SHKODER - Institucioni i Avokatit të Popullit do të nisë hetimet pas krimit të ndodhur në komunën Qelëz të Pukës, ku u ekzekutuan për gjakmarrje 2 vëllezër dhe mbetën të plagosur 4 persona. Deklarata është bërë nga avokati i popullit Igli Totozani gjatë një takimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe shoqatave te pajtimit të gjaqeve në qarkun e Shkodrës. Totozani ka deklaruar se policia dhe prokuroria ishin në dijeni të konfliktit por nuk kanë reaguar, dhe prandaj pritet të nisin hetimet nga ky institucion.

Ndërsa po fliste mbi problemin e gjakmarrjes, Totozani tha: “Jam duke menduar për të filluar një hetim për këtë rastin e fundit. Me sa u njohëm nga mediat ka pasur një denoncim nga të dy familjet. Duhet të shohim përse s’kanë reaguar organet, përse është lënë kjo që të shkojë deri në këtë pikë. Ekzistojnë shenja të qarta që mund të ketë një aktivitet të tillë dhe organet shtetërore mesa duket nuk funksionuaka sa duhet”.

Totozani ka kërkuar nga të gjitha shoqatat që veprojnë në qarkun e Shkodrës që të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre së bashku me institucionet e shtetit, në mënyrë që të luftohet fenomeni i gjakmarrjes në këtë qark.

“Gjakmarrja është një problem që do një funksionim shumë të mirë të të gjithë shtetit dhe të gjithë hallkave. Duke filluar nga organet e rendit, nga shkolla, nga arsimi, nga kultura, nga shëndetësia, nga ekonomia. Ndoshta ne na ngel të bëjmë sensibilizim.

(en/im/shqiptarja.com)