Gjergji Marko: Si e kam njohur
Edi Ramën kur ishte nxënës në Lice

Gjergji Marko: Si e kam njohur<br />Edi Ramën kur ishte nxënës në Lice
TIRANE- Piktori Gjergji Marko, (foto) ish profesor liceu e sot arkitekt interierësh, për faktin se e njeh që në rininë e hershme kryeministrin aktual Edi Rama, shpreson se do t’i vijë fundi edhe “masakrës urbane” në Tiranë. Arkitekti konstaton me keqardhje se: në Tiranë dhe në qytete të tjera, prej kohësh është lejuar një masakër urbane që sipas tij “ka për autor qeveritë qendrore dhe vendore të këtyre viteve të tranzicionit”. Duke shpresuar se kryeministri Rama do t’ia kthejë faqen Shqipërisë, duke u mbështetur në meritokracinë dhe profesionalizmin e njerëzve më të aftë për të punuar, fjala bie se me çfarë karakteri është mbrujtur që në rininë e hershme kryeministri Edi Rama. Gjergji Marko njihet edhe si skenograf e kostumograf në karrierën e tij, por edhe si autor i disa muzeve kombëtare.   

Ju jeni një piktor i njohur dhe njiheni jo vetëm si piktor, por edhe si skenograf, kostumograf, pa folur edhe për shumë vite që keni punuar në grup për ngritjen e disa muzeve kombëtare. Tani së fundi, njiheni edhe si arkitekt interierësh. Pse kjo lëvizje, për kënaqësi apo mbijetesë?

-Të dyja plotësojnë më mirë njëra-tjetrën. Në fakt, me arredim unë jam marrë shumë kohë më parë, po të kemi parasysh atë që përmendët edhe ju në pyetjen tuaj, që kam qenë pjesë e grupeve të punës të ngritjes së disa muzeve kombëtare. Ajo punë, edhe se nuk quhej arrendim, arredim ishte. Duke u kthyer tek pyetja juaj, mendoj se kjo kohë të mundëson më shumë punën si arkitekt interieresh sesa si piktor, skenograf apo kostumograf, edhe se dashuria ime për to është e madhe. Pastaj arredimin tani e dua po aq sa pikturën, skenografinë e kostumografinë, prandaj le të flasim më mirë për të.

Ju pëlqen më shumë të arredoni një banesë apo lokal duke e marrë nga pronarët vetëm me katër faqet e murit apo të ndërhyni mbi ato ekzistuese?

-Arredimi është art dhe nuk mund ta bëjë kushdo. Gjatë këtyre viteve që merrem me këtë punë, konstatoj se bëhen shumë emisione televizive e shkruhen shumë artikuj në gazeta për këtë fushë kaq të rëndësishme në jetën e një familjeje apo aktivitetin e një biznesi. Unë e kuptoj që kjo propagandë e madhe mban vulën e industrisë së mobilieve, ndriçuesve apo elektro-shtëpiakeve dhe shpesh i huton e i vendos përpara dilemës së madhe familjarët apo pronarët që në shumë raste nuk dinë nga t’ia fillojnë kur bëjnë apo rikonstruktojnë shtëpinë apo lokalin. Këtu dua të bëj një sqarim. Shumë njerëz mendojnë se duke parë këto emisione apo duke lexuar këto artikuj, mund të bëhen edhe arkitektë të shtëpive apo lokaleve të tyre. Dhe, fillojnë nga puna duke i thënë vetes “e bëj për qefin tim”… Pastaj, mendimeve të tyre u shtojnë edhe dëshirat e grave, fëmijëve, prindërve, miqve, mikeshave, dhe në fund, kush i pyet, u thonë me mburrje “e kam bërë vetë”!... Në fakt, kjo është një dukuri që sot nuk ndeshet vetëm brenda mureve të shtëpive.

Mos është e ekzagjeruar kjo që po thoni?
-Përkundrazi. Unë i respektoj njerëzit dhe paratë e tyre, ndaj dhe mendoj ndryshe nga ata. Por kjo lloj kulture mungon që nga njerëzit e thjeshtë deri tek ata që na drejtojnë. Ndryshe Tirana nuk do të ishte kaq kaotike dhe stresuese siç është sot.

Atëherë, ju si profesionist çfarë do t’iu këshillonit këtyre njerëzve. Si do të ndikoni te njerëzit për kulturën e arredimit?
-Këshilla ime është vetëm një frazë: mos harxhoni para për të arreduar një banesë, një lokal apo institucion vetë, pasi do të harxhoni më shumë dhe nuk do ta bëni kurrë ashtu si mund ta bëjë një arkitekt interierësh.

Në se më lejoni, do të dëshiroja të dalim pak nga ambientet e brendshme që ju arrendoni dhe të bashkëbisedojmë për ambientet e jashtme apo për Tiranën tonë. Si e shihni si piktor qytetin ku jetoni?

-Jo vetëm në qytetin ku unë jetoj, pra në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, prej kohësh konstaton lehtësisht një masakër urbane që ka për autor qeveritë qendrore dhe vendore të këtyre viteve të tranzicionit. Them qeverive dhe jo popullit, pasi qeveritë janë ato që i kanë mjetet dhe mundësitë në dorë për ta prishur apo rregulluar këtë gjë. Për mendimin tim, asgjë nuk bëhet pa dashje apo nga padituria, por falë Zotit, gjërat duket sikur po ndryshojnë për mirë. Dhe këtu kam parasysh faktin që po vendosen në vendin që u takon urbanistët, arkitektët, artistët figurativë, ambientalistët e specialistë në shumë fusha të tjera, dhe, mbi të gjitha, po u merret mendimi profesional profesionistëve. Nëse këta njerëz profesionistë, me fantazi, me pretendime, të guximshëm, kurajozë, do të vazhdojnë të jenë pjesë e grupeve të punës dhe mendimi i tyre do të dëgjohet për rregullimin urban të qytetit, nuk kam të drejtë të mos shpresoj se një ditë edhe qyteti im do të jetë si gjithë qytetet e botës së qytetëruar. Në të kundërt, nëse vazhdojmë si deri më sot të imitojmë dhe bëjmë atë që është bërë diku sepse “kjo është më e mira”, atëherë do të mbetemi aty ku jemi apo në fund. Për mua, motua duhet të jetë “sa më shumë krijime të reja në përshtatje me terrenin konkret”.

Pse mendoni ju se specialistët tanë që kanë asistuar në këtë batërdi, mund të bëjnë që sot e tutje punë të mira?
-Unë besoj pasi, për mua është shumë e rëndësishme se kush është në krye të grupeve të punës që sapo përmenda. Nëse në krye të këtyre grupeve të punës do të ketë njerëz vizionarë, me fantazi, mendje hapur, pjesëtarët e këtyre grupeve do të kenë mundësi ta thonë dhe mbrojnë mendimin e tyre profesional pa frikë e me forcë. Akoma më shumë pastaj, rezultatet do të jenë të dukshme nëse ai që jep orientimet e përgjithshme dhe më kryesorja që miraton projektet dhe idetë e paraqitura do të jetë njeri vizionar, njeri me ide, njeri me fantazi, mbi të gjitha njeri idealist.

Keni parasysh emra konkretë kur pohoni këtë gjë?
-Po. Kam parasysh kohën kur Edi Rama drejtoi Bashkinë e Tiranës. Atëherë profesionistët pyeteshin e dëgjoheshin. Dhe Tirana ndryshoi për mirë. Për këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Tani që u zgjodh kryeministër, shpresoj shumë që vizioni i tij krejt i veçantë dhe bashkëkohor, të gjejë shtrirje në gjithë Shqipërinë.

E thoni këtë nga njohjet personale që mund të keni pasi të dy jeni piktorë apo?
-Absolutisht jo. Unë me Edi Ramën sigurisht njihem, por kjo nuk është kryesorja. Për ata që nuk e dinë, kur hyri në konkurs në Liceun Artistik ( për fatin e mirë atë vit kam qenë anëtar komisioni ), ai është nxënësi që doli i pari mes 420 konkurrentëve që u përzgjodhën duke parë punët e tyre pa emër. Më pas gjatë viteve të Liceut, ai mbetet nxënësi që të detyronte ta ktheje kokën nga puna e tij, pasi ajo ishte ndryshe nga punët e të tjerëve. Edhe në Institut, e njëjta gjë ka ndodhur. Ai mbeti i veçantë, befasues dhe interesant me punët e tij. Tani, më thoni ju, pse të mos shpresoj unë tek një piktor shumë i talentuar se mund të ma rregullojë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë me vizionin e tij?!...
Në atë kohë unë nuk u nisa nga njohjet kur e vlerësova. Kam qenë nënkryetari i komisionit të pikturës. Ne vendosëm atë vit për herë të parë që t’i mbulonim emrat. Konkursi u zhvillua edhe nëpër rrethe. Nga rrethet u bë një seleksionimin, në lice erdhën nga gjithë Shqipëria 420 nxënës dhe erdhën në tiranë për të konkurruar në lice. Ne vendosëm atë vit për herë të parë që të mbulonim emrat që të evitonim n maksimum ndërhyrjet. Në lice do të vinin vetëm 40 veta dhe dhjetë të parët vendosëm që t’i votonim me shpejtësi, se ata edhe nuk i kishin emrat. Kur hapën emrat vumë re se ajo që kishte marrë vendin e parë, ishte Edi Kristaq Rama. Ishte e i pari me votë absolute.

Nuk e kishit njohur më parë?
-As nuk e kisha parë. Më vonë kur filloi liceun e pashë. Ishte një djalë i gjatë, i pashëm dhe binte në sy shumë. Ndërkohë që ai filloi unë nuk e kisha nxënës, e kishte Ferit Zela kolegu im, por kolegu ime e kishte dhjetë metra larg klasën nga mua dhe me ftonte të shikoja pikturat. Ato të Edit dalloheshin dhe Ferit Xhela më fliste me shumë simpati. Pastaj ne kemi komunikuar, kemi folur, por nuk kisha shumë afërsi. Dëgjoja në atë kohë që flitej nga mësuesit e tij se shkëlqente të gjitha lëndët, në matematikë, në letërsi, dhe sigurisht në këto lëndët artistike dhe mbaj mend që nuk sillte në atë kohë probleme për asnjë gjë, edhe pse ishte adoleshent. Binte në sy që ishte shumë i shoqërueshëm me shokët. Jepej pas sporteve dhe mbas leximeve. Edi Rama nuk ishte vetëm një nxënës i shkëlqyer, por edhe komod për mësuesit. Të gjithë e kishin të thjeshtë t’i jepnin mësim. Binte ne sy cilësia në pikturim, në vizatim. Më vonë Edi iku institut dhe mbeti një student shumë i mirë edhe atje. Ndërsa gjatë periudhës së studimeve të larta, u bë i njohur se filloi me këto diskutimet që kapërcenin tabutë ideologjike dhe tradicionale aty para pak para viteve ‘90. Filloi të hapë edhe probleme, sepse krijoi edhe një polemikë të avancuar për kohën.

Pati incidente ose sulme mbi personin e tij për këto?
-Në atë kohë Edi vërtetë shfaqej më i avancuari, por në heshtje kishte një lloj aprovimi, edhe nga pedagogët e tij. Kështu që Edi ngrinte diskutime problematike për probleme të artit e të filozofisë dhe estetikës së artit, dhe përmes kësaj përcillte atë që kishte lexuar. Lexonte kritikë arti dhe estetikë pa fund dhe kështu ai impononte një lloj qetësisë dhe kurioziteti kur fliste gjëra që ishin të reja.

Po nga afër kur e keni njohur dhe si?
-Unë vete nuk kam bashkëpunuar me të, por ka qenë një lidhje e tillë që vinte nga rrethi i shokëve të mi, i cili ka qenë në një farë mase edhe rrethi i shkove të tij. Lidhjet me Edin kanë qenë si të thuash lidhje idesh, se para ‘90-s filluan disa grumbullime artistësh që kishin pikëpamje disi më të avancuara. Dhe këto bëheshin midis piktorëve të rinj në atë kohë dhe brezit të 40-vjeçarëve. Edi është afruar dhe ka qenë protagonistë në këto grupe. Pra ishte ai grup që ndiqte me interes bisedat e Edit që bunet në Fakultetin e Arteve, me refleksionet. Unë i ndiqja dhe në biseda mes miqsh i quanim shumë interesante. Idetë e tij ishin për një thellim më të avancuar në problematikën e artit dhe në atë kohë kishin vlerë, se nxisnin një seriozitet të jashtëzakonshëm tek talentet. Edi rrezatonte përgatitje dhe kjo i dha atij famë, sepse Edi të jep përshtypjen e një njeriu e merr me seriozitet çdo gjë që bën. Serioziteti ishte në tiparin e tij kryesor që në rini.

Nëse më lejohet t’ju pyes, ky artisti dikur adoleshent në Lice, nuk ka pasur ndonjë incident, ndonjë marrëzi, ndonjë kokëkrisje si të gjithë në rini?
-Për çudi Edi ngaqë ka pasur shumë shokë, dhe si natyrë ka qenë mjaft miqësor, sa e donin të gjithë, nuk hapte probleme të tilla. Ishte miqësor edhe me profesorët, edhe me të rriturit. Nuk ka qenë i kufizuar asnjëherë në miqësi, me të gjithë atë që njihte. Dhe ishte një ndër ata që nuk i mungonte asgjë. Kishte libra, veshje të mira, ishte i pashëm dhe i mbështjellë nga adhurimi i vajzave. Pavarësisht moshës që kishte në thelb ishte një nxënës serioz. Shumë serioz ishte në sjellje edhe në fakultet, ndërsa rebel ishte në idetë që shfaqte. Por, këto ide kishte ardhur koha që t’i përfaqësonte pjesa më e zhvilluar e shoqërisë shqiptare, pjesa më e emancipuar e saj. Ndaj unë kam shumë besim se idetë e për ecjen përpara të Shqipërisë në drejtimin e si kryeministër, dhe shpreh bindjen se do të përqafohen nga të gjithë edhe sot.  

Dakord, le të flasim për punën e një profesionisti, arkitektit të interierit. Si mund ta dimë se kush është e kush nuk është profesionist?
-Duke iu shmangur që të flas për veten time, ju siguroj se nuk është punë e lehtë, pasi një profesionist dallohet nga koncepti kryesor që duhet të krijoj një ambient të bukur jo për vete, por edhe për investitorin dhe mjedisin qytetës në tërësi. Me dy fjalë një profesionist duhet të krijoj një ambient të bukur, intim, funksional, të ekspozoj foto, objekte apo vepra arti me vlerë, të krijoj një ndriçim sa më çlodhës, në mënyrë që investitorit, jo vetëm t’i pëlqejë projekti, por të kthehet në bashkëpunuesin e atij që është profesionist. Kultura dhe profesionalizmi duhet të jenë një.

Ju, pasi mbaroni së arreduari një shtëpi apo lokal, e ktheni kokën mbrapa apo e harroni atë dhe mendoni për diçka tjetër?
-Më qëllon shpesh të kthehem dhe të shikoj punën që kam bërë diku, sidomos kur dua t’ia tregoj dikujt. Kur e gjej shtëpinë apo lokalin ashtu si e kam ndërtuar unë dhe të mirëmbajtur, ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme, si dhe më shtohet respekti për ata që jetojnë apo e administrojnë atë. Për fat, këtë mendim e kam për mjaft njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Vetëm mendim pozitiv keni?
-Jo. Ka dhe raste kur shikoj ndryshime dhe atëherë ndjej keqardhje për atë që i ka bërë ato pasi, në fakt, e ka prishur ambientin me paditurinë e tij apo të saj.
Dakord, po, të mos harrojmë se këto gjëra nuk bëhen kollaj, pasi nuk kemi të bëjmë me një pikturë që bëhet në studio dhe ekspozohet diku në një faqe muri. Këtu flitet për rrugë, mbikalime, ura, parqe, ndërtime, dhe jo vetëm në

Tiranë po në gjithë Shqipërinë, për probleme të shumta pronësore e financiare… Si do të kapërcehen këto?
-Së pari, e mbi të gjitha, duke bindur njerëzit që realizimi i tyre është në të mirë të tyre dhe do ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre. Së dyti, jo më pak rëndësi ka konkurrenca midis projekteve. Sa për problemet financiare, ato nuk janë më problem nëse ekziston dëshira e mirë e qeveritarëve për ta bërë qytetin të jetueshëm dhe të dashur për qytetarët.

Redaksia online
(Intervista u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar

112-vjetori i Pavarësisë, presidenti Begaj: Ftoj bashkëatdhetarët tanë të kenë angazhim e iniciativë të çojnë para arritjet e kombit shqiptar