Gjerak Karaiskaj: Ceka, serbët dhe
banesat inekzistente në Lezhë

Gjerak Karaiskaj: Ceka, serbët dhe <br />banesat inekzistente në Lezhë
Në radhë të parë dua të rendis, ato çfarë kam thënë në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Nisma e rijetëzimit të pjesshëm të kalave, për të cilat bëhet fjalë në këtë rast nuk është një nismë e re dhe nuk ka pse të jemi shumë entuziastë se nuk zgjidh gjithçka dhe nga ana tjetër përmban edhe rreziqet e veta. Ato kanë filluar që para 1991: në Gjirokastër lokal, në kalanë e Shkodrës lokal plus muze. Për fat të mirë apo të keq kam qenë unë autor i projekteve pasi merresha me studimin dhe restaurimin e kalave, apo si thotë z.Neritan kam njohuri në këtë fushë. Por nuk jam ekspert i gjithëdijshëm, titull që i rezervohet vetëm atij dhe ekspertëve të IMK-së, që janë nëpunës shteti, e që kanë përgjithësisht një stazh prej jo më tepër se 3-4 vjetësh.
Rijetëzimi i kalave vazhdoi edhe pas vitit 1991. Si shembull mund të përmendim kalanë e Lëkursit dhe Petrelën. Këtu duhet t'i bëj një korrigjim z.Ceka se unë nuk kam dhënë asnjë kala me qira, asnjë monument, por kam bërë vetëm projektet dhe restaurimin. Nuk kam bërë analizën politike të privatëve që zoti Ceka i ndan në shkatërrimtarë dhe promovues të politikave të turizmit kulturor, sepse siç është bërë modë dekadën e fundit, fenomen që zoti Ceka e njeh shumë mirë, privati duke ndërruar parti mund të kthehet fare lehtë nga shkatërrues në ndërtues dhe anasjelltas.
Unë kam thënë në Komisionin Parlamentar se jam kundër dhënies me qira të monumenteve në ato raste kur në të ashtuquajturin rijetëzim dëmtohet monumenti dhe nuk kam sjellë si shembull as Ndroqin dhe as Lalzin, por Lezhën ku akropoli i saj mbushet me ndërtime të reja inekzistente. Në shembujt që kam përmendur më sipër rijetëzimi është bërë ose brenda ambienteve ekzistuese (Gjirokastër Shkodër) ose duke u mbështetur mbi gjurmë të sigurta të studiuara dhe të argumentuara me kujdes (Lëkurs, Petrelë). Ndërsa Lekursi ka vetëm një fazë ndërtimi të vonë dhe nuk ka shtresa kulturore, Petrela ka qenë e gërmuar paraprakisht nga arkeologu D.Komata.
Por Petrela përveç pjesëve të restauruara ruan gjurmë të tjera shumë të rëndësishme të periudhave të ndryshme nga antikiteti i vonë në mesjetë, si stera, kulla, etj, të cilat duhen konservuar e duhen mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm.
Ndryshe nga këto raste argumenti i vetëm që jepet nga z.Ceka si ekspert dhe jo thjeshtë njohëtar, siç jam unë në fushën e kalave është se ata shtëpi që tani janë rrënoja në kalanë e Lezhës kanë ekzistuar deri në vitin 1912 dhe ne do ti ngremë nga themelet ekzistuese pa e ditur si kane qenë.
Mua si njohëtar më rezulton se sarajet e bejlerëve të Lezhës janë të shekullit 18, por tërhiqem para ekspertëve.
E zemë se ata ndërtesa kanë ekzistuar deri në vitin 1912 kur i dogjën serbët siç thotë z.Ceka.
