VLORE - Ministra e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka parë sot nga afër gjëndjen në një nga lagjet, e cilat është përfituese nga projekti pilot i zbatuar në zonat rurale. Ajo është ndalur në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, lagje e cila është përfitue e këtij projekti.  

Duke nënvizuar të mirat që projekti sjell për të gjithë banorët e zonave informale, ministrja Gjermeni ka theksuar se në lagjen “Kushtrimi” janë rreth 100 familie,  të cilat kanë përfituar nga ky projekt dhe që sot jetojnë në kushte më të mira infrastrukturore, mjedisore dhe sociale , duke sjellë në këtë formë një integrim të plotë të banorëve të kësaj lagje me qytetin.

"Më vjen mirë të them se sot,mbas realizimit të projektit të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve me vlerë rreth shtatëdhjetë e shtatë milion lekë i përfunduar që në dhjetor të vitit 2014, lagjia ka pësuar një transformim të plotë infrastrukturor me rrugë të shtruara, ndërhyrje në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të zeza, ndriçimi i rrugëve dhe sinjalistikë rrugore”, tha ministrja Gjermeni

Më tej duke folur për tëmirat që sjell ky projekt pilot për të gjithë banorët e kësaj lagje Gjermeni ka nënvizuar se së shpejti do të fillojë dhe faza e dytë e projektit që lidhet më së shumti me krijimin e shërbimeve për qytetarët, siç është ndërtimi i kopshtit për fëmijët dhe unifikimi i fasadave.

Gjatë bashkëbisedimit me komunitetin Ministrja Gjermeni i siguroi banorët për vazhdimësinë e projekteve në këtë zonë, duke shtuar se projekte të ngjashme do te impelmentohen edhe në zonat informale në Shkodër, Lushnje e Sarandë.
 
Prej një viti Ministria e Zhvillimit Urban ka nisur punën për evidentimin dhe analizimin e të gjithë problemeve infrastrukturore dhe sociale në zonat informale. Ky proces identifikimi po kryhet në bashkërendim të plotë me njësitë e qeverisjes vendore për hartimin e një platforme kombëtare e cila do të na shërbejë për një mirëmenaxhim të integrimit të këtyre zonave dhe do të krijojë bazën e duhur të një partneriteti të favorshëm publik-privat për hartimin e planeve të urbanizimit dhe integrimit me në fokus zhvillimin ekonomik të rajoneve.

“Mbetet detyrë e jona që në të ardhmen e afërt mos ta shikojmë vendimmarrjen mbi territorin si të ndarë por si një pjesë e të tërës e ku çdo keqplanifikim dhe keqadministrim dëmton zhvillimin ekonomik dhe social të vendit”, shtoi më tej ministrja Gjermeni.

Të tjerë të pranishëm në këtë takim ishin edhe prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha, deputeti Andrea Marto, kandidati i së PS-së për Bashkinë e Vlorës  Dritan Leli, kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj dhe përfaqësues të pushtetit vendor .

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)