Si nëpër filmat më të bukur, gjashtë nxënës shqiptarë të apasionuar pas fizikës, gjenden papritur në atë që kanë ëndërruar: në Laboratorin Europian të Kërkimit Bërthamor (CERN) në Gjenëvë të Zvicrës. Të gjashtë nga gjimnazet Ismail Qemali në Tiranë dhe Themistokli Gërmenji në Korçë, jo vetëm që kanë mundur të vizitojnë ekskluzivisht laboratorët, por kanë vazhduar vizitën e tyre edhe në selinë e OKB-së në të njëjtin qytet. Po si u realizua kjo?
Shpesh ambasadorët i shohim vetëm në kostumin e tyre zyrtar, vetëm si diplomatë, ndërsa mësojmë se për shembull, ambasadori italian në Tiranë Alberto Cutillo është i apasionuar pas fizikës. Dhe pikërisht ky pasion i tij, bashkuar me mundësinë që gjimnazet dygjuhëshe, ku italishtja është gjuhë e dytë, të kenë mundësinë të përfitojnë projekte unike për studentët tanë.
Një nga gjimnazistët shqiptarë në Laboratorin Europian të Kërkimit Bërthamor (CERN)
Tre gjimnazet dygjuhëshe, ku italishtja është gjuhë e dytë, në Tiranë, Shkodër e Korçë, përfituan një kurs fizike eksperimental të drejtuar nga profesorët Paolo Maggioli dhe Carla Tonni në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit shqiptarë dhe bashkinë e Tiranës.