‘Gjatë përcjelljes së Hrushovit në Rinas, Enveri bëri një gjest të pahijshëm…’/ Rrëfimi i rrallë i ish-përkthyesit të Enver Hoxhës

‘Gjatë përcjelljes së Hrushovit në Rinas, Enveri bëri një gjest të pahijshëm…’/ Rrëfimi i rrallë i ish-përkthyesit të Enver Hoxhës

Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov

Memorie.al / Në majin e vitit 1959, një telegram urgjent nga Tirana, e njoftonte se duhej të kthehej urgjent në Shqipëri. Agim Popa, studenti i filozofisë, e kuptoi se diçka e madhe kishte ndodhur, por rëndësinë e vërtetë të atij telegrami, do ta kuptonte vetëm me mbërritjen në kryeqytet. Në Komitetin Qendror të PPSh-së do t’i komunikonin me pompozitetin e duhur se, i ishte ngarkuar me detyrën e përkthyesit kryesor gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Në këtë intervistë, z. Popa, midis të tjerash, dëshmon për herë të parë edhe se, cilat ishin deklaratat dhe ronitë e Hrushovit, pas kuintave, me udhëheqësit e lartë të atëhershëm të Shqipërisë komuniste, gjatë vizitës dy javore që ai bëri në Shqipëri, duke vizituar Shkodrën, Korçën, Vlorën, Butrintin etj., situatën e acaruar gjatë Mbledhjes së 81 Partive Punëtore Komuniste në Moskë, ku Hrushovi dhe mbështetësit e tij, si kryetarja e Partisë Komuniste të Spanjës, Dolorez Ibarruri (“Pasionarja”) dhe Vlodislav Gomulka i Polonisë, shpërthyen në sharje dhe akuza gjatë fjalimit të Enverit, kujdesi dhe frika në ambientet e ambasadës nga përgjuesit, e deri tek udhëtimi me vaporin “Quin Elisabet” për në New York, ku do zhvillohej mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku delegacionin shqiptar, e kryesonte kryeministri,Mehmet Shehu me Nesti Nasen dhe në bordin e atij trans-oqeaniku, udhëtonin edhe Josif Broz Tito me të birin e Uinston Çërçillit, Randolfin, i cili kërkoi të takohej me Mehmet Shehun!

Zoti Agim, ju njiheni si njeriu që keni përkthyer personalitetet më të larta të shtetit të asaj kohe, madje edhe personalitete të rangut ndërkombëtar, siç ka qenë në vitet ’60-të, Nikita Hrushovi. Ju ishit caktuar organikisht në këtë detyrë?

Unë nuk kam qenë me detyrën e përkthyesit si profesion. As nuk ka pasur ndonjëherë një funksion të tillë, si përkthyes i Enver Hoxhës. Kur ishte nevoja për të përkthyer, aktivizoheshin njerëz që e njihnin relativisht mirë gjuhën përkatëse, pavarësisht nga vendi i tyre i punës.

Thatë se keni përkthyer Nikita Hrushovin gjatë vizitës së tij të bujshme që ka bërë në ato vite në Shqipëri?! Si jua ngarkuan konkretisht një detyrë të tillë?

Ka qenë maji i vitit 1959, kur udhëheqësi sovjetik bëri një vizitë historike në Shqipëri. Në atë periudhë, unë kam qenë në Moskë, për të dhënë provimet pasuniversitare të filozofisë. Nuk e di kush ka propozuar që pikërisht unë të përktheja Hrushovin. Më thërresin të kthehem nga Moska. Ashtu bëra.

A shkuat te Enver Hoxha apo Mehmet Shehu që të prezantoheshit apo t’u jepeshin porositë e nevojshme?

