Gjergj Pali: Si u arratisën 12 vetë
bashkë me Minella Gjeneralin në 1988-n

Gjergj Pali: Si u arratisën 12 vetë<br />bashkë me Minella Gjeneralin në 1988-n
TIRANE-Në vitin 1988, kufirin e Shqipërisë Komuniste nuk mund ta shkelnin as zogjtë e qiellit. Nëse e provonte ndokush do të përfundonte nën breshërinë e plumbave të rojeve të kufirit. Por në këtë botë ka njerëz që kanë një guxim të çmendur, gati të pabesueshëm. Ja sesi historia e piktorit George (Gjergj) Palit që sot i ngjan një thrilleri amerikan me fund të lumtur, mund të kishte përfunduar në një tragjedi fatale...! George Pali mbrëmë ka çelur ekspozitën e tij personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Pas 27 vjetësh qëndrimi në SHBA, pas asaj arratisjeje të bujshme, ai kthehet vjen për herë të parë në Shqipëri me pikturat e tij. Veprat e George Palit kanë një staturë të pasur artistike, ku janë vlerësuar me çmime dhe suksese në dhjetëra Galeri të SHBA-ve.
 
 
Gjergj, a mund të na tregoni se si ka qenë jeta juaj në Shqipërinë Komuniste në vitet ’80?
-Kur unë isha student në Akademinë e Arteve në vitin e parë, më 31 dhjetor të ‘76-s arrestojnë babanë tim me një akuzë që kurrë nuk zuri vend “për shpërdorimin e postit zyrtar”. Babai im në atë kohë ishte një sekretar ndërmarrjeje. U bë ç’është e mundur që të arsyetonin gjyqin, por ekspertiza nxori se firma që ishte akuzuar nuk ishte vënë nga babai im. Por, nuk e shpallën të pafajshëm. Na thanë “Shkoni e apeloni në Tiranë!”. Prita të më hiqnin nga shkolla, por për çudi nuk më ra njeri më qafë. Mendova se pak a shumë Zef Pali njihej si autor i “Luleborës”, pra si njeri i artit dhe kjo po më lehtësonte disi. Megjithatë ky ishte fillimi, sepse rreth meje po grumbullohej mllefi. Pasi mbarova shkollën u caktova në një punë jo shumë të përshtatshme. Kishte nisur të shtohej represioni mbi familjen tonë.
 
Pra, ky ishte shkaku që iu detyroi të arratiseshit?
-Ndodhi diçka tjetër disa vite më pas, kur mora vendimin për t’u arratisur nga Shqipëria. Motra ime sëmuret me kancerin e veshkës. E sollëm në spital në Tiranë, ku i heqin veshkën komplet dhe pastaj nisi kimioterapinë, të cilën nuk mundi ta përballonte. Atëherë pasi shpëtoi, ne menduan të bënim çmos për ta çuar jashtë për një skaner, se në Shqipëri nuk kishte. Atëherë ne u menduam se në Itali kishin edhe një motrën e babait që ishte martuar që gjatë Luftës II Botërore me një gazetar italian dhe u krijua kjo mundësi. Kur u kthye motra ime nga Italia, aty filloi një ngatërresë shumë e madhe me doganat, me Ministrinë e Jashtme. Ne nuk e dinin nëse do të bëhej falas shërbimi në Itali. Për të qenë të sigurt u grumbulluam të gjithë vëllezërit dhe familjarët e tjerë dhe i dhamë shumë para. Ajo na tha se ku po i çoni gjithë këto para. Ne i thamë, nëse janë të nevojshme shkriji të gjitha për shëndetin. Nëse nuk do të nevojiten na i merr dhuratë ndonjë send, mirë do të kishte qenë. Asaj iu bën atje të gjitha mjekimet shëndetësore (sot jeton fal Zotit) dhe paratë që i ngelën i bëri disa dhurata dhe i solli për në Shqipëri. Të gjitha u sekuestruan nga dogana dhe më pas iu dhanë dhurata disa personaliteteve që ishin në pushtet. Mua më vjen keq, sepse në atë kohë disa edhe humbën edhe jetën me këtë mënyrë sekuestrimi, sepse u dënuan më pas. Atëherë për ta justifikuar këtë veprim të padrejtë të sekuestrimit, u munduan të na fusnin neve në probleme të agjitacionit dhe të propagandës, duke përdorur faktin se baba ishte i burgosur dhe ne ishte kollaj të na burgosnin.
 
Sa reale ishte fatkeqësia që iu kërcënohej?
- Në atë kohë ne mendonin vetëm t’i shpëtonin këtij represioni. Na u krijua edhe një akses, sepse Minella Gjenerali, burri i motrës, nisi punë si shefi i Prapavijës në Shkodër që furnizonte kufirin. Ai furnizonte me armatime për kufirin. Pra vendimi u mor menjëherë, u armatosëm dhe ….
 
Si menjëherë, sa vetë ishit?
-Po gjithë familja jonë. Po e  filloj nga vetja; isha unë,  ishte Florenca, ishte vajza ime Rozafa, ishte Minella bashkë me gruan Luçianën-motrën time, Armandi me Mariolën, dy fëmijët e tyre, ishte një shok i imi nga Shkodra, Serxhio Gjeçi, që ishte shoferi, dy vëllezërit e Minellës, Pandeliu që sot ka vdekur dhe Petraqi. Kishim me vete dhe Xhaklinën, vajzën e Petraqit, pra 12 janë. Edhe pse në ishin gati anëtarë të familjes, këto organizime ishin të rrezikshme, sepse po ta shtynim një javë apo një muaj fjala mund të dilte. Dhe ne shkurtuan kohën përgatitjes. Duhet  të iknin papritmas dhe që të ishte një ditë feste. Pra ne menduan festat e Vitit Ri, por më në fund vendosëm festën e 11 Janarit, që ishte e Republikës. E kam të qartë skenën. Atë ditë u zgjodha në mëngjes në orën katër dhe hapa komodinat, në atë periudhë unë kisha lekë, sepse kisha marrë rreth 60 mijë lekë shpërblime që u shitën nga punimet e mia në Shkodër dhe në Tiranë. Këto pare i kam vënë të gjithë mbi komo dhe i kam lënë me sirtarë të hapura, për t’iu dhënë një informacion kur të ma kontrollonin shtëpinë, se unë nuk ika as për bukë, as për rroba, as për pare. Këtë mesazh doja të lija kur të vinte dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës, për t’iu thënë se unë nuk kam ikur për këto, por çfarë po na bëni ju që u detyruam me ik. Pastaj kalova tek Pallati i Sportit që sot është Kisha e Madhe, dhe atje bëra kryqin dhe vazhdova rrugën. Atëherë janë kthyer Serxhio me Minellën nga Dega e Punëve të Brendshme, hipën në kamion dhe janë nisur në Tiranë. Rreth orës shtatë jemi ndalur tek Zogu i Zi dhe mbushëm makinën me benzinë se ishim për një rrugë të gjatë, pra do ktheheshim prapë në Han të Hotit. Vajzën e kisha në Tiranë. Ishte shumë e vogël atëherë. Ajo sot është 31 vjeç, dhe kemi shkuar te shtëpia e motrës sime. Morëm fëmijët, u riorganizuam për të rifreskuar veprimet se çfarë do të bëjmë...
 
 
Ishte një ndërmarrje shumë e rrezikshme, në ato vite. Shumë që kanë provuar kanë përfunduar në mënyrë tragjike, janë vrarë në kufi!
-Ashtu ishte. Por unë u nisa bashkë më fëmijët për në Han të Hotit. Aty sa mbërritëm tek “Pesë Heronjtë” kam hequr rrobat civile dhe kam veshur rrobat e oficerit të kunatit tim, Minellës. Me të kishin një trup dhe unë mora automatikun para këmbëve. Kam futur granatat në trup dhe u përgatita për vetëmbrojte më shumë, për arsye se kisha me vete nënën, motrën, nipërit. Krejt familja. Për çudinë më të madhe na ndodh një incident i paparashikueshëm. Katër-pesë kilometra pa mbërritur në Hanin e Hotit, fiket makina. Më vonë u mor vesh pse është fikur makina. U fik makina, sepse Minella kishte vënë pistoletën nën s’dilej. Ai harron një çast që ishte pistoleta aty dhe ulet me tërë forcën e trupit mbi të. Plumbi paskësh kaluar në këmbë të Serxhios, shoferit, dhe ishte shkrepur e kishte shkuar në serbator të benzinës... Na duhej të nisnim luftën pa dalë në Han të Hotit. “Si t’ia bëjmë?”, thotë Minella. Çudia më madhe në atë çast ishte se po kalonte gazi i doganës, në atë kohë njerëzit nuk kishin ikur ende në shtëpi. Ishte ora katër, ose katër pa çerek. Ata po ktheheshin në shtëpi. Aty ishte dhe një mësuesi im i rusishtes që nuk më njohu se isha veshur si oficer. Ata na japin një kovë me benzinë, sepse ata panë që ishte kamioni i furnizimit të kufirit. Me pesë benzinë litra kemi hyrë te dogana. Ata e kanë njohur makinën dhe rrinin të qetë, por kur ndërruam drejtimin në atë çast oficeri i postës mbush automatikun instinktivisht.
 
Si ju kuptuan se po kalonit kufirin?
-U ra krejtësisht papritur se makina ishte ajo që furnizonte kufirin. Ai po bënte detyrën, ndërsa unë kisha granatë mësymëse në dorë. Kam hapur dorën dhe kam lëshuar granatën mësymëse. Nga krisma e  saj ai ra në tokë me gjithë armën e tij dhe nuk ka lëvizur më. Unë u tremba se mendova se mos e vrava. Ushtarët dolën nga posta dhe unë nisa të gjuaj me automatikë, jo për t’i vrarë, por për t’i trembur për të mos dalë jashtë. Në atë kohë makina kalon kufirin e Malit të Zi dhe aty ishte një rrezik tjetër se fëmijëve u kisha dhënë ilaç gjumi, duke mos e ditur se u bënte dëm iu dhashë overdozë dhe ata gati m’u helmuan. Ishte fat i madh, pas një ngatërrese të madhe që bëra, se malazezët kujtuan se sulmoi Shqipëria. Unë isha akoma i acaruar dhe po u kërcënohesha atyre në qoftë se më prekni vëllezërit do bëj këtë e atë. Këta më thoshin hajde se po bën incident të madh. Si përfundim ushtarët malazezë dolën në karakoll se mendonin se u sulmuan dhe një gjendje e nderë katër a pesë minuta me ushtarë e helmeta matanë kufirit u derdhën, erdhën forcat speciale. Më morën fëmijët për në spital se i kujtuan të plagosur. Ata i çuan në spital në Titograd, me Rozin dhe Zhaklinën. Ishte hera e parë që ndodhte një gjë e tillë në kufi dhe me zor u sqaruam pse ikëm. Pas sqarimeve ndenjëm një periudhë në Jugosllavi dhe nuk kemi pasur asnjë incident. Ishte konferenca ballkanike në atë kohë. Dhe pas ikjes sonë, Tirana kërcënoi Jugosllavinë se po të mos dorëzoheshim ne, nuk do të merrte pjesë në konferencën ballkanike. Ndenjëm 48 orë pa lëvizur. “Na keni fikë derën”, na thanë aty, se se Shqipëria na vë kushte, nuk vjen konferencë, po nuk dorëzuam të arratisurit”. Na pyeten se mos kishim bërë ndonjë krim. Mësuam se ishte plagosur ushtari, por nuk kishte vdekur. Kështu na trajtuan nëpërmjet organizmave ndihmëse ku pati ndihma nga komuniteti dhe kisha sa krijuam një fillim, një start. Nisa të mësoja anglishten duke shkruar fjalë gjithandej, nëpër peceta, nëpër letra, se ne teorikisht kishim mësuar diçka, por praktikisht nuk ishte aq e lehtë. Këmbëngulja qëlloi e suksesshme, por atje unë duhet të punoja se kisha nënën 65 vjeçe dhe vajzën tre vjeçe. Isha piktor, por më vinte ndoresh për gjithçka. U thashë se dija të bëja dhe marangozin dhe mora të bëja korniza. Dhe për fat këto i bëja në ambientet e një galerie. Kështu që m’u hapën dyert dhe unë gjeta punë në Nju Jork, përmes gazetave, ku bëja dizajne për T-shirt. Pasi vuri re vullnetin tim, një miku im më kujtoi që të vijoja shkollën, dhe unë bëra shkollën në Miçigan, sepse duke qenë rezident atje dhe pagesa ishte minimale. Atje jam graduar me master. Kështu pra u hapën rrugët për mua. Mendoj se isha në vendin e duhur, në kohën e duhur. Punësimi dhe financimi financiar ishte i mirë në Amerikë dhe unë nisa të punoja, por pa harruar kurrë pikturën. Fillova të aktivizohem nga njëra ekspozitë në tjetrën. Filloi puna të shitej, filloi emri të punonte pastaj. Pra shumë arritje që tashmë ju i keni përmendur në këtë ekspozitë erdhën më pas dhe unë kalova kufijtë me pikturën duke ekspozuar edhe në Bermuda, etj, etj. Nuk dua të kujtoj hidhërimet e asaj kohe, rëndësi ka që përfundoi me fund të lumtur.   
 
Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

‘Ushtari’ i Ervis Martianjt dhe 6 të tjerë marrin peng të riun në Tiranë, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie