‘Gjatë bisedimeve, Jakomoni i parashtroi Mbretit, kërkesën e Musolinit që të pranoheshin tre divizione italiane në Shqipëri, por Zogu i tha…’/ Kujtimet e një koloneli

‘Gjatë bisedimeve, Jakomoni i parashtroi Mbretit, kërkesën e Musolinit që të pranoheshin tre divizione italiane në Shqipëri, por Zogu i tha…’/ Kujtimet e një koloneli

Mbreti Zog dhe Benito Mussolini

Memorie.al / Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonëshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.

TIRANË, MË 30 MARS 1939

Kryeqyteti natë e ditë në alarm. Tani edhe ku kanë shpërthyer demonstratat e popullit burra e gra, sillen rreth e qark Pallatit Mbretëror, e nder legatat e Shteteve të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Turqisë, Greqisë, etj. Duke thirrur kundër kërcënimeve të Italisë fashiste, e duke kërkuar ndihmën e Shteteve demokrate dhe duke kënduar Himnin Mbretëror e të Flamurit, e të tjera Kombëtare, dhe duke thirrur: “Rroftë Mbreti Ynë i dashur, mbrojtësi i Shqipërisë”, “Jemi të gjithë gati, burra e gra, me vdek për Atdhe e Mbret”. Një thirrje aq e mallëngjyeshme ka mbuluar gjithë kryeqytetin.

Mbreti Zog, tepër i mallëngjyer, nga thirrjet e dhimbjes të popullit, në orën 10.00 të mbrëmjes, doli vetë para popullit e djelmërisë: “Motra e Vëllezër të mi, kuptoj ndjenjat tuaja patriotike, pra ju që mos ta humbisni kurajon dhe për çdo rast të keni parasysh mbrojtjen e Atdheut, duke mos kursyer asgjë kundrejt cënimeve të lirisë e sovranitetit shqiptar. Unë do të bëj çfarë është e mundur, për të evituar këtë errësirë që thuret me rrugën diplomatike, por sidoqoftë, ju siguroj që me çdo sakrifice, bashkë me ju, do ta mbrojmë Atdheun tone. Dhe shqiptarëve nuk do t’u vihet njollë nga askush: Rroftë Shqipëria”.

Kur populli dëgjoi këto fjalë, te Prijësit të vet, u lëshua duke thirrur e duke u betuar se, që kjo orë nuk mundet të përshkruhet. Nuk mbeti njeri pa u dridhur, nga një atmosferë, që ngulmonte prej shpirtit të pastër të popullit trim, që nuk i dhimbsej asgjë, për Atdhe e për Mbretin e tyre të dashur.

Mbreti, sapo hyri brenda, urdhëroi kolonel Husein Selmanin, që t’i thoshte Ministrit të Brendshëm, që mos të merrej asnjë masë kundër popullit e djalërisë. Por, të merren masa shumë të forta për sigurimin e italianëve në kryeqytet. Po ashtu, duke urdhëruar të gjithë prefektët me telefon, që të marrin masa për sigurimin e italianëve, që asnjë gjë mos të ndodhë kundër tyre. Qoftë për ata që ndodhen në Shqipëri me shërbime, e sidomos atyre të Kuçovës, e në Sukth. Dhe, menjëherë te marrin për përgjigje në telefon.

Pas kësaj, Mbreti urdhëroi adjutantin e tij, Selmani, që të thërrasë z. Mehdi Frashëri, bashkë me Kasem Radovickën dhe Abedin Neprevishtën. Ata menjëherë, erdhën në ora 12.30 të natës. Sa u futën brenda tek Mbreti, Mehdi Frashëri u shpreh: “Madhëri, fjala e Madhërisë Suaj, i tërboi popullin më tepër se ishin, dhe fjalën e Madhërisë Suaj, po e këndojnë si një dekret, për ata e gjithë shqiptarët e ndershëm”.

Mbreti Zog, ju përgjigj fjalëve të Mehdi Frashërit, kështu: “E marr vesh dhe e vërtete se ato që ju thashë, janë një dekret i pathyeshëm dhe i pandryshueshëm. Pra, ju, Mehdi Bej, qysh sot, ju ngarkoj të jeni kryetar e organizator i Rinisë Shqiptare, për kundër cilitdo qoftë, që vjen për të cënuar independencën e ndershmërinë e Shqipërisë. Vetëm se, lipset urtësi, se ju e dini që, nuk duam që të shkaktohemi për të prishur marrëdhëniet miqësore e cënimet e aleancës, në asnjë mënyrë. Kjo nuk duhet që të vijë prej nesh, se ne gjithnjë përpiqemi, të sheshojmë punët, po kjo nuk na pengon, në përgatitjen tonë”.

Me këto fjalë, Mehdi Frashëri me shokë, dolën dhe ju prinë Djelmërisë, duke thirrur pa dëm, e duke kënduar, demonstratat vazhdonin.

TIRANË, MË 31 MARS 1939

Ministri Fuqiplotë i akredituar pranë Oborrit Mbretëror Shqiptar, Jakomani, u kthye nga Roma, dhe menjëherë kërkoi një audiencë për t’u paraqitur tek Mbreti Zog. Ai u pranua dhe në orën 10.00 paradite, të po kësaj date, i parashtroi miqësinë e sinqertë e të falat e Musolinit. Ai garantoi dhe ka dhënë fjalët e Musolinit, me këto:

“Duçe-ja, është shumë i tronditur për keqkuptimet që u shkaktuan në mes të dy shteteve miq e aleatë, për asgjë”, tha Jakomani dhe pastaj shtoi: “Jam i ngarkuar, t’ju siguroj Madhërinë Tuaj, se Duçe-ja, ka për të qenë deri në fund, besnik i traktatit të aleancës e i miqësisë qe kemi me Shqipërinë, dhe është mik i patundur, për të mirën e Shqipërisë dhe të Madhërisë Suaj, të rrini krejt të qetë se, këto propaganda zhvillohen më tepër nga armiqtë, që nuk duan miqësinë italo-shqiptare, si gjithmonë”.

Pasi mbaroi të gjitha këto garanci e premtime miqësie, Ministri Jakomani, i skuqur në fytyrë, i parashtroi këto fjalë:

“Madhëri, Duçe-ja, nuk ka menduar kurrë për një cënim kundër Shqipërisë, as kundër Madhërisë Suaj, sa mbi propozimin që ju ka bërë, heq dorë. Vetëm, të pranoni dy divizione ushtarësh këmbësorie, e një divizion të motorizuar, në tokën shqiptare, kur të dëshironi Madhëria Juaj. Të cilat, do të ishin krejtësisht nën Komandën e Madhërisë Suaj. Këto, do të ishin vetëm e vetëm për të mirën e Shqipërisë.

E, në është se i pranoni Madhëria Juaj, këto kondita, krejtësisht nën komandën Tuaj, edhe kur të dëshironi për të vendosur, të gjitha shpenzimet janë të Italisë, për sa u përket këtyre divizioneve. Dhe janë për Madhërinë Tuaj, bashkë me armatën shqiptare, që t’i keni si forcim. Se siç po e shihni edhe vetë Madhëri, se e gjithë situata e botës është e ndërlikuar, e për këtë qëllim, është e nevojshme që Shqipëria, bashkë me armatën e saj, të ketë edhe një korparmatë italiane si forcim, nën Komandën e Madhërisë Suaj

Në rast se, keni për të pranuar këtë dëshirë të Duçes, ju dhuron e ju garanton me traktate, e ju siguron zyrtarisht: Dinastinë, Shqipërinë të madhe, pasuri të mëdhaja, për Mbretin e të tjera, një pallat në Romë”. Këto ishin propozimet që Jakomani i parashtroi Mbretit Zog i I-rë, me 31 Mars 1939.

Mbreti Zog i I-rë, kundër këtyre propozimeve dhe fjalëve, ju përgjigj prerë Ministrit Jakomoni, me këto fjalë: “I kuptova të gjitha Zotni Ministër, sa mbi sigurimin për Shqipërinë si edhe për simpatinë e miqësinë që Duçe-ja më ka dërguar me anën tuaj, kundrejt meje e të Shqipërisë, i faleminderit.

Zoti Ministër, – i tha Mbreti, – i thoni bashkë me të falat e mia të sinqerta, Ekselencës së tij Musolinit, ju siguroj me çdo kusht se, as mua, as qeverisë sime, nuk i bëjnë aspak përshtypje propagandat e huaja, por kemi për të respektuar deri në fund, traktatin e aleancës dhe miqësisë qe kemi me Italinë. Zoti Ministër, i thuaj Duçes, kam besim në fjalët e një burri të madh si ju, edhe prej meje, e prej qeverisë sime, kurrë nuk ka për t’i ardhur tradhti Italisë, por, do t’i vazhdojmë me plot sinqeritet, siç na imponojnë zakonet shekullore të Shqipërisë, në mes të dy popujve miq.

Pra, Zoti Ministër, – i tha Jakomonit, – në qoftë se kjo dashuri e miqësi që po na tregoni prej Duçes, në qoftë se e ka me gjithë zemër tek ne, ka fituar një simpati e admirim të pa çmuar. Vetëm një gjë duhet të dihet – Zoti Jakomoni -, se çdo propozim ose bisedim edhe qoftë, që cënon independencën sovrane të Shqipërisë, është i papranueshëm, çdo përpjekje është e kotë. Ne, prej një nacionalisti e burri të madh, Duçes, gjithmonë presim përkrahje e të mira.

Por, – siç thotë Ekselenca e tij, Musolini, – ajo është në rast të ndonjë lufte botërore, ose Europiane. Atëhere, në bazë të traktatit e aleancës që kemi, rreth interesave reciproke, kemi për të biseduar me plot besnikëri, por jo, sot që nuk ekziston asnjë re e zezë në qiell.

Sa për simpatinë personale që, Duçja ushqen për mua, duke më dhuruar gjëra të çmueshme, i faleminderit shumë. Vetëm, – thuaj Duçes, se këto dhurata, janë shumë të mëdhaja për mua, sepse unë, jam mësuar me më pak pasuri, e më pëlqen të jetoj në një shtëpi të vogël, aq sa bën pesha e kombit tim. Por dëfrimi, pasuria, e shija, me e madhja që është për mua, është t’i shërbej Atdheut tim, e të mbroj të drejtat e tij, kundër cilitdo qoftë, që i sillet për t’i cënuar pavarësinë e ndershmërinë e tij.

Ju lutem zoti Ministër, i thoni Duçes se, si një burrë shteti i madh që jeni, unë dhe i gjithë populli i vogël shqiptar, prêt prej jush, miqësinë e sinqertë dhe përkrahjen tuaj të madhe, e të gjithë popullit të madh Italian, duke i zhdukur këto shkëndija të hidhëta, që u shkaktuan në mes të dy popujve miq, e të kthehemi në gëzime e bë besim, e cila është në dorën tuaj i thuaj Duçes”.

Këto ishin fjalët e Mbretit Zog, që ju përgjigj propozimit të Duçes, nëpërmjet Ministrit të Italisë, Jakomonit. Por sa doli Jakomoni, hyri Këshilli Ministror, dhe Mbreti ja tha tekstualisht këto fjalë, që përmendëm më lart. Ashtu si edhe përkthyesit, që ka qenë Ministri i Punëve të Jashtme Shqiptar, Ekrem Libohova. Po vetë Mbreti, e kuptonte fare mirë italishten. Mbreti, urdhëroi kryeministrin Kota, që të gjitha këto bisedime, t’i marrë qeveria, si edhe t’i jepen Parlamentit, që t’i mbajë me të tjerat.

Këto nuk ishin tjetër, përveçse manovra trashanike që nuk hahen prej askujt, por edhe Musolini tashmë, e pa edhe vetë se, të gjitha mjetet i përdori, por pa dobi. E tani, nuk i mbeti tjetër, përveçse të përdorte forcën ushtarake. Por, nuk i ka aspak hije, fjalët premtimet e kota, me gënjeshtrat e përditshme.

Këshilli Ministror, nën Kryesinë e Mbretit, vazhdoi mbi të gjitha sa i përket gjendjes shumë të rëndë, që u rikrijua tashmë nga manifestimet e popullit, kundër Italisë. E kjo, nuk është edhe në dobi, me sa gjendja është e kritikueshme, se kjo ashpërson dhe me një fjalë, shkëput të gjitha marrëdhëniet me Italinë. Dhe, për t’i ndaluar, nuk është e lehtë se, nuk kemi një shpresë se merremi vesh me Italinë fashiste. Po ashtu, përsa i përket fjalës së Musolinit, nuk i besohet më.

