GJENEVË - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) do të japë nesër dritën jeshile për përdorimin e një bari eksperimental të patestuar për të trajtuar virusin Ebola. Njoftimi erdhi pas një takimi të ekspertëve ndërkombëtarë, organizuar nga OBSH-ja. "Duke patur parasysh rrethanat e veçanta të kësaj epidemie, dhe për aq kohë sa plotësohen disa kushte, paneli arriti konsensus se është etike për të ofruar një ndërhyrje të paprovuar më parë ndaj efikasitetit dhe efekteve kolaterale të panjohura, si një trajtim potencial për parandalimin e virusit", thuhej në deklaratën e OBSH-së. Vdekja e parë në Evropë nga virusi Ebola erdhi të mërkurën, kur Miguel Pajares, një misionar 75-vjeçar katolik nga Spanja, i cili ishte infektuar me virusin Ebola në Liberi dhe u evakua në Madrid të enjten e kaluar, vdiq në spitalin "La Paz Carlos III". Pajares u kontaktua me virusin duke punuar në spitalin "Saint Joseph" në Monrovia dhe është anëtari i katërt i personelit të spitalit gjatë 10 ditëve të fundit që kanë vdekur nga virusi. Një murgeshë që ka punuar me Pajares gjithashtu u kthye në Madrid, por rezultoi negative ndaj virusit. OBSH-ja tha sot se 1 013 njerëz kanë vdekur nga sëmundja që ka goditur Guinenë, Liberinë dhe Sierra Leonen./ATSH/