BERLIN - Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, gjykoi si legjitime kritikën mbi investimet e pakta të vendit të tij, në një intervistë të publikuar sot, por rikonfirmon mos pranimin e financimit të investimeve me borxhin publik.
"Ne duhet të investojmë më shumë dhe të përmirësojmë konkurencën", deklaroi ministri konservator për të përjavshmen "Welt am Sonntag".
"Në këtë aspekt kritikat që na drejtojnë janë legjitime", shtoi ai.
"Por nuk duam një rritje me kredi", vazhdoi ai, duke përjashtuar një devijim nga objektivi për të krijuar një buxhet federal në ekuilibër vitin që vjen, që do të thotë se Berlini nuk do të marrë më borxhe të reja.
Debati është përhapur prej disa muajsh në Evropë dhe prej disa javësh edhe në Gjermani, mbi të mirën që vjen nga shtrëngesat buxhetore ndërkohë që rritja ekonomike ka ngecur dhe që Gjermania ka ndjeshëm nevojë për investime, në infrastruktura apo në energji për shembull.
Schauble nuk e konteston këtë pikë. "E kam thën, se kemi nevoj për më shumë investime", deklaroi ai për "Welt am Sonntag".
"Do të punojmë për këtë në nivel kombëtar dhe evropian. Kjo nuk mund të bëhet brenda ditës, por ne duhet të jemi të përqëndruar në disa objektiva, si informatika në nivel evropian, tregu i brendshëm energjetik, mirëmbajtja e infrastrukturave tona", vazhdoi ai.
Deri tani Schauble ka përmendur shpesh herë disa pista për të stimuluar investimet private, dhe ka refuzuar të investojë para të tjera publike./ATSH/











