Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve dhe socialdemokratëve,qeveria gjermane i vendosi vetes objektivin e mëposhtëm: "Ne do të krijojmë një sistem pensioni të besueshëm për të gjitha brezat." Për ta arritur këtë, Friedrich Merz beson se sistemi i pensioneve duhet të reformohet dhe kancelari gjerman dëshiron të përshpejtojë procesin.

Një "reformë gjithëpërfshirëse e pensioneve" do të nisë këtë vit

Këtë e njoftoi Friedrich Merz e deklaroi në pritjen vjetore të Bursës Gjermane (Deutsche Börse) në Eschborn, pranë Frankfurtit.  Ideja e tij themelore për reformën e planifikuar  është që sigurimi i detyrueshëm i pensioneve të ruhet, por të jetë vetëm një element ndër të tjerët në një nivel të ri gjithëpërfshirës mbulimi. Sigurimet private të pensioneve dhe pensionet e ndërmarrjeve, të cilat financohen me bazë kapitalizimi, duhet të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se më parë, theksoi Merz, duke iu referuar një "ndryshimi të afërt të paradigmës në politikën gjermane të pensioneve".

Pensionet janë një prioritet në reformat sociale

Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, kreu i kancelarisë, Thorsten Frei, gjithashtu vendosi si qëllim nisjen e reformës së pensioneve në vitin 2026. "Deri në fund të vitit, ne do të kemi zbatuar reformat e para të mëdha sociale, dhe përparësi u kemi dhënë pensioneve," tha politikani i CDU-së. Por gjithashtu është e qartë "se jo gjithçka do të jetë gati deri në dhjetor." Aktualisht, një komision për pensionet po shqyrton propozime të mundshme. Ai duhet t'i paraqesë ato deri në fund të tremujorit të dytë. Sipas Frei-t, disa nga këto propozime mund të zbatohen mjaft shpejt, ndërsa të tjera do të kërkojnë një periudhë më të gjatë përgatitore.

Vitin e kaluar, pensionet ishin subjekt i polemikave të ashpra, edhe brenda partive konservatore unioniste. Organizata e rinisë e CDU-së, Junge Union (JU) protestoi kundër planeve për reformën e pensioneve të dakorduara midis partive unioniste dhe SPD-së dhe kërcënoi se do të refuzonte paketën ligjore që duhej të miratohej nga Bundestagu para fundit të vitit 2025. Në fund, projektligji u miratua, pas një premtimi të bërë për të rinjtë se do të nisë një reformë themelore e pensioneve në vitin 2026.

Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në kërkon shkurtime në sistemin e pensioneve

Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në, një shoqatë sipërmarrjesh, së fundmi paraqiti propozime për reformimin e sistemit të pensioneve. Për të reduktuar shpenzimet federale, Këshilli propozoi shkurtimin e pensionit të posaçëm për nënat dhe eleminimin e daljes në pension në moshën 63 vjeç. Në vend të kësaj, mosha e daljes në pension duhet të lidhet "në afat të mesëm" me pritshmërinë e jetës.

Ndërsa propozimet e Këshillit Ekonomik u kritikuan ashpër nga të gjitha partitë, tani ato kanë mbështetjen e ekonomistes Veronika Grimm. "Na duhen propozime që reduktojnë barrën mbi buxhetin federal, por edhe mbi landet federale dhe komunat," tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF. Sepse krahasuar me vendet e tjera evropiane, barra e taksave dhe e sigurimeve shoqërore ka arritur në "nivel rekord".

Në fushën e sigurimeve të pensioneve, për shembull, shteti ka ecur kryesisht në drejtimin e gabuar, paralajmëroi Grimm. Dhe miliardat e parashikuara për vitet e ardhshme po ushtrojnë presion edhe më të madh mbi buxhetin federal. Prandaj, rritja e moshës së daljes në pension sipas saj, është një "faktor i rëndësishëm". Në mënyrë të ngjashme, "dalja në pension në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat duhet në fakt të vihen në diskutim".