“Protestat janë një e drejtë e qytetarëve, por mbeten një çështje e brendshme politike e Shqipërisë.”
Kjo ishte përgjigjja që dha Ministria e Jashtme e Gjermanisë pasi Deutsche Welle pyeti qeverinë gjermane për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, kontaktet e mundshme me protestuesit dhe pritshmëritë ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë konferencës së qeverisë gjermane, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Giese, u pyet nëse Berlini është në kontakt me protestuesit në Shqipëri, nëse është në dijeni të kërkesave të tyre dhe cili është qëndrimi i Gjermanisë për zhvillimet e fundit.
Giese tha se autoritetet gjermane janë në dijeni të raportimeve për protestat, duke përmendur se ato lidhen kryesisht me një projekt kundër të cilit ka kundërshtime.
“Unë i kam marrë parasysh njoftimet për këtë. Bëhet fjalë sidomos për një projekt kundër të cilit ka protesta. Sigurisht njerëzit në Shqipëri kanë të drejtë të protestojnë, por kjo është një çështje e brendshme politike në Shqipëri. Për këtë nuk mund të japim më shumë informacion”, deklaroi ai.
Zëdhënësi gjerman nuk dha detaje të tjera lidhur me kontaktet e mundshme të Berlinit me protestuesit dhe as mbi ndonjë pritshmëri konkrete ndaj qeverisë shqiptare.
Komente







