Sektori gjerman i hekurudhave filloi sot grevën më të madhe që prej vitit 2008, që do të zgjasë deri të hënën, në sfondin e konfliktit të pagave dhe luftës së pushtetit mes sindikatave.
"Që prej fillimit të lëvizjes, vetëm 30 për qind e linjave të mëdha të trenave janë në qarkullim", shprehet kompania "Deutsche Bahn" në një komunikatë. Greva do të përfundojë të hënën në orën 02:00 GMT.

"Kjo grevë ka prekur gjithashtu linjat rajonale dhe urbane të trenave, si dhe transportin e mallrave, i prekur ndjeshëm që prej ditës së premte", shtoi kompania, pa dhënë shumë detaje.

Greva ka shkaktuar vështirësi në qarkullim pasi hekurudhat janë sektori i transportit publik më të përdorur nga gjermanët për të lëvizur.

Sindikatat dhe autoritetet njoftuan se janë vendosur në kontakt për zgjidhjen e situatës dhe se do t'i japin fund sa më shpejt kësaj gjendjeje kaotike në transportin hekurudhor para ditës së hënë.

"Me mjetet që kemi në dispozicion, të paktën një e treta e trafikut do të sigurohet në të gjithë vendin dhe rikthimi në normalitet do të jetë i garantuar", theksoi "Deutsche Bahn".
Sindikata e drejtuesve të lokomotivave GDL kërkon mes të tjerash një rritje të pagave me pesë për qind dhe një reduktim prej dy orësh nga java e tyre e punës.

ATSH