Nga ministrat e shteteve të mëdhaja, asnjë gjë nuk po lëvizte, as që ka shpresë. Vetëm se këshillojnë që, shqiptarët të rrinë urtë, që mos të shkaktojmë ndonjë protestë nga Italia, se atë presin, e kjo e demonstratave kundër Italisë, mundet që Italia të protestojë, megjithëse populli gjithandej është i lirë, por jo të atakojë.

Në Këshillin Ministror, një pjesë e ministrave, ishin të mendimit që, në çdo mënyrë demonstratat t’i ndalojmë, se kjo ka për të shkaktuar, jo vetëm ashpërsimin me Italinë, por edhe një protestë e rëndë, sa për të imponuar të kërkojmë falje, se populli edhe po shanë me fjalë fyese, italianët e marrin si një armë në dorë. Dhe, jo, se është një dobi, se Italia është ajo vetë shkaktarë, po vetëm se mund të zejë shkak

Mbretin, e pashë shumë të mërzitur dhe të lodhur, thotë koloneli Hyseni. Ai më tha, jam duke pushuar pak, e vërtetë që kishte një javë, që as gjumin e as të ngrenin, nuk e kishte bërë në rregull, po pas një ore, më thirri Kryeministri Kotta, e më tha, të shkoj në Komandën Kombëtare. Kjo, për të parë se, a kanë përfunduar të gjitha rendimet sipas planit që na paraqitën dhe të shikoja pak, edhe moralin e oficerëve të Shtabit Komandës. Vetëm se, në Komandë, konstatova një mos kënaqësi në mes Komandantit, Gjeneral Xhemal Aranitasi e, Ministrit të Brendshëm, Musa Jukës, për shumë sende.

Kur po kthehesha nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, për në Pallat, aty gjeta Ministrin e Punëve të Brendshme, Musa Jukën. Ai m’u afrua e më tha: “Husen Beg, kam shumë sende me rëndësi për t’ju parashtruar Mbretit, po dëshiroja t’jua thoja juve. Ne po i japim vetë shkak ashpërsimit me Italinë, se nuk bëhet kështu siç po bëjmë ne, se ju siguroj me fakte, se prej këtyre demonstratave që thërrasim natë e ditë nëpër rrugët e legatat e huaja, që tash e tri ditë, mos e konsideroni për nacionalizëm, por më tepër për të provokuar keqësimet e ashpërsimet me Italinë, se unë i njoh fare mire, pjesën më të madhe të tyre. E bile, kemi fakte se, janë të shtyrë nga agjentët italianë, por duhet t’i ndalojmë”.

Më shtoi, Ministri Musa Juka; doni t’ju them edhe një gjë tjetër: “Më kanë ardhur italianët në zyrë, Hysen Bej, e më kanë thënë se, gjithë urdhrat që Mbreti ju ka dhënë Ushtrisë e Xhandarmërisë, që tani e një javë më parë, i dimë të gjitha, si edhe për rendimin e mobilizimit dhe forcave, si edhe për ata të Xhandarmërisë. Këto lajme, dualën nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, unë kam fakte se, pjesa më e madhe e Komandës, janë të lidhur me italianët, se unë do t’ia parashtroj Mbretit, por dua që, t’i bisedojmë më parë bashkë, e mos besoni në Ushtrinë e sotme”.

Si mbaroi Ministri Musa Juka, unë duke qeshur i thashë: “Po ta paskan mbushur mendjen edhe ty italianët Zoti Ministër?! Por, megjithatë, i thashë; mire, ja parashtroni Mbretit, sa ra Mbreti poshtë në Biroin e vet. I thashë se; është Musa Juka. Mbreti, më urdhëroi ta fusja brenda. “Dhe ti, – më tha – shko pak në Komandën e Xhandarmërisë, e shiko mos kanë ndonjë nevojë për transportimin e batalioneve, në vendet e caktuara e, në rast se komandanti i Xhandarmërisë, dëshiron kamionë, i thuaj Komandës Mbrojtjes Kombëtare”. Ndërsa, ministrin e futa tek Mbreti, unë menjëherë, shkova ne Komanden e Xhandarmërisë.

Kur u ktheva në Pallat, më thirri Mbreti. E pashë shumë të mërzitur. Ai më tha: “Më thirrni Kottën, sepse nuk më pëlqyen fjalët që më tha Ministri Musa Juka. Dhe kur të vijë kryeministri Kotta, të jeni edhe ju këtu, që do të bisedojmë për sa më tha Musai”. “Është mjaft me rëndësi”, qesha unë pak. Kur Mbreti, menjëherë m’u përgjigj: “Pse qesh, apo ju ka thënë Musai”. Po, më tha, është tepër i mërzitur nga demonstratat, si edhe kanë një konflikt me Komandantin e Mbrojtjes Kombëtare. Mbretit, kjo i bëri përshtypje dhe më tha; kur të vijë Kryeministri, i bisedojmë te gjitha, se ka sende serioze, e Musai, në disa sende ka të drejtë.

Në orën 02.00 pas dite, erdhi Kryeministri Kota. Mbreti, ishte lart duke biseduar me kryeministrin, e i thashë se ishte Musa Juka këtu. Po nuk di se çfarë patën me ne, këto fjalë. Mbreti erdhi poshtë. Pasi u përshëndet me Kryeministrin, më urdhëroi: “Më porosit tre kafe, – dhe shtoi: rrini Kolonel”. Ishte mjaft i mërzitur, kur foli: “Sot, kisha Ministrin e Brendshëm, Musa Jukën, i cili më vuri në dijeni, mbi disa gjëra jo të mira dhe kanë një rëndësi të veçantë. Por, duhen studiuar mirë e pa alarm, se deri ku është e vërteta, në disa më është mbushur mendja, se janë të vërteta, pra po ua them.

E para, më tha që; duhet të ndalojmë demonstratat se, këto janë të shtyrë prej agjentëve italianë, për me zënë shkak që të shajnë e të fyejnë Italinë e, të bëjnë të madhe çështjen, se Italia, të protestojë rëndë. Dhe një pjesë e madhe ndër këto demonstratorë, janë agjentë italianë. Ai vetë, i njihte mirë edhe ai që tha”. Pastaj shtoi: “I paskan shkuar italianët në zyrë dhe i kanë treguar të gjitha sa kemi biseduar, mbi përgatitjet ushtarake dhe të gjitha urdhrat e dhëna, prej 6 javësh përpara: si Ushtrisë, ashtu edhe Xhandarmërisë. Këto lajme, kanë dalë nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare dhe se shumë oficerë, janë në lidhje me italianët dhe asnjë veprim deri tani, nuk është bërë prej Ushtrisë, as prej Xhandarmërisë.

Kanë patur një bisedim, ku i kanë shkuar në shtëpi Fejzi Alizoti, Hiqmet Delvina, Javer Rushiti, Fiqiri Rusi, Abdurrahman Dibra, Sali Vuçiterna, e sa të tjerë. Ku të gjithë janë të mendimit, që, duhet ta zbusim me Italinë se, nuk besojnë që Italia Musoliniane, të bëjë një veprim të turpshëm, për të sulmuar aleaten e vet të vogël, sot në këtë atmosferë. Me një fjalë, nuk janë te mendimit, të prishemi me Italinë, se çdo veprim i yni, është i pazbatueshëm me sa shohim, dhe përsa u përket italianëve, është e vërtetë me tha Musai, se i kanë shkuar në zyrë dhe ja kanë thënë të gjitha.

Edhe një gjë tjetër. Po kjo nuk ka rëndësi, – më tha Mbreti – në asnjë mënyrë, nuk duhet t’i lemë të vazhdojnë demonstratat dhe mos të armatosen djelmëria, siç ju keni urdhëruar, se mund të na nxjerrin një bela, sa nuk mundemi ta mbulojmë, as që të sigurojmë qetësinë e vendit.

“Po kjo është e kotë se, – i thashë,- në asnjë mënyrë, nuk lejoj që të merren masa kundër popullit në demonstrata dhe asnjë cënim më të vogël, nuk do të bëhet kundër rinisë, që është plot zjarr e patriotizëm për Atdhe, se ata do të vdesin dhe ata do ta gëzojnë kombin, asnjë cënim kundër tyre”.

“Pra, duhet të bisedoni edhe një herë me Ministrin e Brendshëm Musa Jukën, por në urtësi dhe sqarojini mirë këtë gjendje, se si është e vërteta, se nuk na interesojnë ata që gjoja demonstratat, zemërojnë Italinë, por ajo që italianët e kanë marrë vesh, mbi sa kemi urdhëruar për përgatitjet ushtarake, kjo nuk më pëlqen aspak, se kjo mund të jetë e vërtetë, se akoma italianët, janë ndër seksionet e Komandës së Mbrojtjes Kombëtare, si edhe ndër grupet. Kjo s’ka dyshim që, të jetë marrë vesh. Por kësaj nuk kemi çfarë t’i bëjmë.

Ajo që më mërzit më tepër, është kjo: Që asnjë përgatitje nuk është bërë nga Komanda e Mbrojtjes Kombëtare dhe se një pjesë e madhe e oficerëve, janë në lidhje me italianët. Këta, si Musai nga ana vet, që ka hetuar, si edhe i kanë thënë. Ju, ta bisedoni mirë dhe të sqarohet se, kush janë ata oficerë e ku është qëllimi që Musai, është në lidhje të ngushtë përditë me prefektët dhe ata i kanë thënë se, nuk kemi patur deri tani asnjë kërkesë ndihme, nga komandat ushtarake dhe as që vërtetohet ndonjë lëvizje”.

Pas urdhrit të Mbretit, Kryeministri Kota, e Ministri i Brendshëm Musa Juka, dhe adjutant Kolonel Hysen Selmani, u mblodhën në Kryeministri, ku po këto fjalë, i vërtetoi Musa Juka. Ky madje, shtoi se: “Për sa i përket një veprimtarie nga Ushtria, hiqeni atë mendje. Këtë ja thashë edhe Mbretit. Jo vetëm nga thëniet e italianëve, por edhe nga lajmet që kam nga prefektët, që për çdo ditë, janë në kontakt telefonik me ta, asnjë lëvizje, nuk është bërë askund, përveç atyre fuqive të plotësuara, në Durrës.

Komandantët e Grupeve, si ai i Shkodrës, po ashtu dhe ai i Elbasanit, asnjë shenjë nuk shihet prej tyre. Ata, as që janë ndërlidhur me prefektët, sipas porosive të Mbretit, që t’ju vijnë në ndihmë, për ndonjë nevojë. “E pra këta ushtarë, nuk janë miza, që të mos duken asgjëkund. E kjo nuk ndodh as në Vlorë, me përjashtim të kapiten, Dodë Nikollës, me një kompani të Rojës së Kufirit, në Pasha Liman dhe Komanda e Qarkut të Xhandarmërisë, me 50 xhandarë në shërbimin e saj”.

Kryeministri Kotta, i tha: “Sipas informatave që keni nga burimet tuaja, me anë të prefektëve dhe të Policisë po ashtu dhe të Xhandarmërisë, dhe nga të tjerë, si ju rezulton në përgjithësi, gjendja e brendshme?! Meqë ju jeni i ngarkuar i sigurimit e i qetësisë së brendshme, e nga këto kuptohet edhe intriga që ju pëlqen të turbullojë ujët, në këto kohëra”.

Ministri i Brendshëm, Musa Juka, ju përgjigj “Unë siç ja parashtrova Mbretit, e bile jo të gjitha, se e pashë që u mërzit, po ju them atë që është dhe për këtë, kemi fakte se italianët, kanë punuar këtu dhe këto demonstrata, janë të shtyra nga agjentët e tyre

Që këta të bëhen kështu dhe të ketë se ku të gjejë shkak. Unë, nuk kisha për t’i lënë asnjë minutë, do t’i shpërndaja, e ata agjentë, kisha për t’i burgosur dhe të gjithë të dilnin në shesh. Por më erdhi kolonel Hysen Selmani, e më tha: “Urdhri i Mbretit është, që asnjë masë të mos merret kundër demonstruesve. Vetëm më thatë që, të merren masa për sigurimin e italianëve, siç po e shihni”. Memorie.al

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 18/04/2023 12:25

    DAVA mbret HAJDUT QE E SHITI DHE E VODHI VENDIN E TIJ

    Përgjigju
  • epo kjo pune: 18/04/2023 11:13

    mos na hapni barkun me kujtime te lepepeqeve te Zogut, mjerisht eshte fakt qe ia mbathi sa kerciti dyfeku... sa per divizionet ndoshta presioni jugosllav se helbete me ta u rikthye ne pushtet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion