Gjergji Thimo, shtëpi muze
ikonash, koleksionoi për trafik

Gjergji Thimo, shtëpi muze<br />ikonash, koleksionoi për trafik
TIRANE- Kishte ëndërr të hapte një muze ikonografik. Ja përpjekjet që nga ’90-ta me leje nga ministri Teodor Laço dhe firmat e 100 intelektualëve
 
Një nga të arrestuarit e operacionit “Ikonat” është koleksionisti më i madh i ikonave Gjergji Thimo. Veprat ai i mbante në katin e dytë të një ndërtese në rrugën “Don Bosko” në një dhomë dhe paradhomë, ku sundonin kudo nga dyshemeja deri në tavan ikona, zbukurime të tjera kishtare, e piktura të hershme. Në një intervistë matrrë atij  në 6 tetor 2010, Gjergji Thimo rrëfeu gjithë historinë e tij lidhur me këtë pasuri marramendëse, luftën e ashpër mes koleksionistëve, dhe përpjekjet  e mëdha për ta mbrojtur këtë thesarë nga hajdutët si dhe ëndrrën për të ndërtuar një muze.Deri në vitin 1997, siç thoshte vetë, Gjergji i ka mbajtur veprat në shtëpinë e tij në Korçë, ku pas një tentative për vjedhje të koleksionit u zhvendos bashkë me të në Tiranë.

Ai është shprehur disa herë se prej vitit 1996 ka luftuar për të ngritur të parin Muze të ikonografisë shqiptare, me qëllim ekspozimin, por dhe ruajtjen e këtyre vlerave të ikonografisë shqiptare. Sipas tij “muzeu është themeluar që në vitin 1996, me mbështetjen e ish-ministrit të Kulturës, Teodor Laço, me një vendim të veçantë të qeverisë shqiptare të asaj kohe. “Në aspektin ligjor, ky muze figuron i regjistruar si në gjykatë edhe në Ministrinë e Kulturës që në vitin 1996. Dhe që nga ky vit e deri më sot përpjekjet e mia kanë qemë maksimale për ta konkretizuar projektin e këtij muzeu”, ka thënë Thimo, në një prej intervistave të tij, duke theksuar se për këtë projekt ka marrë firmën e 100 intelektualëve mes të cilëve edhe atë të Ismail Kadaresë, për të cilin ka thënë se: “Në një vizitë të asaj kohe në Korçë vlerësoi koleksionin tim privat dhe u bë mbështetës i këtij projekti. Ishte pikërisht mbështetja e disa prej intelektualëve shqiptarë, që në ato vite vuri në lëvizje pushtetin lokal në Korçë, që fillimisht më premtoi një vend për ngritjen e këtij muzeu”.

Sipas tij, në regjistrimin që ka bërë  në MTKRS-së, që i përket vitit 1996, muzeu është emërtuar Muzeu i Artit dhe Kulturës Shqiptare. Ndërsa për sa i përket tentativës për grabitje të koleksionit të tij në Korçë ka rrëfyer këtë histori: “Në vitin 1997 shtëpinë time në Korçë e sulmuan për ta vjedhur. Ka qenë ndërhyrja e policisë që shmangu vjedhjen e koleksionit. Vetë drejtori i policisë së asaj kohe më dha dy automatikë për të mbrojtur shtëpinë dhe veprat që unë mbaja aty. Në atë periudhë më dogjën edhe shtëpinë në Korçë, në një kohë ku qarkullonin shumë banda të Vorio-Epirit. Bëra dhe denoncim në ShIK. Kam kaluar peripeci deri dhe kërcënime për jetën”.

Sipas tij, të gjitha objektet, Gjergji Thimo i ka pasur të regjistruara në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Po sipas tij në shtëpinë me qira në rrugën “Don Bosko kishte 150 vepra ikona, piktura etj. Pas plotësimit të gjithë dokumentacionit dhe kartelizimit të këtyre veprave Gjergji Thimo ka rrëfyer se i është drejtuar edhe Këshillit të Ministrave, që në atë kohë kishte kryeministër Fatos Nanon të cilit i ka prezantuar dosjen e plotë të këtij projekti, për të cilin nuk mori kurrë një përgjigje.  Më këtë pasuri të vyer, që e mban prej vitesh në shtëpi ai ka hapur në vitin 1999 në Muzeun Historik Kombëtar të parën ekspozitë të ikonografisë shqiptare. Nuk dihet ende nëse veprat e konfiskuara dy ditë më parë nga policia janë objektet që sipas tij i ka kartelizuar në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore në emër të tij, apo objekte të tjera të pa inventarizuara. 

Tashmë Gjergji Thimo duhet të tregojë me hollësi para hetuesve origjinën e veprave të tij, ku, si dhe nga kush i ka blerë objektet e rralla të koleksionit të tij. Kjo mund të çojë në zbardhjen e plotë të nëj prej skenarëve më të errët të zhdukjes së veprave të rralla ikonografike nga kishat që nga fillimi i viteve ‘90 e deri më sot.
 
Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë