Gjergj Marku: Në Spaç nuk
ka asnjë gjurmë muzeu

Gjergj Marku: Në Spaç nuk<br />ka asnjë gjurmë muzeu
TIRANE - Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Visar Zhiti, ish i dënuar politik ka premtuar dje ndërtimin e muzeut në 4 vjetët e ardhshëm si një vepër qeverisë Berisha, megjithëse edhe sot e kësaj dite banorët e Repsit po vijojnë të shkatërrojnë ambientet e burgut të Spaçit, shpallur Monument Kulture, për të nxjerrë skrap.

Ministri Zhiti në këtë eveniment përkujtimor ka gjetur rastin të sigurojë audiencën se qeveria demokratike do të vijë sërish në pushtet, edhe pse shkatërrimi i muzeut të Spaçit ka vijuar gjatë qeverisjes aktuale. Kohë më parë ish-i burgosuri politik Fatos Lubonja e ka denoncuar indiferentizmin e shtetit për objektin e shpallur muze, që është duke u shkatërruar.

Lubonja ka kujtuar në një intervistë për Shqiptarja.com se projekti duhet të kishte nisur me kohë sipas dekreteve zyrtare. Në muajin qershor të vitit 2012 kryeministri Berisha i ka kërkuar ish-Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi të paraqes në qeveri kërkesën për ndërtimin e Muzeut Historik të Spaçit. Megjithatë puna ende nuk ka nisur.

Ish i përndjekuri politik, Fatos Lubonja, pak muaj më parë në një intervistë për Shqiptarja.com ka denoncuar gjendjen aktuale tw muzeut: “kanë ngelur disa godina me disa kate, ku mungojnë dyert dhe dritaret. Hyrjet e galerive të minierave janë bllokuar, ndërsa rrethimet me tela me gjemba nuk ekzistojnë më, sepse prej kohësh janë grabitur e kanë shkuar për skrap.

Burgu i Spaçit, edhe sot e kësja dite ende nuk ka asnjë restaurim, ndërsa prej vitesh mban statusin e njëjtë të ruajtjes me të gjitha monumenteve të kulturës që gjenden në Shqipëri”.

KONFERENCA PËRKUJTIMORE

Premtimi i ministrit Visar Zhiti u bë dje me rastin e e 40-vjetorit të revoltës së Spaçit që u kujtua në Muzeun Historik Kombëtar, ku mbajt një konferencë përkujtimore në kujtim të të ekzekutuarve Dervish Bejko, Hajro Pashaj Pal Zefi dhe Skender Daja , si dhe të dhjetrave të burgosurve të tjerë, që pas kësaj revolte u ridënuan me më shumë se 1700 vite burg.

Duke përshëndetur në këtë konferencë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Visar Zhiti, edhe vetë ish i dënuar politik, tha se: 40 vjet më parë shpërtheu, revolta e madhe e të burgosurve politikë në burgun famëkeq të Spaçit, e para revoltë në të gjithë burgjet politike të perandorisë komuniste.

Zhiti tha se aty të burgosurit u ngritën kundër dhunës, u rebeluan duke hedhur parulla për një Shqipëri demokratike, perëndimore, e të drejtave të njeriut. Ai tha se revolta u shtyp me gjak nga gjakatarët, se ata vranë dhe ridënuan, dënuan dhe kampin dhe ushqimin e të burgosurve, duke hedhur helm me veprim të ngadaltë në ushqimin e të burgosurve.

“Ne përkujtojmë sot, siç kemi bërë rregullisht këto 20 vjet, heroizmin e tyre, jetët e ndërprera, dhe përcjellim së bashku mesazhin e tyre dhe u themi me solemnitet: ëndrra për një Shqipëri të hapur dhe të lirë u bë. Ëndrra për një jetë të begatë, me pasuri tënden, me vlera e virtyte, ka nisur dhe vazhdon e sigurt”.

Zhiti ka theksuar se partia e parë opozitare, Partia Demokratike, që në ditët e para të themelimit të saj kërkoi lirimin e gjithë të burgosurve politikë. “Ne sheshet e Shqipërisë gjëmonte zëri i kryetarit të saj historik, Profesor Doktor Sali Berishës, thirrja për të përmbysur diktaturën, e njëjtë me thirrjet e revoltës së Spaçit dhe e Qafë Barit më pas.

Partia Demokratike mblodhi dufet tona, aspiratat dhe ne iu bashkuam asaj që në fillim, sepse ajo i hoqi yllin e kuq të komunizmit Flamurit Kombëtar, ashtu siç e ngritën Flamurin të burgosurit e Spaçit, që e ngjyen me gjakun e tyre”.

GJEGJ MARKU: MEDITIM NË 40-VJETORIN E REVOLTËS SË SPAÇIT

Ndërkohë Gjegj Marku, një ish i përndjekur politik shprehet në rrjetin e tij në facebook se në muzeun e Spaçit po shkatërrohet gjithçka dhe nuk asnjë gjurmë të muzeut. Përmes kujtimeve për burgun e Spaçit, Gjergj Marku ka postuar një meditim ku krtikon gjendjen aktuale të muzeut: “Që fëmijë më kujtohet Spaçi që dukej si një oaz i frikshëm shkëmbinjsh të murrme, që merrte nga Perëndia veç një sofër diell mbi krye.

Më kujtohet Spaçi me kodrat e kuqërremta që binin thuajse pingul nga majat deri në përroin e Seftes, atje ku gjerësia e shtratit ishte sa një gryke hinke, për të filluar kodrat dhe malet e tjera përkundruall,tamam si ta kishin kapur për fyti burgun famëkeq. Më ka rënë rasti të shkoj në disa përvjetorë, dhe nuk di përse aty pos kujtimeve të ish të burgosurve asgjë nuk ka mbetur.

Dhe vetë ata që kanë lënë rininë dhe jetën e atyre aty, mblidhen në vendin më të “lehtë”, fjetoret, shesh pushimet, kapanonet, bujtinat, një tip miniqyteze, që u shërbente për të jetuar pikërisht pas pune. Por asgjë më tej nuk shihet. Madje dhe vetë ata nuk ngjiten më lart, atje tek zona e parë, zona e dytë e piritit, zona e tretë apo zona e katërt!

Duket sikur janë harruar galeritë, shembjet, planet e pjerrëta, trimozhat e makinave që mbushnin vargaz duart e tyre të ashpra si gur mali, nuk shihet gjëkundi një vagon, një shinë, një kapele, një kandil karbiti! Nuk shihen ato rrethojat treshe, me tel me gjemba dhe vend-rojet ku vendoseshin prozhektoret dhe mitrolozët.

Nuk shihen tubot e ajrit, martelet që çanin mijëra metra mal atje nën tokë. Nuk shihet ajo galeria e piritit që lëshonte acid mbi shtat të tyre në mbi 40 gradë temperaturë! Atje nuk ka asgjë. Duket se dhimbja është fshehur tej këtyre relikeve të domosdoshme! Burgu nuk ishin vetëm fjetoret. Nuk janë vetëm birucat! Se dhe ato ishin më të mira se birucat e nëndheshme ku dilje apo nuk dilje i gjallë në tetë-orëshin. përditshëm!

Spaçi është shëmtuar, kinse për mos me tregu me asgjë nga vuajtja e mijërave burrave të privuar nga liria, familja, uji dhe ajri normal njerëzor. Spaçi nuk tregon asgjë ma, ju betohem që nuk tregon asgjë, as për sytë e mi të fëmijërisë si e mbaj mend fort mirë, dhe jo më për ata që kane kaluar jetën e atyre ne atë vend ferri!...”, shkruan Gjergj Marku.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari