Gjeneral Major Ferdinand Dimo ka marrë drejtimin e Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), pas dorëzimit të komandës nga Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj.
Në ceremoninë e organizuar mori pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji; gjeneralë, oficerë, pedagogë, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj vlerësoi bashkëpunimin gjatë drejtimit të Akademisë, ndërsa Gjeneral Major Ferdinand Dimo shprehu angazhimin për të vijuar modernizimin dhe forcimin e institucionit në përputhje me standardet e NATO-s. Një nga momentet simbolike të ceremonisë ishte dorëzimi i flamurit të komandës, që shënoi zyrtarisht kalimin e drejtimit të Akademisë së Forcave të Armatosura.
Ministri Ermal Nufi vlerësoi kontributin e Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj në drejtimin e Akademisë, duke theksuar zhvillimet e rëndësishme të institucionit në konsolidimin akademik, forcimin e kërkimit shkencor dhe avancimin e projekteve infrastrukturore.
“Akreditimi i Akademisë vitin e kaluar përbën një arritje të rëndësishme institucionale, duke dëshmuar seriozitetin, standardet dhe cilësinë e punës së bërë nga stafi akademik dhe drejtuesit e këtij institucioni. Po aq domethënës është edhe progresi i bërë për kampusin e ri të Akademisë, i cili do të mikpresë studentët vitin e ardhshëm akademik, një investim strategjik për të ardhmen e arsimit ushtarak dhe për standardet që synojmë të arrijmë si vend anëtar i NATO" - theksoi ministri Nufi.
Duke uruar Gjeneral Major Ferdinand Dimon për detyrën e re, Ministri Nufi theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol kyç në formimin profesional të oficerëve, zhvillimin e mendimit strategjik, kulturës së sigurisë dhe kapaciteteve të lidershipit për Forcat e Armatosura.
“Akademia e Forcave të Armatosura duhet të jetë qendra ku formohen oficerët e së nesërmes, oficerë të aftë për të komanduar, për të menduar në mënyrë strategjike dhe për t’u përballur me sfidat komplekse të sigurisë moderne, sikurse duhet të konsolidohet sistematikisht si qendër e rëndësishme edhe e kërkimit shkencor në vend. Ne jemi mëse të vendosur që mos të ndalim në asnjë moment ritmin për modernizimin e sistemit të arsimit ushtarak. Në bashkëpunim të ngushtë edhe me Ministrinë e Arsimit dhe partnerët tanë euroatlantikë, do të çojmë përpara vizionin e ndërtimit të një sistemi ushtarak cilësor, konkurrues dhe plotësisht të ndërveprueshëm me standardet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian", nënvizoi Ministri i Mbrojtjes.
Ai garantoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes për vijimin e reformave dhe modernizimin e sistemit të arsimit ushtarak, për të rritur kapacitetet profesionale të Forcave tona të Armatosura.
Komente










