Gjenerali Dejvis, Mit’hat Frashëri ka
vetëm llafe, s’ka për t’i luftuar gjermanët

Gjenerali Dejvis, Mit’hat Frashëri ka<br />vetëm llafe, s’ka për t’i luftuar gjermanët
TIRANE- Letra e Frederik Nosit për Enver Hoxhën: Çfarë u bisedua në takimin e 9 nëntorit në Shëndgjergj mes gjeneralit Dejvis dhe krerëve të Ballit Kombëtar.

Për të kuptuar se ç’rryma kishte në Shqipërinë e Luftës në nëntor të 1943, gjenerali dejvis, vendos të fytet në thellësi të çështjeve. Pse kishte përplasje mes partive politike shqiptare dhe pse ata nuk binin dakord të viheshin në një front për të luftuar pushtuesin gjerman?

Natën e 31 tetorit dhe me 1 nëntor të ‘43 në Labinot gjenerali Dejvis kishte takuar fillimsiht drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare dhe të Partisë Komuniste. Në ditarin e tij dhe letrat që shkëmben me Enver Hoxhën, Frederik Nosi tregon shumë detaje rreth kësaj mbledhje. Pas 6 orë bisedimesh me krerët komunistë natën e 31 tetorit dhe një orë bisedimesh sërish të nesërmen me 1 nëntor, gjenerali Dejvis ishte larguar me ide të qarta nga Labinoti. Ai e dinte ç’kërkonin të arrinin komunistët dhe ç’pozita kishin ata në luftë. Mbetej të takonte palën tjetër. Të parin takoi Abas Kupin, i cili ishte në prag të themelimit të Partisë Legalitetit, por gjithsesi në përpjekje të vazhdueshme për takime e bisedime me komunistët për të qëndruar në të njëjtin front, kundër pushtuesve.

Takimi me Abaz Kupin duket i kishte lënë përshtypje të mira gjeneralit Dejvis. Siç i shkruan Nosi në letrën e 4 nëntorit Enver Hoxhës, gjenerali s’kishte pranuar ta merrte me vete, por nga rrëfimet e tij pasi ishte kthyer nga ai takim, Nosi kishte marrë vesh se gjenerali kishte dëgjuar “shumë rrena” nga bazi sidomos për kontributimin e tij në luftë. Sipas gjeneralit Dejvis, Kupi i kishte thënë se ka shpenzuar 5 mijë franga ari nga xhepi i tij për luftën dhe se kishte 5 vjet që luftonte.

Nosi bën ironi me këto fraza që i ka rrëfyer gjenerali dhe i thotë Hoxhës se Bazi ka ndërmend tu marrë fonde britanikëve me këto strategji.
Pas këtij hapi, në letërkëmbimin mes Frederik Nosit dhe Enver Hoxhës mbi lëvizjet që bën gjenerali britanik në këto kohë, rradha i vjen takimit të tij me krerët e Ballit Kombëtar, detaje që zbulohen në letrat që sjellim sot për lexuesit.

Në letrën e 9 nëntorit, Nosi i shkruan Hoxhës se gjenerali i ka rrëfyer menjëherë pasi ishte kthyer nga takimi se në bisedimet me krerët e Ballit kishte munguar fryma miqësore.
“Mbas pesë orë bisedimesh nuk arrita dot me i bindun me nënshkrue nji deklaratë kundra gjermanëve. Më than se janë në favor të luftës civile dhe kërkuan nga unë që të mos përzihesh fare, dhe ktë në mënyrë anmiqsore...” i ka rrëfyer dejvisi frederik nosit pas kthimit nga takimi me mithat frashërin Vasil Andoni dhe Halil Maçin.

Sipas Nosit, gjenerali Dejvis është kujdesur që të bëjë dallim me krerëve të ballit dhe Abaz kupit, që sipas tij s’mund të viheshin ën nëj kandar. “Abazi dhe Balli nuk janë nji organizatë mbasi Abazi asht ushtar dhe më jep përshtypjen se ka me luftue. Sa për Ballin nuk besoj se kanë me luftue mbasi janë njerëz fjalësh – avokat – dhe jo ushtarë – Ma banë kokën daulle me Shqipnin Ethnike dhe argumentet juridike...”
 
