TIRANË, 5 Dhjetor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni, inspektoi zbatimin e projekteve të financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve në Lushnje, rikonstruksionin e Shtëpisë së Kongresit dhe përfundimin e projektit "Për përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit rom" në Savër.
Inspektimi i ministres Gjermeni nisi në Savër, ku sapo ka përfunduar rikonstruksioni i 22 ndërtesave të familjeve rome, si dhe është ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve. Nga ky projekt kanë përfituar rreth 50 familje të kësaj zone. Në bisedë me banorët, midis të tjerash Gjermeni tha: "Ndihem mirë teksa shikoj ndryshimin e sjellë falë përfundimit të projektit për përmirësimin e kushteve të banimit të komunitetit rom, financuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me vlerë 30 milionë lekë". Risi e këtij projekti është edhe angazhimi në punësim në gati afro 50% të komunitetit rom në këtë zonë, duke iu ardhur në ndihmë ekonomikisht këtyre familjeve. "Strehimi është një çështje prioritare për Qeverinë Rama. Theksojmë se në vitin që vjen numri i projekteve për këtë kategori vulnerabël do të trefishohet. Investimet në përgjithësi në fushën e strehimit do të rriten qoftë me fonde nga buxheti i shtetit apo dhe me projekte me financim të huaj", tha ministrja.
Më pas, Gjermeni inspektoi punimet e projekteve që Fondi i Zhvillimit të Rajoneve po financon në këtë qytet me vlerë totale investimi 237 milionë lekë.
Projekti i parë për "Rivitalizimin e sheshit në qendrën e qytetit të Lushnjës" transmeton një impuls të ri zhvillimi urban për këtë qytet. Ai do ta shndërrojë sheshin e Bashkisë në sheshin e qytetarëve të Lushnjës, duke krijuar më shumë hapësira publike, gjelbërim, unifikim të fasadave, krijimin e vendparkimeve për institucionet. Ai parashikon gjithashtu, krijimin e një sistemi të ri ndriçimi si dhe ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të shiut.
Projekti i dytë, i cili po ecën me ritmet e pritshme, synon rikonceptimin urban dhe arkitektonik të rrugës dhe hapësirave përreth. Rikonstruksioni do të ndikojë në përmirësimin e imazhit të qytetit, duke i dhënë pamjen e një zone urbane. Ky investim do të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe lehtësimin e trafikut hyrës dhe dalës në qytetin e Lushnjës.
Gjermeni vizitoi gjithashtu edhe godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjes. "Restaurimi i ndërtesës ku u mbajt Kongresi i Lushnjes dhe ngritja e zyrës Info-Point për turizmin në rrethin e Lushnjes me vlerë investimi 8,000,000 lekë është një tjetër premtim i mbajtur nga Qeveria Rama", u shpreh Ministrja Gjermeni gjatë vizitës në shtëpinë muze.
Ky projekt është bashkëfinancim i Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit me Bashkinë e Lushnjes. Përveç restaurimit të godinës, Ministria është gjithashtu duke punuar, për hartimin e një projekti, i cili do të përfshijë dhe ndërhyrje në bulevardin përpara shtëpisë së Kongresit, duke ndryshuar fizionominë e kësaj zone të qytetit.
Ministrja Gjermeni vizitoi gjithashtu, edhe spitalin "Hisan Çabej"./m.m/











