TIRANE- Aktorja e shquar e skenës shqiptare, Besa Imami, është nderuar nga Gjakova, vendlindja e saj, me titullin “Nderi i skenës shqiptare”. Ceremonia për dhënien këtij çmimi u zhvillua në ambientet e Teatrit të Gjakovës, në sallën e mbushur plot artdashës, miq e familjarë të aktores së njohur Besa Imami.

Migena Arllati, shkrimtare dhe albanologe njohur e qendrës së Albanologjisë së qytetit të Gjakovës në ceremoninë e hapjes u shpreh se:  “Drejtoria Komunale e Kulturës, si dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e nderojnë sot emrin e aktores së madhe Besa Imami, me një mirënjohje të veçantë dhe në pamundësi të pranisë së saj në këtë event, i pranishëm këtu sot është i biri i saj, gazetari i mirënjohur, zoti Artur Zheji, i cili nuk është këtu vetëm për të tërhequr çmimin, por edhe për të na sjellë në skenë, pak nga ajo Besa jonë gjakovare”.