Letra vijon me komente të Frederik Nosit, ku thotë se gjenerali si duket e ka kuptuar se sa vlejnë ballistët në këtë luftë. Ndërsa mbyllet me disa informata që ka kërkuar gjenerali për pozitat e Partisë Komuniste dhe lidhjet e saj me Moskën dhe Titon, informata që siç duket Nosi ka zgjedhur të dredhojë e të mos i japë me detaje. 
 
Veç kësaj letre sjellim në vijim edhe letrën e Hoxhës si përgjigje për Nosin, ku veç të tjerash i kujton se nuk është i çuditur nga deklaratat e Ballit në bisedimet me gjeneralin dhe se ai është i lirë të besojë ç’të dojë, nga realiteti politik në Shqipëri. “I dashuri Fredrik, Xhenerali është i lirë të bëjë punën e tij dhe ne të bëjmë tonën dëshërojmë që Xheneralin ta kemi kurdoherë në krah, por në rast se ay na del në rrugë kryq, neve do ta vazhdojmë rrugën tonë të drejtë që është luftë armikut që na ka okupuar dhe të gjith atyre që na pengojnë në realizimin e qëllimeve tona..”, shkruan Hoxha në letrën e tij.
 
Siç dëshmuan ngjarjet e mëvonshme nga këto bisedime nuk u arrit në marrëveshje konkrete. Forcat politike në Shqipëri vijuan në po të njëjtat rrugë pa lëshuar pe, dhe pa arritur të vihen në një front të përbashkët në luftë kundër pushtuesve, për më tepër duke acaruar më tej fërkimet mes tyre e duke i dhënë trajta më të qarta luftës civile.   
 
Letra e Frederik Nosit për Enver Hoxhën.
 
VFLP
Bicë, 9 Nandor 1943
Ora 1 mb.d.
I dashtun shok Enver,
Gjenerali u kthye tash dhe mbi bisedimin që pat me Ballin në Shëngjergj më tha sa vijon:
“Për Ballin ishte Mithat Frashëri, i cili ash personi që pyetet dhe e dirigjon organizatën, dhe Vasil Andoni me Halil Maçin si përkthyes – Mbledhjen e hapi Gjenerali tue i thanë se kishte ardhur me përkrahun çdo rezistencë në Shqipni kundra okupatorit. Mbledhja nuk qe e përzemërt se çprej fillimit atmosfera u ba elektrike – mundesh me u pre me thik, pse unë i vuna përpara fakteve. Mbas pes orë bisedimesh nuk arrita dot me i bindun me nënshkrue nji deklaratë kundra gjermanëve.

Më than se janë në favor të luftës civile dhe kërkuan nga unë që të mos përzihesh fare, dhe ktë në mënyrë anmiqsore. Kur i pyeta në se aprovofshin Këshillin e Nalt të Regjencës, ku ishin dy antarë prominent të Ballit, u gjetën në nji pozitë të ngusht. Në fund thanë se kemi nxjerrun dhe nji trakt kundra tyne. Banë shumë shamatë mbi Shqipnin se po, mbasi ajo vet i kishte shkrue nji letër shtabit 15 ditë përpara mbi qëndrimin e tij. Abazi dhe Balli nuk janë nji organizatë mbasi Abazi asht ushtar dhe më jep përshtypjen se ka me luftue. Sa për Ballin nuk besoj se kanë me luftue mbasi janë njerëz fjalësh – avokat – dhe jo ushtarë – Ma banë kokën daulle me Shqipnin Ethnike dhe argumentet juridike – Por Shtabi nuk do kishte bamun mirë si kur të mos më jepte ras me u takue me ta mbasi tash i njof dhe i di se sa vlejn ushtarakisht. Jamë i lumtur që tash kamë një ide ekzakte të situatës.

Më thanë se ne para se sa të zgjidhen problemet si e Kosovës etj. nuk mundemi me e bamun popullin me luftue – se Gjermani asht i fort dhe katundet na digjen. Kur i pyeta se kush ishin 7 personat që bajnë pjesë në Komitetin Qendror të Ballit nuk m’i treguan, as që ishin në gjendje me m’i thanë. Por unë besoj se Mithat Frashëri asht aji që vendos për të gjithë”.
 
Me pak fjalë ky duhet se e kuptoj dhe vet se sa vlejn Ballistat si forcë luftuese – Unë i shtova dhe të mijat tue i thanë se ktu nuk asht diferenca ideologjike që i ndamë por Balli nuk ka byth me luftue se kanë vendos me çdo kusht me jetue për me zanë kulltukën. Tash momenti politik asht i favorshëm për ne /Duhet pak takt/

Pardje më pyeti Gjenerali kto sende ‘ponit blanc’. Sa e fort asht Partija Komuniste në Shqipni dhe a ka lidhje me Moskën dhe me Titon – dhe ç’pozitë ka në LNÇ”.
Unë i thash: se sa e fort asht P.K. nuk e di pse nuk jam antarë. Por e dij se simpatizant ka mjaft dhe se unë jamë Socialist dhe Filosovietik. Me partizanët serb e grek si partizanë shqiptarë jemi në marrëdhanjet ma të mira se luftojm nji armik të përbashkët me të njajtën rreptësi.

Sa për lidhje me Moskën nuk besoj të ket P.K. se Stalini kur foli dje nuk e përmendi Shqipnin fare. Atëhere më tha se Churchilli doli ma yst! dhe qeshi. Pozita e P.K. në LNC asht fare e kjart dhe e thjesht: asht nji parti kryesore që banë pjesë në të, dhe ajo ma aktive që e lufton okupatorin. Korrentet politike tjera përfaqsohen në te me gjith se nuk janë ende të organizuara si parti, përveç ksaj të zogizmit që po del tash në shesh.
Gjenerali dëshiron me u taku sa ma shpejt, si të thash dhe në letrën që nisa pak ma para këndej.
Përshëndetje shoqnore
F. Nosi

Letra e Enver Hoxhës për Frederik Nosin

I dashuri Shok Fredrik
E mora letrën tënde dhe mësova për sa më shkruaje. Kur të kthehet Xhenerali më lajmëro dhe më cakto ditën kur mund të vi aty se s’ka ku piqemi gjetkë. Për çështjen e ushqimeve të italianëve u bë mirë që erdhi por pa patur të hollat nuk mund të akaparohet as gjë. Ata oficerët inglezë, mundet të ishte dhe Kemp, kanë qenë nga ana e Fiqri Dines dhe kur mbaroj lufta ata duall me flamur të bardhë dhe vanë te shokët tanë. S’është e vërtetë ajo që tha Xhenerali se ata kishin vajtur atje për të ndaluar Fiqrinë me shokë që të goditte tonët. Fiqri dhe të gjithë plehrat tok dhe me gjashtë oficerë gjermanë ishin ata që luftuan kundër nesh.

Për dekllaratat e Ballit ne o Fredrik jemi deri në grykë. Ne aq na bën se ç’do të bëjë Xhenerali dhe Balli, ne dimë një gjë ata që lëftojnë kundër armikut me plot mend ata janë vëllezër me ne të tjerët në rast se vazhdojnë të punojnë si tash mund të bëjnë një qind e një deklarata nga Londra, ne s’i hamë ato. Ballistat janë gadi të bëjnë ç’do dekllaratë, dhe nga ana tjetër të bëjnë tradhëti, ahere Xhenerali dhe misioni Inglez duhet të mendojë mirë për punën që ka bënë. Se në rast se Lumo Skëndua me shokë, e përdorin dekllaratën që do të çojë Xhenerali, për të kallaisur enët e tyre të palara dhe të vazhdojnë luftën e poshtër, Gjenerali ka shumë përgjegjësi përpara nesh edhe popullit.

Xhenerali që është një ushtar si thotë dhe s’ka haber nga politika, s’duhet të kënaqet me dekllaratë që do t’ju marë ballistave në odat e Shëngjergjit por ay duhet t’i dërgojë B.B.C. lajmet e luftës të vërtetë që do të bëjë Balli kundër gjermanëve, dhe jo deklarata. Por i dashuri Fredrik, Xhenerali është i lirë të bëjë punën e tij dhe ne të bëjmë tonën dëshërojmë që Xheneralin ta kemi kurdoherë në krah, por në rast se ay na del në rrugë kryq, neve do ta vazhdojmë rrugën tonë të drejtë që është luftë armikut që na ka okupuar dhe të gjith atyre që na pengojnë në realizimin e qëllimeve tona. Të gjith ata që lëftojnë me ne dhe pa hile janë miqtë tanë, të gjith ata që kërkojnë të bëjnë dallavera ata janë armiqtë tonë.

abaz kupi






































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit