhe shkëmbimin e vizitave.

FESTIMET NEPER QYTETE
Krishtlindja është festuar në mbarë Shqipërinë.
 
SHKODER- Qindra besimtare katolikë u mblodhën në orën 23:00 në katedralen e Shën Shtjefnit në metropolin verior për të kremtuar këtë moment të rëndësishme në kalendarin kristian, lindjen e Jezu Krishtit. Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga arkipeshkvi i Shkoder- Pult, Imzot Angjelo Massafra. 

shkoder
(Në foto: Festa e krishtlindjeve në Shkodër)
 

LEZHE- Mesha e shenjtë e Krishtlindjeve u mbajt nga arkipeshovi i Dioqezës së Lezhës imzot Ottavio Vitale, i cili uroi të gjithë besimtarët, katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri tjetrin. Katedralja e “Shën Nikollolles” në Lezhë ishte mbipopulluar nga prania e besimtarëve që pritën për të kryer ritualet e festës, lutjet, ndezjen e qiririt dhe faljes.

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.

Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.
lezhe
(Në foto: Festa e krishlindjeve në Lezhë)

ELBASAN- Në Elbasan Krishtlindja është festuar ndryshe. Kremtimi është pritur jashtë ambienteve të Kishave, pasi dy Kishat më të mëdhaja të qytetit si: Kisha e “Shën Kollit” dhe Kisha e “Shën Piu të X” kanë qëndruar të mbyllura. Arsyet janë ende të paqarta për të gjithë besimtarët të cilët endeshin nëpër dyert e kishave që ishin të kyçura. E vetmja Kishë e cila ka pritur besimtarët të cilët luteshin për ringjalljen e Krishtit ishte Kisha “Shën Maria”, e cila ndodhet në kalanë shekullore në qendër të qytetit.
elbasan
 (Në foto: Festa e krishlindjeve në Elbasan)
 
KORÇË
- Edhe në qytetin e kKorçës është kremtuar dita e lindjes së Krishtit. Mbrëmjen e djeshme në kishën katolike "Ringjallja" dhjetëra besimtarë katolikë kanë ndjekur këtë ceremoni fetare. Ndërsa mëngjesin e sotëm dhjetëra besimtarë ortodoksë i janë drejtuar katedrales "Ngjallja e krishtit", ku mbahet mesha e kesaj dite dhe më tej përcillen urimet.

krishtelindja korce
(Në foto: Festa e krishlindjeve në Korçë)
 
VLORË- Mesha e Krishtlindjeve është mbajtur edhe në kishat e rrethit të Vlorës. Besimtarët janë mbledhur për të kremtuar festën e Krishtlindjeve.

Festa e krishlindjeve në vlore
(Në foto: Festa e krishlindjeve në Vlorë)
 
LUSHNJË- Besimtarët ortodoksë dhe katolikë në qytetin e Lushnjës kanë festuar sot në kishat përkatëse lindjen e Jezu Krishtit. Ndërkohë mbrëmë në kishën katolike të “Shën Pjetrit dhe Palit” u mbajt mesha solemne e përvitshme nga At Don Zeno i cili uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin.

krishtelindja lushnje
(Në foto: Festa e krishlindjeve në Lushnje)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno

Procesi/ Presidenti dhe kriminel i dënuar, vendimi historik ndaj Trump për rastin e yllit porno