/ATSH/.- Gjendja e sigurisë në komunën e Mitrovicës është e qëndrueshme dhe duhet që të vazhdohet me marrjen e masave të duhura  për ruajtjen e kësaj gjendje dhe krijimin e kushteve sa më të mira për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve, edhe me rastin e festës ortodokse të Krishtlindjeve.

Kështu u vlerësua të martën gjatë takimit mes nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi dhe komandantit të stacionit jugor të policisë në Mitrovicë, Ahmet Gjosha, ku u bisedua për situatën e përgjithshme të sigurisë në këtë komunë.

Ata u pajtuan që të shtohen masat e sigurisë me rastin e vizitave të ndryshme që pjesëtarët e komunitetit serb do të bëjnë të mërkurën në pjesën jugore të qytetit, kur pritet që ata të vizitojnë monumentet e tyre fetare.

Sa i përket gjendjes në rrugët e komunës, për të cilat u tha se janë të kalueshme, Kamberi dhe Gjosha u dakorduan që të koordinohen aktivitetet mes komunës dhe policisë, si dhe faktorëve të tjerë, me qëllim që situata të jetë nën kontroll dhe që rrugët, si ato rajonale ashtu edhe ato lokale, të mirëmbahen për të mos pasur vështirësi në qarkullim. /Kosovapress/