Gjermania, 93,39 milionë euro Shqipërisë për zhvillimin e sektorëve prioritarë

Gjermania, 93,39 milionë euro Shqipërisë për zhvillimin e sektorëve prioritarë

Firmosja e marrëveshjes Shqipëri-Gjermani në Berlin

Berlin është nënshkruar sot Protokolli i Bashkëpunimit me Gjermaninë për vitet 2024-2026, me në fokus zhvillimin e sektorëve prioritarë të qeverisë shqiptare.

Në bazë të këtij protokolli parashikohet një mbështetje financiare për qeverinë shqiptare në vlerën prej 93.39 milionë euro (nga këto 33.39 milionë € grante, 60 milionë € kredi me interes të ulët), ose rreth 22% më shumë krahasuar me mbështetjen financiare të ofruar gjatë periudhës 2022-2024.

Mbështetja financiare do të jetë për energjinë dhe infrastrukturën, turizmin, arsimin profesional, bujqësinë, si dhe mbështetjen teknike në procesin e përafrimit të legjislacionit në kuadër të procesit të Integrimit Europian.

Ambasada gjermane në Tiranë përmes një njoftimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar planin e përbashkët në fushën e bashkëpunimit ekonomik, si “një tjetër gur kilometrik në bashkëpunimin tonë 36-vjeçar gjermano-shqiptar”.

“Pas 2,5 ditësh bisedimesh dhe negociatash intensive, drejtuesit e delegacioneve, përbërë secila prej rreth 10 anëtarësh, nënshkruan sot një plan të përbashkët pune për vitet 2025/2026 në fushën e bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane.

Ndër të tjera në postimin në rrjetet sociale, Ambasada gjermane shton se në këto kohë të vështira dhe me buxhete të kufizuara, Gjermania ka rritur mbështetjen e saj për Shqipërinë në krahasim me vitet e shkuara.

Sipas Ambasadës gjermane, me këtë duan të japin një mesazh të qartë, se “vlerësojmë përparimet në reforma të vendit dhe i qëndrojmë në krah partnerëve tanë me vlerë në procesin e anëtarësimit në BE”.

“Angazhime të reja financiare prej 93.39 milionë € (nga këto 33.39 milionë € grante, 60 milionë € kredi me interes të ulët) për një gamë të gjerë temash nga Energjia dhe Klima, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe arsimi profesional flasin qartë: Në këto kohë të vështira me buxhete të kufizuara dhe kriza globale, Gjermania madje rrit mbështetjen e saj për Shqipërinë në krahasim me vitet e shkuara! Me këtë duam të japim një mesazh të qartë:

Ne vlerësojmë përparimet në reforma të vendit dhe i qëndrojmë në krah partnerëve tanë me vlerë në procesin e anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin e Ambasadës gjermane, duke shprehur falenderime për punën konstruktive delegacionin shqiptar, nën drejtimin e Eridana Çanos, drejtoreshë e SASPAC.

Drejtoresha e përgjithshme e SASPAC, Eridana Çano shoqërohej edhe nga drejtori i  përgjithshëm i Industrisë dhe Energjisë në MIE, Besjan Kadiu.

Kadiu thekson në një postim në rrjetet sociale se “pas dy ditësh negociatash intensive, jam i lumtur të njoftoj që u nënshkrua zyrtarisht protokolli me qeverinë gjermane. Arritjet kryesore: Siguruam financimin për rehabilitimin e HEC Fierza dhe digjitalizimin e nënstacioneve në rrjetin e transmetimit (EUR 60 milionë kredi, EUR 2 milionë grant).

Mbështetje me grant për transportin e qëndrueshëm (EUR 1 milion); Mbështetje me grant për eficiencën e energjisë në godina publike (EUR 20.39 milionë); Angazhim i fortë për të mbështetur më tej rehabilitimin e HEC Vau i Dejës”.

Gjithashtu, ai bën me dije se diskutuan mbi progresin e projekteve aktuale në transmetim, shpërndarje dhe eficencë energjetike.

“Hapa të mëdhenj përpara për një të ardhme më të qëndrueshme dhe moderne të sektorit të energjisë”, deklaroi Kadiu. /ATSH/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty