Njëzet uniforma dhe dy këmisha të policisë së Kosovës janë gjetur ditën e djeshme (31 maj 2024) në Leposaviq, në një shtëpi të pabanuar.
Sipas mediave kosovare, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka theksuar se uniformat janë të vërteta.
Ndër të tjera, ai është shprehur se gjatë këtij aksioni nuk ka pasur të arrestuar.
Për zbulimin ka reaguar edhe ministri i Brendshwm i Kosovws, Xhelal Sveçla i cili shprehet se mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.
“Mekanizmi terrorist i Serbisë në veri të Republikës së Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë.
Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë.
Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet.
Është detyrë dhe obligim i yni shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërkohë që është përkushtimi dhe vendosmëria jonë që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Të gjitha elementet terroriste që tentojnë destabilizim do të shkatërrohen pa kursim e përgjithmonë”,-shkruan Sveçla.