/ATSH-ANSA/ - Pas atentatit të djeshëm kundër revistës satirike franceze "Charlie Hebdo", që u shoqërua me vdekjen e 12 personave, policia gjermane ka bindjen se edhe manifestimet e PEGIDAS-s, të ashtuquajturit "patriotët evropianë kundër islamizimit të Perëndimit" (Patriotische Europäer Gegen die Islamisierung Des Abendlandes) mund të jenë shënjestër e atentateve, deklaroi sot presidenti i sindikatës së policisë gjermane, Reiner Wendt për gazetën "Handeslblatt".

"Askush nuk mund të thojë nëse ka kërcënime konkrete për atentate, por megjithatë nuk duhet shumë fantazi për të përcaktuar manifestime dhe sllogane që kritikojnë Islamin si objektiva të mundshme të terrorizmit", deklaroi Wendt.

"Eshtë e pamundur të ruash plotësisht demonstrimet në sheshe nga një rrezik i tillë", thekson ai.

"Ka ardhur koha që politika e sigurisë e Gjermanisë dhe e Evropës, duke parë mungesën e një strategjie, të sqarojë se çfarë objektiva dhe me çfarë mjete do të duhet të ruhet e ardhmja përballë shumë shkurtimeve të imponuara nga masat shtrënguese ekonomike", shton zyrtari gjerman.
"Deri tani Gjermania ka patur fat dhe shpresoj ta ketë edhe në të ardhmen", përfundon Wendt