Ministri gjerman për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik, Gerd Müller gjatë takimit me ministrin e Financave të Republikës së Kosovës, Besim Beqaj, në Berlin, ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Kosovën dhe do t'i inkurajojë bizneset që të investojnë në vendin tonë, duke theksuar se samiti i djeshëm ishte sinjal i qartë për përkushtimin e Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin.

Ministria kosovare bëri të ditur sot se, Beqaj falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë qeveria gjermane për aspiratat euro-atlantike të vendit dhe theksoi se  gjatë 15 viteve në kuadër të bashkëpunimit teknik dhe financiar qeveria gjermane ka investuar më shumë se 420 milion euro.

Gjatë takimit u bisedua për realizimin e linjës së transmisionit me Shqipërinë dhe modernizimin e sistemit të transmisionit të Kosovës, si dhe të projekteve tjera.
Ministri Beqaj falënderoi Ministrin Müller për mbështetjen teknike në arsim, financa publike, administratë, shoqëri civile, kadastër dhe fushat tjera.

Njëkohësisht, ministri e njoftoi ministrin Müller për zhvillimet aktuale ekonomike në Kosovë, si dhe për reformat e ndërmarra në drejtim të forcimit të rendit dhe ligjit dhe rritjes së konkurueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare.
Ministri Beqaj e ftoi ministrin Müller për vizitë në Kosovë gjatë negociatave bilaterale që parashikohet të mbahen në nëntor të këtij viti, me rastin e 15 vjetorit të  bashkëpunimit bilateral Kosovë - Gjermani./ATSH/