'Giro d’Italia' në Tiranë, Veliaj pret Presidentin e Federatës Evropiane të Çiklizmit: Do shkëlqejmë sërish! Enrico Della Casa: Tirana, në rrugën e duhur

Në muajin maj, Shqipëria do të jetë epiqendra sportive e Europës, pasi do të jetë pritësja e startit të “Giro d’Italia” në çiklizëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Presidentin e Federatës Evropiane të Çiklizmit, Enrico Della Casa, të cilit i dhuroi Kullën e Sahatit.

Ai siguroi se Tirana do të bëjë gjithçka që të shkëlqejë në organizimin edhe të këtij eventi dhe shprehu bindjen se kjo garë do jetë vetëm fillimi i një tradite të gjatë dhe që e vendos kryeqytetin në hartën e eventeve euro-çiklistike.

“Do bëjmë maksimumin që eksperienca e Tiranës, jo vetëm nga ana e infrastrukturës, por nga ana e kulturës, kulinarisë, artit, këtë vit që jemi edhe Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, të shkëlqejmë. Jam i sigurt se edhe Durrësi e Vlora, në segmentet që ata do përfaqësohen, do bëjnë maksimumin e tyre dhe shpresoj që të jetë vetëm fillimi i një tradite të gjatë dhe që e vendos Tiranën edhe në hartën e të gjitha eventeve euro-çiklistike”, tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo frymë për të rritur numrin e pedaluesve në kryeqytet do të vijojë edhe në të ardhmen.

“Unë ju konsideroj më shumë aleat, sepse me gjithë përpjekjet që kemi bërë për të rritur frymën e pedaluesve, çiklistëve, duke filluar që nga kopshtet me fëmijët e vegjël që mësojnë biçikletën, duke vijuar me shkollën e biçikletave që e kemi tek stadiumi, të mësojnë biçikletën, të jenë miqësorë me mjedisin, të jenë aktivë nga ana fizike, dhe qershia mbi tortë ishte lajmi që na u dha nga Kryeministri për ‘Giro d’Italia’ në Tiranë”, tha Veliaj.

Presidenti i Federatës Evropiane te Çiklizmit, Enrico Della Casa u shpreh se “Giro d’Italia” është një vitrinë shumë e rëndësishme, jo vetëm në aspektin sportiv, por gjithashtu në aspektin turistik, gastronomik dhe kulturor.

“Është një shkëmbim tejet i rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Italisë, ndaj do të doja të falënderoja Tiranën për mikpritjen që ju do rezervoni për çiklizmin botëror. Jemi veçanërisht të lumtur, për faktin që ndodhemi këtu dhe të ndajmë me ju këtë moment. Është një projekt që do të vazhdojë gjatë dhe një vizion për çiklizmin. Duke parë qytetin tuaj, të projektuar me këto korsi biçikletash, do të thotë që jeni në rrugën e duhur, në rrugën e çiklizmit”, deklaroi Enrico Della Casa.

Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, u shpreh se Tirana është kthyer në qytetin e parë në Evropë për aktivitete ndërkombëtare sportive.

“Tirana ka qenë qyteti që ka pasur aktivitete gjatë këtyre 6 muajve të fundit, qyteti i parë në Evropë për aktivitete ndërkombëtare, sportive, asamble të ndryshme, siç ishte ajo e Solidaritetit Islamik dhe kampionatet. Është zhvilluar  maratona, një nga maratonat më të mëdha është futur në hartën e maratonave të botës; Taikwando, Kongresi dhe kampionati Botëror i Federatës së Mundjes dhe aktivitete pa fund. Çiklizmi në muajin maj do të sjellë  për herë të parë në Shqipëri “Giro d’Italia”, ku 200 televizione në mbarë botën do vijnë këtu, për të ndjekur këtë garë, sportistë të ndryshëm, personalitete ku Shqipëria do të jetë në gjithë mediat e botës. Ky është sporti”, deklaroi Ylli.

K.M/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë