PRISHTINË, 16 Janar/ATSH/.- Dorëheqja e Aleksandër Jabllanoviqit nga pozitat aktuale në Qeverinë e Kosovës, nuk do të jetë më kërkesa e vetme e qytetarëve të Gjakovës.
Sipas KosovaPress, këshilli organizues i protestave, ku bëjnë pjesë edhe aktivistë nga shoqëria civile si dhe përfaqësues të subjekteve politike që veprojnë në këtë qytet, përveç thirrjeve për protesta ditën e shtunë (17 janar), do të ftojë qytetarët që të nënshkruajnë dëshminë për kallëzim penal, ndaj fyerjeve që ministri Jabllanoviq ju bëri qytetarëve të Gjakovës, respektivisht nënave gjakovare.
Këshilli i shoqërisë civile ka marrë përsipër përpilimin dhe mbledhjen e dëshmive të qytetarëve, të cilët në mënyrë vullnetare do t'i japin ato.
Shkëndije Hoda, nga Këshilli në fjalë, tha përmes një bisede telefonike për KosovaPress, se nga nesër në orën 11:00, në qendër të qytetit, për shtatë ditë me radhë do të mbledhin dëshmitë e qytetarëve, të cilët ndjehen të fyer nga deklaratat e Jabllanoviqit drejtuar nënave gjakovare.
Hoda thotë se pas një jave, do të mblidhen të gjitha dëshmitë për kallëzim penal dhe në pesë kopje, të bashkangjitur edhe me video-deklaratën fyese të Aleksandër Jabllanoviqit, do t'u dërgohen Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, Kryeministrit Isa Mustafa dhe Avokatit të Popullit.
Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, në rast të deklaratave publike të cilat nxisin urrejtje, përçarje ose mos durim kombëtar, racor, fetar apo etnik, bëhet shkelje e Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të saj.
Në këtë rast, Kodi Penal i Kosovës parashikon se kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet.
Kodi parashikon gjithashtu që, kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq ofendoi rëndë protestuesit në Gjakovë, në një deklaratë të tij dhënë mediave me datë 6 janar. Ai atë mbrëmje, ndër të tjera, deklaroi:
"Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t'i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi". /m.m/