TIRANË, 17 Dhjetor / ATSH / - Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, zhvilloi sot një takim me Presidenten e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Turistike (WFTGA), Felicitas Wressing.
Gjatë takimit ministrja Gjermeni i ofroi Wressing një panoramë të reformave të ndërmarra nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit veçanërisht në lidhje me vendosjen e standardeve në të gjitha shërbimet që ofrohen në sektorin e turizmit. "Unë i konsideroj udhërrëfyesit turistikë - u shpreh Gjermeni - si ambasadorët më të mirë të vlerave kulturore dhe historike të vendit".
Në pranverën e këtij viti u certifikua grupi i parë i udhërrëfyesve turistikë kombëtarë dhe lokalë, të cilët ndoqën një trajnim 3 mujor.
"Ne mbetemi maksimalisht të angazhuar për të vendosur kritere të qarta dhe standarde ndërkombëtare për të gjithë personat që kanë dëshirë të ushtrojnë profesionin e udhërrëfyesit turistik, ndaj dhe në ligjin e ri "Për Turizmin", certifikimi i udhërrëfyesve turstikë zë një pjesë të rëndësishme", theksoi Gjermeni.
Gjatë takimit u diskutua dhe për plane konkrete mbi bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet Shqipërisë dhe WFTGA. Presidentja e Federatës Botërore të Shoqatave të Guidave Wressing, e informoi ministren mbi organizimin e një trajnimi shtatëditor në Shqipëri në 2015. Ky trajnim do të organizohet në bashkëpunim me shoqatën Kombëtare të Guidave Turistike dhe do të shërbejë si një model i mirë për rritjen e profesionalizmit, etikës në udhërrëfim dhe mbi të gjitha, të komunikimit me vizitorët e huaj dhe vendas.
Ministrja Gjermeni shprehu angazhimin e saj në rritjen e bashkëpunimit me WFTGA në të ardhmen edhe në kuadër të Programit të Organizatës Botërore të Turizmit "Rruga e Mëndafshtë".
Wressing ndodhet në Shqipëri në kuadër të Konferencës parë Kombëtare të Udhërrëfyesve Turstikë, që do të zhvillohet në datën 18 dhjetor në Tiranë. Kjo konferencë organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Shoqatës Kombëtare të Guidave Turistike në Shqipëri. /a.ke/









