Gjatë luftës shtëpitë në Tropojë shtab të UÇK-së, 
e sot të varfër në Kosovë 

Gjatë luftës shtëpitë në Tropojë shtab të UÇK-së, <br />e sot të varfër në Kosovë 
Edhepse shumë shtetas të Republikës së Shqipërisë kanë ardhur për të jëtuar në në Kosovë, banorët e viseve veriore të Shqipërisë, të cilët pësuan nga lufta e Kosovës jetojnë në mjerim.Ata shpesh nuk kanë as çati mbi kokë. 

Nëse del në qendrat perëndimore të Kosovës nuk të duhet kohë e gjatë për të takuar banorë të zonave veriore të Shqipërisë, të cilët kanë ardhur në Kosovë me shpresën për një jetë më të mirë. Por jo secilit i buzëqesh fati me zhvendosjen në Kosovë. 

Miftar Hajdinaj 43 vjeç nga Padeshi i Tropojës jeton prej 13 vitesh në Deçan me bashkëshorten dhe të katër fëmijët e tij. Dikur pronar i dy shtëpive me rreth 6 hektarë tokë vetëm qindra metra larg brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, ndërsa sot ai jeton në një barakë të drunjtë në një qendër kolektive, në pritje të një premtimi të parealizuar. Miftar Hajdinaj i mbetet baraka e drunjtë. 

Ky ndryshim në jetën e Miftar Hajdinaj nuk ndodhi rastësisht. Ai mori pjesë në fundin e viteve 90-të në luftën e Kosovës:

 “Po vallahi! Kemi hy n´luftë veç për hir të kombit se na ka dhimbtë zemra. Unë për vete i kam lanë gruan me tri fëmijë n´familje t´vet dhe ua kam leshu Sali Çekut e Agim Ramadanit dy shpiat, njërën për shtab tjetrën për spital në Padesh. Të gjithë e dinë se krejt n´fillim e kanë pas bazën te shpia jeme, se e kam pronën njëqind metra prej kufirit pranë Koshares. N´luftë të Koshares asht thy kufiri deri të shpia jeme edhe asht granatu e ba rrafsh me tokë. Janë granatu edhe të tjera e atëherë asht largu popullata. E atyre n´krye të shtetit të Kosovës ua kisha kujtu se na kanë lanë anash e s´janë marr ma e neve hiç, edhepse edhe na kemi qënë pjesë e asaj lufte e lirie”, flet z.Hajdinaj, duke parë me nostalgji kah bjeshka matanë së cilës gjendet vatra e tij e rrënuar. 

Edhe pse në betejën e thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri Miftar Hajdinajt iu rrënua jeta e ndërtuar deri atëherë, ai përmend me krenari dy plagët nga kjo betejë, edhe pse as për to nuk i gëzon shpërblimet si invalid i luftës. 

Liria e Kosovës, atij nuk i dha gjë tjetër veç një barake të drunjtë, e cila është larg cdo përfytyrimi të dikurshëm jete në Kosovën e lirë.
"Jetoj kurrqysh hiç! Me një social 80 euro. Pa punë, pa shpi, pa kurrgja. Punoj kah tm´muj punë krahu, n´mal e n´fushë. Kam luftu, jam invalid, kam humb gjithçka për këtë liri, e çështjen e banimit nuk e kam të zgjidhur e as të shtetësisë”, thotë z.Hajdinaj.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, citon DË, që nga viti 2005, kur Republika e Kosovës filloi me lëshimin e lejeqëndrimit për shtetasit e huaj, janë lëshuar 1,075 leje qëndrimi për qytetarët e Shqipërisë, 218 prej të cilave vetëm vitin e kaluar. 
Këta qytetarë kanë të drejtë të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pas 5 vitesh, përderisa familjarët pas 3 vitesh. Por, megjithëse ka aplikuar tash tri vjet, z. Hajdinajt as këtu nuk i eci mbarë. 

“Jam nënshtetas i Shqipërisë. Kam apliku për dyshtetësi, sa e nxjerr një më thonë nxjerr edhe një tjetër. Nuk di çka kah bahet, veç shpresa. E meritoj, jo vetëm unë po shumë të mi që jemi këtu, kemi luftu e edhe janë vra, e jetimat ua kanë lanë rrugëve. Veç ndoshta bahet ma mirë”. 

Në një lagje rrëzë bjeshkëve që ndajnë Kosovën me Shqipërinë në perëndim të Deçanit, nuk i gëzohen as beharit për shkak të insekteve, brejtësve dhe zvarranikëve. Por edhe Zyhra Regjaj, shtetase e Shqipërisë i duron këto kushte mizerje me shpresën për zgjidhjen e problemit të banimit.

 “Po rrnojmë për faqe t´zezë... Vallahi, na mbytën minjtë brenda.Tetana ato tesha të faluna na i kanë ba krejt copa. Jam vet e katërt. Djalin e kam t´operum puna e luftës n´këmbë. Por, s´merr asgja. As ndihmë sociale as send hiç!” 

Qendra për Mirëqënie Sociale në Deçan, aktualisht jep asistencë sociale për 9 familje me 57 anëtarë. Kushti parësor: banor i Kosovës, thotë Sadik Tolaj, udhëheqës i skemës së ndihmës sociale brënda kësaj qëndre: 

“Për momentin marrin nëntë familje me 57 anëtarë. Ata marrin njësoj si shtetasit e Kosovës. Kategoria e pare është kryefamiljari. Kategoria e dytë janë dy prindërit e papunë dhe anëtarë të tjerë janë në shkollim. Këto janë dy kategori, në bazë të anëtarëve të familjes. Është prej 40 deri në 80 euro. Dmth për një anëtar 40 euro deri në 80, por maksimalja 80 euro”. 

Megjithëse as në Kosovë integrimi nuk është i lehtë, shumica prej shtetasve të Shqipërisë tashmë janë pozicionuar nëpër institucione të Kosovës dhe misione ndërkombëtare, varësisht nga përgatitja profesionale. Meqënëse ekonomia e pazhvilluar në Kosovë nuk ofron mundësi punësimi as për shtetasit e Kosovës, vështirësitë për banorët e këtyre viseve vazhdojnë. 

Edhe pse nuk ka shifra të sakta të të zhvendosurve nga viset veriore, Ambasada e Shqipërise po bën përpjekje të vazhdueshme për t´ua lehtësuar jetën shtetasve të saj brenda Kosovës, thekson Andi Xhoi, këshilltar në këtë ambasadë. 

“Infrastruktura rrugore në ato zona në pjesën më të madhe është rregulluar. Në mes të qeverive tona ka një marrëveshje për qarkullim të lirë në zonat kufitare, që lejon qarkullimin deri në 20 kilometra përtej vijës kufitare me një dokument të thjeshtë. 
Qeveria ka marrë vendim për hapjen e disa pikave kufitare Kosovë-Shqipëri dhe konkretisht është në proces një në Qafëgjonaj dhe një në Padesh, ndërsa në një të ardhme të afërt do të hapen edhe në Borje, Zapod dhe Dobrunë”, thotë z. Xhoi, sipas të cilit hapa konkret janë bërë edhe në arsim dhe në shëndetësi. 

Sa i përket shkollimit, Universiteti i Prishtinës, gjegjsisht ai i Gjakovës dhe ai i Pejës çdo vit akordojnë bursa studimi për studentët e këtyre zonave kufitare, ku mbi 50 studentë për çdo vit studiojnë në degë të ndryshme. Në fushën e shëndetësisë, spitalet e Deçanit dhe Gjakovës kanë pasur dyert e hapura për pacientet e këtyre zonave kufitare si dhe ka mjek nga Gjakova që shkojnë e kryejnë vizita në këto zona”. 

Megjithatë problem jetik për këta qytetarë të ngelur pezull mes dy republikave mbetet ndërtimi i shtëpive dhe krijimi i kushteve për kthim. Me këtë edhe përgjegjësia e të dyja qeverive që t'u mundësojë banorëve kthimin në pronat e veta. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore

Sekretari Blinken kritikon Kinën gjatë takimit të Azisë Juglindore