Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar ashpër ndaj kritikave që shoqëruan organizimin e Kupës së Botës 2026, duke mbrojtur turneun dhe duke akuzuar kundërshtarët se po përpiqen të errësojnë suksesin e tij.
Në një letër të hapur të publikuar në rrjetet sociale, Infantino theksoi se Botërori 2026, i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, u organizua me sukses, garantoi sigurinë e pjesëmarrësve dhe mblodhi miliona tifozë nga e gjithë bota, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit.
Kreu i FIFA-s iu përgjigj edhe polemikave që shoqëruan turneun, duke përmendur çështjet e vizave për disa tifozë dhe delegacione, vendimet disiplinore të FIFA-s, si dhe debatet për arbitrimin. Sipas tij, këto raste u zmadhuan në mënyrë të panevojshme dhe nuk duhet të zbehin vlerën e përgjithshme të kompeticionit.
"Ka njerëz që janë të konsumuar nga urrejtja dhe zgjedhin të shohin vetëm anën negative, duke injoruar gjithçka që u arrit gjatë këtij Botërori," u shpreh Infantino.
"Të gjithë atyre që humbën mundësinë të shihnin fëmijë, foshnja, gjyshër, prindër e familje të tëra të bashkoheshin për lojën më të bukur në botë, u kërkoj ndjesë që ndeshjet tashmë kanë përfunduar dhe më vjen keq që humbët gjithë atë gëzim dhe atë ndjenjë bashkimi", shkroi Infantino në deklaratën e tij të ashpër.
"Më vjen keq që ishit aq të përfshirë nga urrejtja dhe kritikat, sa nuk arritët ta shihnit gjithë këtë. Atyre që, pas stilolapsave dhe faqeve të gazetave apo pas ekraneve të tyre, përhapin urrejtje dhe thashetheme të rreme, dua t'u them se ndërsa ju rrini pas tyre, ne në FIFA jemi në vijën e parë, duke organizuar, punuar pa u lodhur dhe duke sjellë spektaklin më të madh në botë."
Në përfundim të mesazhit të tij, presidenti i FIFA-s u bëri thirrje kritikëve që "të ndalojnë për një moment, të reflektojnë, të meditojnë ose të luten", duke theksuar se futbolli duhet të shërbejë si një urë bashkimi mes njerëzve dhe jo si një arsye për përçarje, urrejtje apo dezinformim.
Komente










