Bjeshkët e Kukësit janë kthyer në një atraksion për të pasionuarit e turizmit të natyrës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga gjelbërimi i peizazheve baritore të Bjeshkëve të Topojanit në Kukës, që janë kthyer në një destinacion të preferuar të turizmit malor.
Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë.
Bjeshkët e Kukësit janë nga më të rrallat në Shqipëri, pjesa e malësisë që bashkohet me malin e Korabit.
Në perëndim të Topojan ngrihet Gjallica, mali më i lartë i rrethit të Kukësit, 2489 m mbi nivelin e detit, i cili bën pjesë në vargun malor të Korabit dhe shtrihet në skajin veri-lindor të këtij vargu, midis pellgut të Kukësit në veriperëndim dhe pllajës së Shishtavecit në juglindje.
Peizazhi mahnitës që krijon relievi i thyer kodrinor-malor, me male të larta të veshura me gjelbërim, pllaja, bjeshkë dhe livadhe tërheq çdo vit e më shumë të pasionuarit e natyrës.