Jo, nuk kishte të bënte me mua asnjë takim apo porosi. Unë do të bëja përkthimin dhe aq. Në momentin që pritej ardhja e avionit të posaçëm nga Moska, ashtu si gjithë ekipi qeveritar me Enver Hoxhën në krye, që shkuan në Rinas për të bërë ceremoninë e pritjes, shkova edhe unë për të kryer detyrën time, e cila do të fillonte pikërisht në ato momente. Hrushovi shoqërohej nga marshalli Malinovski, në atë periudhë ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik.

Çfarë ju ka bërë përshtypje në ato përkthime, sigurisht nuk po flas për anën politike e dokumentare?

Sigurisht që gjatë atyre takimeve pati edhe shumë episode, madje dhe tepër interesante, të cilat, duke i parë në retrospektivë, flasin për karakterin e Hrushovit, për marrëdhëniet e tij të atëhershme me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, si dhe për qëllimet e vërteta të vizitës së tij në Shqipëri.

Mund të jeni më i qartë në shpjegime kryesisht të episodeve që kanë ndodhur, si të thuash, jashtë kuintave?

Qysh në momentin e zbritjes në aeroportin shqiptar, fjala e parë që tha Hrushovi ishte: “Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, ne nuk do të flasim kundër Jugosllavisë. Shpresojmë se edhe të zotët e shtëpisë do të veprojnë po kështu”.

Unë dhe të tjerët si unë, që nuk ishim në dijeni të domethënies së atyre deklaratave, më pas mësuam se ai e kishte vënë këtë si kusht paraprak dhe para se të nisej për në Shqipëri, kishte dërguar një telegram ultimativ me një përmbajtje të tillë:

“Në qoftë se gjatë ceremonisë në aeroport ose gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë, do të flasë publikisht kundër Jugosllavisë, ne menjëherë do ta ndërpresim vizitën në Shqipëri, do t’i hipim avionit dhe do të kthehemi në Bashkimin Sovjetik”.

E vërteta është se kjo kërkesë e Hrushovit, ato ditë u respektua me korrektësi. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Hrushovi bëri edhe shumë kritika për ekonominë shqiptare, pavarësisht se ato i shprehte gjysmë me shaka dhe gjysmë me të vërtetë.

Mund të njihemi me disa prej tyre?

Ka shumë të tilla, por unë mund të kujtoj ato më të spikaturat, që më ngelën jo vetëm mua në mendje, por edhe Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. P.sh., duke udhëtuar me makinë nga Tirana drejt Durrësit dhe në zona të tjera të Shqipërisë, Hrushovi vuri re plepat që ishin anës së rrugës dhe pyeti se për çfarë duheshin.

Kur i shpjeguam se duheshin për hije, gjelbërim e freski, ai tha: “Ju shqiptarët nuk e kollandrisni mirë ekonominë. Përse mbillni plepa dhe nuk mbillni në vend të tyre pemë frutore, p.sh. fiq”?!

Ndërsa kur vizitoi Shkodrën, e çuan dhe në një fermë të re frutore në atë zonë. E shoqëruan Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj. Atje ai pa se pjesa fushore e fermës, ishte e mbjellë me hardhi, ndërsa kodrat rreth e qark, ishin të pambjella. Atëherë nuk duroi dhe tha: “Kështu drejtohet ekonomia? Keni harxhuar kot këtë tokë pjellore në fushë me hardhi, në vend që hardhitë t’i mbillni në kodrat përreth, dhe në fushë të mbillni misër”?!

Specialistët e bujqësisë i thanë se, edhe kodrat do t’i mbillnin me hardhi, por meqenëse në atë fushë toka ka një strukturë tepër të thatë, aty nuk bëhet asgjë veç rrushit e fiqve. Hrushovi nguli këmbë në të tijën, madje propozoi të vihej dhe një bast se, po t’i bëhen shërbimet e duhura misrit aty, ai rritej mbi dy metra i lartë etj.

Gjatë këtij debate, ndërhyri Mehmet Shehu dhe tha: “Po të rritet misri në këtë tokë, unë pres kokën shoku Hrushov”! Hrushovi i’u përgjigj: “Shoku Mehmet Shehu, të jap një këshillë, kokën mos e pre, se nuk të rritet më”.

Çfarë vërejtjeje tjetër bëri ai për ekonominë tonë?

Vërejtje për ekonominë shqiptare, Hrushovi bëri sidomos gjatë vizitës në Vlorë e Sarandë, ku pa plantacionet me agrume, si dhe disa pjesë që po shpyllëzoheshin nga shkurret.

Ai, duke bërë aluzion për orientimin e bujqësisë shqiptare, për prodhimin e bukës në vend, pyeti me ironi Mehmet Shehun: “Po këtu çfarë do të mbillni, grurë”!? Dhe vazhdoi: “Përse harxhoni tokën, punën, mjetet dhe paratë për të prodhuar grurë? Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare nuk janë të larta. Grurë ju japim ne sa të doni”.

Ndërkohë, ai pyeti se sa grurë harxhon populli shqiptar për një vit, dhe pasi mësoi shifrën, tha: “Çudi, çfarë koincidence, pikërisht këtë sasi gruri hanë minjtë çdo vit në hambarët e Bashkimit Sovjetik”! Rekomandoi që në vend të grurit, të mbilleshin agrume dhe fruta.

Madje, me atë humorin e tij karakteristik, vazhdoi: “Të gjithë e dinë që unë jam partizan i patundur i kukuruzës (misrit), por në tokën dhe klimën e Shqipërisë, është gjynah edhe kukuruzë të mbjellësh. Mbillni fruta dhe agrume, do të dërgojmë çdo ditë një avion për t’i tërhequr. Do ta bëjmë Shqipërinë kopshtin e lulëzuar të kampit socialist”!

Kishte gjë të keqe në këto premtime dhe rekomandime mes miqsh?

Megjithëse Hrushovi premtoi shumë, nuk do të kalonte veç një vit kur pala sovjetike refuzoi t’i livronte Shqipërisë një sasi gruri të domosdoshme për të përballuar pasojat e thatësirës së jashtëzakonshme të atij viti, duke e përdorur këtë si presion ekonomik ndaj udhëheqjes së pabindur shqiptare.

Thatë se në atë vizitë, Hrushovi shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik. Çfarë konstatuat ju te figura e tij?

Mendoj se nuk ishte një zgjidhje e rastit që, gjatë vizitës në Shqipëri, Hrushovin e shoqëronte marshalli Malinovski, një ndër drejtuesit ushtarakë më të njohur në atë kohë edhe ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, pas shkarkimit spektakolar të Zhukovit nga ky post.

Ai gjatë gjithë kohës së vizitës në Shqipëri, qëndroi fare pasiv, me përjashtim të vizitës në Vlorë e Butrint, kur doli nga apatia dhe tregoi një interesim të gjallë për gjirin e Vlorës, ku ishte ndërtuar Baza e Nëndetëseve e Pashalimanit, si dhe për liqenin e brendshëm në Butrint, si baza ushtarake ideale për të kontrolluar e mbajtur nën kërcënim Adriatikun e Mesdheun.

Është thënë se ai gjatë asaj vizite ka bërë disa herë presion mbi vetë Enver Hoxhën?!

Në mitingun e mbajtur në qytetin e Vlorës, Nikita Hrushovi, paralajmëroi e kërcënoi botërisht Italinë e Greqinë, të mos prekin Shqipërinë, sepse, siç tha ai, “Në rast se bëjnë një marrëzi të tillë, do t’ju japim një përgjigje që s’do ta ndiejnë veten mirë”.

Prania e Malinovskit i jepte një peshë të veçantë këtij paralajmërimi, për të theksuar se ato, nuk ishin fjalë të lëshuara në tym, por se e kishin seriozisht dhe se kundërveprimi do të kishte karakter ushtarak.

Por, sipas mendimit tim, kjo deklaratë e tij në prani të Malinovskit destinohej thjesht për qeverinë italiane e greke, por në mënyrë të tërthortë, për vetë Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, për t’i joshur ata me premtimin se kishin mbrojtjen e Bashkimit të madh Sovjetik.

Kjo do t’i detyronte që të rrinin në orbitën sovjetike e, t’i vinin brigjet e Shqipërisë në dispozicion të tyre, për të vendosur bazat kundër NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi.

Mund të përmendni ndonjë rast që ai ta ketë sulmuar drejtpërdrejt Enverin?

 

Patjetër që pati. Unë do të kujtoja disa fraza që ai shprehu gjatë momenteve interesante në vizitën që bëri në Korçë, ku pritja që iu bë atij dhe Enver Hoxhës nga populli, ishte veçanërisht entuziaste. Në takimin me kuadrot që u zhvillua atje, Nikita Hrushovi tha këto gjëra: “Ju shqiptarët jeni njerëz të mirë, por keni një të metë: njerëzit që i doni, ju i lavdëroni aq shumë, saqë ka rrezik t’u rritet mendja.

Por njerëzit nuk janë të përjetshëm. Ja, ishte në Bashkimin Sovjetik  Stalini, një njeri i madh (duke e ditur se në Shqipëri Stalini gëzonte popullaritet të madh, ai bëri disa elozhe), por Stalini nuk do të ishte gjithmonë. Iku Stalini dhe erdhën të tjerë, që e bëjnë punën jo më keq se ai. Por edhe ne nuk do të jemi gjithmonë. Do të ikim ne dhe do të vijnë të tjerë, që do ta bëjnë punën më mirë se ne”.

Me siguri deklarata të tilla të Hrushovit, nuk do të jenë pritur aspak mirë nga Enver Hoxha, të cilit duhet t’i kenë tingëlluar si presion për spostimin e tij nga ana e udhëheqjes sovjetike, në rast se do të tregohej i pabindur”.

Agim Popa, njeriu i preferuar i nomeklaturës në përkthimin e rusishtes

Agim Popa ka lindur më 14 maj 1927 në Elbasan. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ka vazhduar studimet në Liceun Francez të Korçës dhe në shkollën ‘Normale’ të Elbasanit. Në vitet 1949-1954 ai kreu studimet e larta në universitetin “Lomo-nosov” të Moskës, në Fakultetin e Filozofisë. Menjëherë pas çlirimit të vendit, ai ka qenë me punë në organizatën e Rinisë të Qarkut të Elbasanit dhe në aparatet qendrore të saj në Tiranë.

Pas përfundimit të studimeve universitare dhe kthimit në Shqipëri, Agim Popa, është emëruar me punë në shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” si pedagog i Filozofisë Marksiste-Leniniste (materializmi dialektik e historik), shef katedre dhe për një kohë jo shumë të gjatë, zv/drejtor i saj. Në vitin 1958, ai u transferua në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, në përbërje të një grupi që merrej me problemet e luftës kundër të ashtuquajturit “revizionizëm modern”.

Në vitin 1972-1975, ai ka punuar si përgjegjës i sektorit të jashtëm të K.Q. të PPSh-së. Më pas, për një vit, ka qenë në Institutin e Studimeve Marksiste-Lenisniste pranë K.Q. të PPSh-së. Ndërsa nga shtatori i vitit 1976 deri në fund të vitit 1980, ai ka shërbyer si kryeredaktor i gazetës “Zëri i popullit”, organ i K.Q. të PPSh-së.

Nga 1 janari i vitit 1981, deri në shkurt të vitit 1991, kur doli në pension me kërkesën e tij, ka punuar sërish në detyrën e shefit të Sektorit të Jashtëm të K.Q. të PPSh-së. Pikërisht në detyrat që kryente dhe besimin që kishte krijuar, si dhe në profesionalizmin absolut që prezantonte në fushën e përkthimeve në gjuhën ruse, Agim Popa, ka qenë nga njerëzit më të preferuar të nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist, për të bërë pikërisht përkthimet nga kjo gjuhë. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter