Gjermani/Studimi: Më pak refugjatë, më shumë punëtorë migrantë

Gjermani/Studimi: Më pak refugjatë, më shumë punëtorë migrantë

Sipas një studimi të organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD, Gjermania si më parë është një destinacion i preferuar si vend migrimi. Në bazë të një studimi krahasues të OCED, Gjermania renditet pas SHBA-së si vendi i dytë më i preferuar nga migrantët. Nga ana tjetër numri i të ardhurve si refugjatë në Gjermani ka rënë, në vend të tyre drejt Gjermanisë vijnë të huaj që kërkojnë punë apo duan të studiojnë, shprehet eksperti i OECD për migracionin, Thomas Liebig.

Në studim konstatohet edhe një fenomen tjetër. Gjithnjë e më pak punëtorë vijnë nga Europa Lindore. Polonia për shembull po kalon gjithnjë e më shumë nga një vend ku emigrohej në një vend destinacion për punëtorët migrantë. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë vetë nga Ballkani Perëndimor kërkojnë punë në Gjermani. Në të njëjtën kohë ka rënë ndjeshëm numri i kërkesave për azil nga Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Thomas Liebig e sheh modelin e "Rregullores së Ballkanit Perëndimor" të inicuar nga qeveria gjermane gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 si model për vende të tjera të OECD-së. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor është e suksesshme, thotë ai.

Aktualisht shanset e atyre që kërkojnë punë në Gjermani janë shumë të mira. Në fund të vitit 2018, gati 70% e të ardhurve kishin gjetur punë. Por punët që bëjnë ata janë të thjeshta, shumë të ardhur ose nuk paguhen mirë, ose janë të mbikualifikuar.

Megjithatë pritet valë e re refugjatësh

Sipas studimit, në vitin 2018 në Gjermani ka rënë numri i kërkesave të para për azil me 18,3%, gjithsej janë shtruar 162.000 kërkesa në këtë vit. Në të gjitha vendet anëtare të OECD janë shtruar 1,07 milionë kërkesa për azil. "Ky është një nivel shumë shumë i ulët", thotë Liebig.

Por OECD pret që në vitet e ardhshme të ketë sërish një valë të re refugjatësh. "Ne vetëm nuk e dimë, se kur", thekson eksperti i migracionit, Thomas Liebig. Ekspertët vënë re po ashtu se në vendet e OECD ndryshimet në politikën e azilit kanë sjellë përshpejtimin e procedurave të azilit dhe përdorimin më të mirë të qendrave pritëse. Në BE në tërësi kërkesat e para për azil kanë rënë në nivelin e vitit 2014, por Komisioni Europian raportoi, se në korrik të këtij viti është shënuar një rritje e shpejtë e kërkesave.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja