TIRANË, 10 Dhjetor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, deklaroi te merkuren se janë ndermarre hapa konkrete në luftën ndaj korrupsionit duke iu përmbajtur zotimeve të bëra përpara ardhjes në pushtet.
Gjermeni theksoi se në kuadër të luftës ndaj korrupsionit janë ndërmarrë edhe nisma edukuese nga ana e dikasterit që ajo drejton. Kështu, është bërë trajnim i vazhdueshëm i stafit si dhe fushata ndërgjegjësuese me qytetarët. Po ashtu, janë dhënë 2000 leje legalizimi, ndërsa hapësirat publike i janë rikthyer qytetarëve dhe është rritur transparenca e vendimmarrjeve.
"Të angazhuar maksimalisht për të qeverisur ndryshe. Në më shumë se një vit, kemi marrë disa masa parandaluese, forcimin e strukturave audituese, lehtësimin e procedurave për pajisjen me licensë në fushën e turizmit, forcimin e bashkëveprimin e qytetarëve etj.
Janë dhënë 7 rekomandime për përmirësimin e akteve nënligjore. Duke besuar se lufta kundër korrupsionit përtej shkollimit kërkon edhe edukimin, kemi marrë edhe disa masa si, trajnimin e vazhdueshëm të stafit, fushatë ndërgjegjësuese për qytetarët, krijimin e faqeve online, publikimin e të gjitha ligjeve dhe vendimeve që merr qeveria. Falë masave të ndërmarra, arritëm legalizimin e mbi 2000 objekteve, kthimin e hapësirave publike për qytetarët, transparencë në vendimmarrje. Për institucionin që unë drejtoj kemi arritur përmirësim në fushën e ligjit", tha Gjermeni. /a.ke/








