TIRANË- Në orët e mbrëmjes së të mërkurës, ka pasur një shtim të rasteve të qytetarëve të helmuar nga uji në Krujë dhe kjo është parë me shqetësim ambientalisti, Lavdosh Ferruni, i cili ngriti alarmin se mund të bëhet fjalë për rikontaminim.  Gazetari Aulon Kalaja tha se nga ora 14:00 deri në mbrëmje ka pasur mbi 80 raste të reja në spitale, e ndërsa opinionisti Arben Meçe është shprehur se ky rast në Krujë duhet të ngrinte pushtetin lokal në këmbë, por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur.

Të gjitha këto, u tha sot në mbrëmje në emisionin 'Repolitix' në Report Tv të gazetarit Denis Minga, me temë "Kush e helmoi Krujën"?

"Ka një shtim të numrit të rasteve, ka disa persona të shtruar. Numri i personave që i janë drejtuar spitalit të Krujës e ka kaluar 600 persona", ka thënë gazetari i Report Tv, Julian Shota.

" Nga ora 14:00 deri në mbrëmje ka pasur mbi 80 raste të reja në spitale", tha gazetari Aulon Kalaja.

"Zierja e ujit është më minimalja, shtimi i rasteve kemi rikontaminim, ndoshta një kategori njerëzish e shfaqin më vonë", tha ambientalisti, Lavdosh Ferruni.

Meçe tha se shpërndarja e ujit me autobotet e zjarrfikësve, siç është parë mesditën e sotme, janë çnjerëzore. 

"As kafshëve nuk u jepet uji kështu, është jo njerëzore, e gjithë struktura e bashkisë së Krujës, me shishe dhe duhet të shpërndante ujë. Pushteti lokal dhe qendror duhet të ishte në këmbë, poshtëruese që të furnizosh një qytet me ujë për depo të zjarrfikëset, e shëmtuar që në këto ditë jemi në këtë shekull dhe shpërndajë ujin as në Afrikë", tha analisti Arben Meçe.

1635367538_Screenshot2.png

Uji që është shpërndarë sot për krutanët nga zjarrfikëset

Ai ka parashtruar një sërë hapash që duhet të ishin ndjekur nga pushteti lokal për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të kësaj situatë.

"Nuk po shoh fare pushtet lokal, gjithë qytetarët duhet t'i kenë veshët dhe sytë te kryetari i Bashkisë, urdhri duhet të jepte hapni rubintat dhe shkarkojeni gjithë depozitën dhe t'u thonin që këto ujë nuk do të faturohen, t'u bëhet një kontroll të gjithë sipërmarrjeve ushqimore, pushteti lokal kur kërkon taksa shkon çdo derë dhe tani nuk është, nuk po duket, shqetësimi nuk është më lokal, por ka kërkuar masat lokale, kryeministri duhet të marrë mesazhin që strukturat e veta të Mbrojtjes Civile t'i çojë në Krujë", tha ai.

Lajmi i vetëm i mirë në këtë situatë është se kompanitë private kanë shpërndarë mbi 100 ton ujë me shishe falas për qytetarët. Ky ishte një premtim i dhënë për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta të prefektit të Durrësit se do shpërndahej ujë me koli falas, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Do merren masa nga pushteti lokal që të gjithë banorët do të marrin ujë të pijshëm, do shpërndajmë me autobot dhe koli për ujë të pijshëm", tha ai një ditë më parë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

"Uji i shpërndarë në autobote, nuk shërben për të pirë, firmat private kanë dërguar mbi 100 ton ujë të paketuar, dhe shpërndarja e këtyre shisheve, po u dërgohet në familjet e invalidëve dhe atyre me kushte të vështira ekonomike", bëri me dije gazetari Jul Shota.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka bërë me dije se prania e bakterit "Esheria Koli"dhe "Streptokoku" është gjetur në 2 vendburime në Sakrac dhe Livadh, e ndërsa rezervuari numër 2 dhe 3 kanë rezultuar ta pastra. Kjo mund të jetë një shpjegim, pse nuk ka pasur një helmim në përmasa më të mëdha të Krujës, por në disa lagje të caktuara.

"Në dy vatra vend burim (Sakarac) prania e Esheria Koli niveli 210, Streptokoku 11! Në burimin e Livadhir, bakteret në të njëtat nivele si në Sakarac. Ndërsa në rezervuarin numër 3 Esheria Koli në nivelin 1 dhe Streptokoku në nivelin 1, ndërsa në rezervuarin 2 ka rezultuar i pastër", ka bërë me dije gazetari.

Kjo situatë ka vijuar nga mëngjesi i së dielës e deri në mbrëmjen e kësaj të mërkure, ku numri i të helmuarve ka shkuar mbi 600. Nga analizat e Institutit të Shëndetit Publik, rezultoi se uji ka ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal.