BERLIN, 4 dhjetor /ATSH-DPA/ - Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi sot zhvillimin e bizneseve më shumë dixhitale dhe rregulla më lehtësuese për "start-ups" (kompani pionere në fushën e teknologjisë shën.i përkth.), duke shtuar se një përqëndrim më i lartë në strategjitë dixhitale mund të ndihmojë në rritjen e punësimit të të rinjve dhe të ndihmojë rritjen ekonomike në Evropë.
"Shumë më shumë vende pune do të krijohen në këtë mënyrë se sa numri i vendeve që do të eleminohen nga ekonomia klasike nga dixhitalizimi", tha ajo në një mbledhje ndërkombëtare në "Vodafone Institute for Society and Communications" në Berlin.
"Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të eksplorohen mundësitë dixhitale", tha ajo.
"Por gjëja më e mirë do të jetë që të kemi të njëjtat procedura për krijimin e një biznesi në të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian", shtoi ajo.
Qeveria Merkel muajin e kaluar shpalli 50 milionë euro investime në programe si "Smart Service Welt" të kompanisë BMW, që të shtyjë bixneset që të përpiqen të nxjerrin shërbime që shfrytëzojnë internetin.
Gjermania ka qenë nën presion nga Franca, Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera që të rigjallërojë ekonominë e eurozonës duke rritur shpenzimet qeveritare. Merkel i është përgjigjur këtyre kërkesave duke thënë se do të nxisë investimet në fushën dixhitale./
/G.S/