Z.Ceka thotë në intervistën e tij: "Në qoftëse shtëpitë nuk do të ishin djegur nga serbët por do të ishin ende të banuara siç janë në Berat, a do të kishte të drejtë banori i kësaj shtëpie ta përdorte banesën e tij...etj". Unë do të thoja, në qoftë se do të ekzistonte IMK-ja para vitit 1912 a do të lejonte të ndërtoheshin shtëpi mbi rrënojat arkeologjike të antikitetit dhe të mesjetës, dhe në qoftëse ato ndërtoheshin pa leje a do ti prishte pushteti lokal apo ai qendror?
Na dilka se i paskan prishur serbët. Atëherë kemi mundësi të gërmojmë poshtë tyre dhe pastaj të vendosim se çfarë duhet bërë.
Sa për ish-pronarët që kanë të drejtë të përdorin banesën e tyre, ata nuk po bëhen të gjallë, ose i kanë pushkatuar serbët ose pasardhësit e serbëve. Në fakt këto banesa po i jepen pronarit të tyre të ri.
Sa për shprehjen e thënë në "Top Shoë" nga Z.Ceka se "Gjerak Karaiskaj nuk është më" , e cila sipas inervistës duhet kuptuar se kur janë në komisione për restaurimin e kalave çdo gjë shkon mirë dhe e kundëta kur nuk janë, Ceka ka një farë të drejtë, sepse edhe duke mos qenë ekspert unë jam njohëtar, siç e pranon ai vetë. Njohtaria ime bazohet në 70 artikuj mbi monumentet dhe në katër libra, njëri prej të cilave me bashkëautorë, dy prej tyre botuar respektivisht në Londër (2007) përkthyer nga fondacioni British dhe në Hamburger (2010) (gjermanisht), kur shumë akademikë mburren se ia kanë hedhur me disa artikuj në Shqipëri ose ndonjë libër shkencor-popullor.
Ceka bie në kundërshtim me veten kur thotë se ekspertët e vërtetë janë grumbulluar së strukturat e IMK dhe komisionet e MTKRS-së, ndërsa pak më poshtë shprehet se "janë 250 tavolina, që duhet të merren me monumentet e kulturës dhe pak, shumë pak prej tyre punojnë me monumentet. Në Lezhë ne kemi një grup prej 4 vetësh,që s'bëjnë asgjë, në Tiranë kemi një drejtori të tërë me pothuajse 20 punonjës, kemi në Gjirokastër 40 punonjës të monumenteve dhe asnjëri prej tyre s'ka punë, s'është në punë."
Ndërsa në "Top Shoë" këta "të papunë" dhe që "s'janë në punë" i krahasoi me Viole lë Dyk-un që bënte restaurime stilistike. Viole lë Dyku, vërtetë është kritikuar për restaurimet e tij, por ai ishte gjeni dhe veprat e tij janë shpallur monumente kulture. Meqë kemi të bëjme më një kaos vlerash dhe vlerësimesh dhe meqë synimi i vendit tonë është BE do të ishte më mirë që MTKRS-ja t'i drejtohej UNESCO-së për këtë problem, e cila mund të dërgojë ekspertë të vërtetë për të dhënë mendime për raste konkrete, veçanërisht për kalanë e Lezhës.
Në një vend Ceka aludon dhe se mos kemi të bëjmë me një kontestim të natyrës politike që bëhet për inat të një partie të caktuar.
Unë nuk kam qenë as në atë parti dhe as në këtë parti dhe as në organizatat e fshehta që punonin për të mirën e asaj partie, por kam patur dhe kam mendimin tim personal. Është vetëm rastësi n.q.s. ky mendim përputhet ndonjëherë me mendimin e ndonjë partie, megjithëse mund të ndodhë shumë rrallë dhe në mënyrë të pjesshme. Unë mendoj se mendimet e partive lidhur me monumentet duhet të përputhen ose duhet të heshtin duke ua lënë specialistëve. Se munumente nuk janë pronë politike e asnjë partie, madje nganjëherë nuk janë as pronë e popullit, se jo rrallë edhe popuj të tjerë kanë kontribuar në ngritjen e tyre.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë