Eksportet gjermane përjetojnë rënien më të madhe të pesë viteve të fundit pas një kontraktimi të shpejtë të kërkesës nga partnerët kryesorë tregtarë të vendit në zonën euro si edhe të rënies së kësaj kërkese për shkak të një serie krizash globale.

"Eksportet nga ekonomia më e madhe e Evropës ranë 5,8 për qind përgjatë muajit gusht, ndërkohë që gjatë korrikut ishin rritur 4,8 për qind", deklaroi sot Zyra Federale e Statistikave.

"Rënia e eksporteve përgjatë gushtit përfaqëson rënien më të madhe që nga janari i vitit 2009, kur kriza financiare globale goditi sektorin gjerman të industrisë, çka i hapi rrugë recesionit në vend", shtoi ajo.

"Importet mujore ranë në mënyrë të habitshme 1,3 për qind gjatë gushtit, nga 1,4 që kishin rënë në korrik", tha kjo zyrë.

Ndërkohë, edhe balanca sezonale tregtare ra në 17,5 miliardë euro përgjatë gushtit.

ATSH