Para takimit të 14 shtatorit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç vijnë porositë nga Gjermania. Raundi i ri i dialogut të nivelit të lartë zhvillohet pas muajsh tensionesh të larta në veri të Kosovës.
Diplomacia perëndimore sërish është vënë në lëvizje në përpjekje për të shtyrë përpara arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve. Dy ditë para takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel, në Prishtinë qëndroi, kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, i cili pas takimit me kryeministrin Kurti shkroi në platformën X se "më në fund na duhet një përparim në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Roth e ka mbështetur vazhdimisht Kosovën
Kryeministri Kurti nga ana e tij, tha se me deputetin gjerman "është diskutuar rreth reformave të Qeverisë, për situatën aktuale në vend, dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe takimin e radhës të nivelit të lartë politik që do të mbahet të enjten e kësaj jave”. "Ai falënderoi z. Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës por edhe për mbështetjen e tij. Michael Roth ishte njëri nga nënshkruesit e parë të letrës së përbashkët të 10 kryetarëve të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të 16 shteteve, në të cilën ishte shprehur mbështetja për Kosovën dhe ishte bërë thirrje për qasje më të ashpër ndaj Serbisë”, thuhet në një komunikatë të zyrës së kryeministrit.
Gjermania megjithatë kërkon si nga Kosova edhe Serbia që të zbatojnë marrëveshjen drejt normalizimit dhe të përkushtohen për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se "raundi i ri i dialogut në nivel të lartë, i caktuar për 14 shtator, vjen në një moment kritik”.
"Takimi i nivelit të lartë më 14 shtator vjen në një moment kritik. Na duhet përkushtimi i plotë i të dyja palëve për shtensionim të plotë, për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe për një demokraci pjesëmarrëse. Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet tani. Nuk duhet të ketë më lojëra për të fajësuar të tjerët. Hiqni pengesat për përparim. Është koha të veprohet në të mirë të të gjithëve”, shkroi Rohde në X, që më herët njihej si Twitter.
Duhet të organizohen zgjedhjet në veri të Kosovës
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet. Prishtinës zyrtare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës, ndërkaq Beogradit që të inkurajojë serbët të marrin pjesë në votime. Kosova dhe Serbia në muajin shkurt në Bruksel, arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj. Marrëveshja prej 11 nenesh nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t'i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë, pasaportat, diplomat dhe targat./DW