GJENEVË - Arrihet marrëveshja për programin bërthamor të Iranit. Pas 4 ditë negociatash intensive, Teherani ka rënë dakord të reduktojë një pjesë të aktivitetit të tij bërthamor në këmbim të ndërprerjes së përkohshme të sanksioneve nga perëndimi. “Kemi arritur një marrëveshje”-ishin fjalët e para të ministrit të jashtëm Iranian Zarif që njoftuan publikun për përfundimin e negociatave pasi kishte kaluar ora 3 e natës.

Menjëherë më pas erdhi dhe konfirmimi I zëdhënësit të shefes së diplomacisë europiane Kethrin Ashton, nëpërmjet rrjetit social Tëitter. Negocitatat u mbajtën për 4 ditë në Gjenevë mes Iranit dhe grupit 5+1, pra SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. “Bëhet fjalë për hapin e parë të rëndësishëm drejt një marrëveshje të përgjithshme, sot diplomacia ka hapur një rrugë të re për ta bërë botën më të sigurt”-tha presidenti amerikan Barak Obama duke komentuar marrëveshjen historike të arritur në Gjenevë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi zyrtarisht dhe drejtpërdrejt në televizion, Kongresit të mos vendosë më sanksione të reja kundër Teheranit, të cilat mund të rrezikojne të hedhin ne erë marrëveshjen. Sa i përket kushteve, marrëveshja prej 4 faqesh parashikon një lehtësim të sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.

Ndërsa Irani nga ana e tij impenjohet të ndërpresë pasurimin e uraniumit mbi 5 %, të mos shtojë centrifuga të reja dhe të neutralizojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar deri në 20 %. Ndërkaq po sipas marrëveshjes së Gjenevës, Irani do të mund të përfitojë akses ndaj një shume prej 4,2 miliard dollarë. Lajmi raportohet nga agjencia iraniane ISNA, sipas së cilës bëhet fjalë për fondet që vijnë nga shitja e naftës bruto, të cilat ishin depozituar në në banka aziatike por që Teherani nuk kishte akses pikërisht për shkak të sanksioneve të fundit.

Megjithëse historike dhe e rëndësishme, bëhet fjalë për një marrëveshje të përkohshme. Vetëm pas pak kohësh palët do të mund të negociojnë një marrëveshje përfundimtare për të garantuar përfundimisht që Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore. Pikërisht në atë pikë pritet të anullohen edhe sanksionet më të rënda që I janë vendosur Teheranit mbi eksportin e naftës. 
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)