Të paktën 22 emigrantë kanë humbur jetën pranë brigjeve të Greqisë, pasi kishin mbetur për gjashtë ditë në det në një gomone që synonte si destinacon të radhës Evropën.
Roja bregdetare greke ka bërë të ditur po ashtu se 26 persona të tjerë janë shpëtuar të premten nga një anije e agjencisë evropiane kufitare. Dy prej të mbijetuarve janë dërguar për trajtim në Kretë.
Sipas autoriteteve, varka ishte nisur më 21 mars nga porti i Tobrukut në Libinë lindore, ndërsa kushtet e këqija të motit, mungesa e ushqimit dhe ujit kanë ndikuar në vdekjen e emigrantëve. Roja bregdetare bëri të ditur se gjatë udhëtimit emigrantët humbën orientimin në det.
Shumica e të mbijetuarve janë shtetas nga Bangladeshi, ndërsa të tjerë nga Sudani i Jugut dhe Çadi.
Autoritetet ndërkombëtare kanë bërë të ditur se mbi 41 mijë emigrantë kanë mbërritur në Greqi përmes detit gjatë vitit 2025, ndërsa mijëra të tjerë kanë tentuar këtë rrugë edhe këtë vit.
Megjithatë, udhëtimet mbeten tejet të rrezikshme për shkak të motit, mbingarkesës së mjeteve lundruese dhe mungesës së pajisjeve të sigurisë, duke bërë që qindra persona të humbin jetën çdo vit në Mesdhe.
Komente










