Gjakova, qytet perëndimor i Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, prej sot në pjesën karakteristike "Çarshia e Madhe", do të ketë Zyrën Informative Turistike, e hapur me mbështetjen e Komunës dhe të organizatës suedeze për trashëgimi kulturore CHWB.

Në ceremoninë e rastit, kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, tha se kjo zyrë hapet pas përpjekjeve të vazhdueshme që Gjakova të përfshihet në hartën turistike të rajonit.
"Kjo çarshi është më e madhja në Ballkan dhe ka vlera të posaçme, pasi këtu janë Xhamia, Teqja, Kisha dhe këto janë vlera të kombit shqiptar", u shpreh ajo.
"Po ashtu, janë artizanatet, që është edhe arsyeja përse kjo çarshi ishte krijuar dhe ekziston, dhe ne nuk duam që këtu të kemi suvenire të importuara, porse ato të jenë të prodhuara nga duart e arta të artizanëve tanë", u shpreh Kusari Lila.

Në emër të organizatës suedeze CHWB , hapjen e Zyrës Informative Turistike e ka përshëndetur Sali Shoshi, i cili u shpreh se ky bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe me organizatat lokale do të vazhdojë, pasi ka trashëgimi të pasur kulturore historike.

"Besoj se "Çarshia e Madhe" do të ketë rol dhe atraksion më të madh, se sa që ka sot" është shprehur në emër të Zyrës dhe të shoqatës "Prokult" Kujtim Rrahmani./ATSH/